Nga Ilir Kalemaj
Vapë, zheg shterrues që prishet vetëm nga zukatja e ndonje grerëze të pabindur që tërë lakmi të përsillet rrotull kanaçes së pepsit. Ndërkohë trafiku i rënduar, pirgjet e plehrave kapicë, çmimet të harbuara më tepër se zakonisht të nxitura nga prurjet e turistëve pa doganë që panë Shqipërinë si han pa porta këtë verë, aksidentet e frikshme rrugore dhe kriminaliteti në rritje vazhduan të ishin plagët e zakonshme të një vere jo të qetë.
Shqipëria e dy pamjeve shfaqet me kontrastet e saj te thella te zakonshme. Nga njërën anë shpërfaqen më bujë e rropopujë pasunarët e rinj dhe shoqërueset silikonë-fryra rezorteve të reja të Jugut të shtrenjtë, përherë e më tepër ekzluziv për paradën e ish-Bllokut që zhvendoset verës në Palasë dhe Dhërmi. Nga ana tjetër, ata 80 përqind e shqiptarëve që ose nuk kanë mundësi as për një javë pushime në vit, ose janë të detyruar t’i bëjnë sa më thjeshtë, me çadra me vete për t’i ngulur në atë fare pak tokë ende të paxanun, bukë me vete dhe gatim në ndonjë-dhomë furrik për t’i ikur të nxehtit urban.
Nëse plazhet duken se kanë më shumë përkujdesje dhe ndjejnë dorën e privatit që synon t`ua bëjë më komode pushuesit qëndrimin e tij, duke pasur disa shërbime normale që vite më parë as nuk konsideroheshin, çmimet gjithashtu kanë fluturuar në hapsanë. Zgjedhja mes të shkuarit në bregdetin “luks” të Jugut, trafikut të tmerrshëm për të vizituar ndonjë nga plazhet afër kryeqytetit vençarisht në fundjavë apo zgjedhjes së pishinave më ujin e dyshimtë dhe çmimet e papërballueshme duken si dilema hamletiane për studentin xhepshpuar, shtëpiaken nikoqire apo buxhetorin e varfëruar. Hall i madh e ka zënë të ziun milet ndërsa duhet të llogarisë koston mes të “pjekurit të gjallë” rrugëve të shkreta të kryeqytetit në fundjavë apo aventurës për të shijuar disa orë të freskëta malore apo bregdetare me koston e papërballueshme të sakrifikimit të një pjese të mirë të buxhetit familjar.
Një verë e nxehtë kjo mesa duket që vërtitet nga inspektorë tatimesh që përsillen si Çiçikovi i Çehovit, me skema fantazmë për të mbushur xhepat nga puna në shtet që nuk paguan mirë por do “mjelë” siç duhet për kompesim deri te zyrtarë llërë-përveshur e politikanë të përvuajtur që rreken të duken si të çapëlyer mes punëve të shumta që iu ka ngarkuar…, sovrani. Të ishte për ta do të ishin arratisur me kohë e vakt anej nga brigjet e Arubës apo vërdalliseshin klubeve të natës të Bangkokut, por ky qerrata popull ju’a ka vënë këmbët në një këpucë dhe iu duhet ti shërbejnë, nuk ka shaka. Mes tyre ka dhe disa “burrështetas” të kriminalizuar që enden si Raskolnikovi i “Krim dhe Ndëshkim” deri sa të hynë kokëlart apo ballë(pa)larë në kuvendin e baballarëve të kombit ku së shpejti pritet të nisin batutat, bash aty ku u lanë në hyrje të stinës së nxehtë dhe të thatë.
Dhe kështu ngadalë ka për të kaluar edhe kjo verë, që të shëmbëllen disi me “Verën në Algjer” të Kamysë ku koha duket sikur ka ngecur, në pritje të vjeshtës dhe të qeverisë Rama 3, ku spektakli është i garantuar. Propaganda falas dhe fasada do të jenë bashkë-shoqërues edhe të një mandati të tretë që mund të jetë dhe mandata përfundimtare e llogari-dhënies dhe demokracisë. Kështu që nuk na ngelet gjë tjetër veç të përzhitemi edhe ca nën rrezet falas që bashkon të pasur dhe fukara, ndonëse fshatrat turistikë të gardhuar të kujtojnë enklavat e privilegjuara të pushtet-mbajtësve dhe biznesmenëve punë-shumë, të cilët kanë nevojë për plazhet e tyre privė për t`u shplodhur fizikisht dhe kalitur shpirtërisht për sezonin e ri ku punë të çmuara i presin me tepri.