Nga Flutura Açka
Dikur, në një përrallë të vjetër taxhike, kam lexuar historinë e një udhëtari, i cili pas ditësh larg shtëpisë udhëve të botës, u ndaj të falej në xhaminë e parë që ndeshi. Tek dëgjonte zërin e bukur të hoxhës, me sytë e përhumbur në mjekrrën dridhëse të tjetrit, zuri të qante.
“Pse qan, o udhëtar”, i tha i prekur hoxha i mirë. “Ja, u preka tek dëgjoja zërin tënd të ëmbël, e tek shihja mjekrën tënde, m’u kujtua cjapi i vetëm i dashur që kam lënë, tek shihja ndriçimin këtu, më mori malli për shtēpinë time të mjerë”. Hoxha i mirë, jo vetëm që e mirëkuptoi, por e fitoi në shtëpinë e tij që t’i nxirrte udhëtarit të lodhur mallin e gjërave të dashura që i mungonin.
Kështu më mori edhe mua të qarët për Tiranën time tek ecja mbrëmë në mesnatë rrugëve të Firences. Shihja këto ndërtesa nën dritë Perëndie e llamburitje njeriu dhe kisha frikë t’ia përqasja imazhin e betonit me të cilin e ndaj jetën cdo ditë. Në mesnatë po të eci nëpër kryeveprën pseudorilindase Sheshin Skënderbej, nuk ka drita fare (më thoni sheshin e kryeqytetit të një vendi pa drita!); njëra kullë është mbyllur që të zgjatet pa zhurmë phallos-i pas saj, kulla tjetër, Hinka, me gjasme hotel, ka aq pak drita, sa trishtohesh se sa pak bujtës ka kryeqyteti yt. Ai qysh tani ka marrë pamjen e kinseDubait mbi argjilë, nuk ka histori të tijën më, nuk ka më të shkuar. Durrësi, po, shumë shpejt, do të na kthehet në tregun më të madh të seksit e të drogës në Europë. Pse të shkojnë deri në Dubai mishrënët e kamur të Europës, le t’i lënë paratë në Durrso-Dubain tonë.
Gojët e liga, ca njerëz të mirëinformuar, thonë se janë rreth një mijë vajza eskortë që paguhen me taksat tona të gatshme për këtë shërbim. Unë lutem të jenë vetëm fjalë, por gojët e liga thonë madje se ca nëpunësa shumë të lartë, janë zhigolo të ca të huajve që na kanë në dorë, ca nëpunëse shumë të larta, janë baby-sugar pêr ca të tjerë. Me një fjalë, Tirana e qeverisur sot është diçka mes Betonieres dhe Qirtores. Tirana jonë, e njerëzve që e duan atë për historinë dhe krenarinë që na jep, është Dhembje.
Me këto trazime, u ula anës Arnos, një paqe gati parajsore m’i rroki krahët, si me qenë e dërguar prej Zotit. Çudi, edhe mushkonjat e shumta, me të cilat nuk jam parë kurrë hënamirë, e kishin më të zbutur tehun e tërbimit të tyre. Dhe m’u kujtua tortura që kisha pësuar pak net më parë nga e vetmja mushkonjë në apartamentin tim në Tiranë, e cila, se nga e kishte gjetur anën të futej në “trojet” e mia, megjithë mballosjen që i kam bërë ndarëseve me rrjetë. Po flas për mushkonjat mushkonja që preferojnë dioksidin e karbonit në vend të oksigjenit, jo për ca mushkonja të medias apo ato të zilisë, të mediokritetit, të heshjes. Po pse mushkonjat janë më të egërsuara në Tiranë?
Po natyrisht, ta katandisësh Tiranën në duart e një kryevashkuaku si Velija, ta betonosh Tiranën sipas shijes së tij, një “kristal mafios” që e ruajnë të paprekur korruprumi moral, etik, politik, njerëzor, profesional, patriotik që na ka zënë. Një pjesë e këtyre artistëve që na këputën shpirtin me protestën e tyre FaceBook-iane kundër Goran Bregoviçit – njëfarë tallavisti i ngjadhëm me ta (me ndryshimin se ka kënduar njëherë edhe me Igi Pop) – e kanë promovuar diarrënë velijane ku me tallava, ku me bisht lopate, ku me xhireto me biçikletë krah tij e ku me gjithfarë shpikjesh populiste e perverse. Dhe nuk kanë protestuar një ditë për Teatrin, për ajrin e mangët të Tiranës që po na e zë frymën dhe që u ka shkaktuar nervozë edhe mushkonjave. Mirë këtë nuk e bëjnë dot, se kushedi ç’para kanë firmosur, po protestë te ai koncerti që ua ka prishur aq shumë terezinë, nuk munden dot?
Do të pyesnij ju: po pse na e tregon Tiranën nga Firence? Ngaqe Firence është shpesh reference në fjalimet e ngrehalucit të Bashkisë së Tiranës. Për ilustrim të asaj çfarë po them, janë këto foto, që shpjegojnë se përse më mori të qarët për Tiranën time mbrëmë! Dhe sa herë ai ta zërë me gojē Firencen, ne të dalim të protestojmë për tiraninë e betonit që na ka pushtuar.
Do të thoni ju, po ti a je, a po bëhesh politikane për t’i ndrequr këto që të duken të padrejta?! Po, keni të drejtë. Por deri te huqi i politikës, nuk heq dot dorë aq lehtë nga huqi i fjalës!