Nga EDMOND TUPJA
Para nuk e di sa vitesh një i afërm më kishte folur për një popullsi me prejardhje ilire të vendosur, këtu e dy mijë vite të shkuara, në një luginë në trajtë hunde të quajtur pikërisht Hundëza diku midis Afganistanit, Pakistanit, Taxhikistanit dhe Kinës, por të ndryshme nga gjuha, zakonet e raca në krahasim me popujt e këtyre katër vendeve; banorët e luginës në fjalë e quakan veten pikërisht hundëzakë dhe gjuha që flasin – por nuk e shkruajnë – qenka burrushaski, d.m.th. burrërishtja, pra gjuha e burrave, fjalë shqipe kjo sa më s’bëhet.
Këto kohët e fundit fare, meqë Afganistani është në rendin e ditës, madje edhe të natës, sidomos për amerikanët e aleatët e tyre, përfshirë edhe Shqipërinë me kryeministër të përjetshëm Edi Ramën, se si m’u kujtuan hundëzakët dhe – duke qenë se më pëlqen të mendoj e të besoj se kam gjak të lashtë iliro-arbëresh në damarët e mi shqiptarë – u hodha pa më të voglin ngurrim në Internet ku lexova një shkrim serioz nga pena e studiuesit kosovar Fahri Xharra, pastaj edhe një tjetër shkrim pa emër autori, që konfirmuan çka më kishte mësuar i afërmi im.
Nga dy të nderuarit autorë të sapopërmendur, mësova se bëhet fjalë për rreth 50 mijë hundëzakë, të cilët, duam apo nuk duam, për vetë origjinën e tyre të largët, por të paharruar, duhet të jenë patjetër – në qofshin shtetas afganë – kundërshtarë të vendosur të talibanëve, pra aleatë të SHBA-ve dhe të NATO-s! Si rrjedhojë e pashmangshme e këtij arsyetimi, rezulton katërcipërisht se kryeministri i përjetshëm shqiptar ka fort të drejtë që shqetësohet së tepërmi për fatin e afganëve që po lënë vendin e tyre se ndoshta mes atyre ka edhe hundëzakë, ku i dihet! Gjithashtu, ai duhet të shqetësohet edhe për fatin e 50 mijë hundëzakëve në përgjithësi, të parët e të cilëve qenkan vendosur në luginën e Hundëzës që në kohën e Aleksandrit të Madh! Sidoqoftë, nuk i falet kryeministrit tonë të përjetshëm që nuk dërgoi asnjë diplomat shqiptar në Afganistan për t’u lidhur me hundëzaket e hundëzakët para se amerikanët të vendosnin të tërhiqeshin nga ky vend dhe për t’u krijuar atyre kushte të favorshme që të vinin në atdheun e të parëve të tyre ilirë për t’u çmallur me kushërirat e kushërinjtë e tyre fort të largët shqiptarë. Gjithsesi, me të mbërritur e me t’u sistemuar tek ne afganët e sapolarguar nga atdheu i tyre fatkeq, qeveria jonë duhet të bëjë një sondazh midis tyre për të parë se, ku i dihet, ndonjëri syresh mund të jetë hundëzak. Nga ana tjetër, kryeministri ynë i përjetshëm duhet domosdoshmërisht të interesohet jo vetëm për hundëzakët e Afganistanit, por edhe për ata të Pakistanit, të Taxhikistanit dhe të Kinës, nëse, gjithsesi, në këto vende jetojnë të tillë, madje qoftë edhe një i vetëm. Tërë hundëzakët duhet të pajisen edhe me pasaporta shqiptare që të kenë mundësinë të vizitojnë atdheun e të parëve të tyre ilirë dhe të shohin se sa të lumtur jetojnë, sidomos këto dy dekadat e fundit, shqiptarët e sotëm në Republikën e Fuqishme të Shqipërisë, ku, falë politikës së ndritur të kryeministrit të përjetshëm Rama, gjithçka shkon më së miri e për bukuri: zero korrupsion, zero narkotrafik, zero varfëri, zero kriminalitet, zero papunësi e zero pasiguri jetese!
Së fundi, por jo më së paku, nëse një ditë talibanët guxojnë t’u bëjnë hundëzakëve më të voglën padrejtësi, Republika e Fuqishme e Shqipërisë, në aleancë të pamposhtur me NATO-n dhe, sigurisht, me mbështetjen e disa ushtrive aliene sekrete, mund t’u shpallë atyre luftë, një luftë të pamëshirshme, por, gjithsesi, për të shmangur kasaphanën mes radhëve të palëve ndërluftuese, zemërdhembshuri kryeministër i përjetshëm shqiptar, me shumë gjasë, do ta ftojë fisnikërisht në dyluftim kryetalibanin po aq të përjetshëm afgan, në një dyluftim, në përfundim të të cilit i munduri do të pranojë kushtet e disfatës së tij, mirëpo s’do mend që fitimtar do të dalë kryeministri i përjetshëm shqiptar, kjo, për mua të paktën, nuk ka pikë dyshimi! Sidoqoftë, edhe nëse për një arsye krejt tjetër, kjo luftë nuk fillon, atëherë të 50 mijë hundëzakët do të strehohen një herë e përgjithmonë në atdheun e mrekullueshëm të të parëve të tyre ilirë! Po, po, absolutisht po, veçse jo në ndonjë luginë në trajtë hunde, por pikërisht në Surrel, rreth e rrotull rezidencën artistikisht bunkeriale të kryeministrit të përjetshëm shqiptar ku do të jenë ndërtuar paraprakisht enkas për ata plot kulla hijerënda aq madhështore, saqë edhe vetë Kulla Eiffel do të ndihej e tkurrur dhe, rrjedhimisht, e tepërt midis tyre!
/Marrë nga Gazeta Panorama/