Letra drejtuar Ramës dhe Kim/ Socialistët shkodranë: Ja si Tom Doshi ble votat, po shfrytëzon Edona Bilalin

Tom Doshi ble votat në Shkodër. Akuza këtë rradhë nuk është bërë nga opozita, por nga një grup socialistësh shkodranë që duket se nuk po durojnë dot bashkëpunimin që po ndodh mes kupolës drejtuese të PS dhe Tom Doshit për emërimet e drejtuesve të institucioneve në Shkodër.

Madje në letër thuhet se Doshi po shfrytëzon edhe Edona Bilalin, e cila renditej në krye të listës së kandidatëve të Rilindjes në Qarkun e Shkodrës, për zgjedhjet e 25 prillit.

Letra i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe ambasadores amerikane Yuri Kim.

“Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në në Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja anti-komunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë “zoti”. Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pamësuar me punët e politikës. Hoqën drejtorin e Hipotekës.Ai nuk ishte e keqja e atij institucioni. Atë e vunë për të vjehdru një pjesë, një pjesë e çonte te shefi, pjesën tjetër te xhepi,” thuhet në letër.

LEXO EDHE  Kultivonin kanabis, arrestohen dajë dhe nip në Tiranë! Emrat

Socialistët e Shkodrës pretendojnë se Bilali dhe Doshi po heqin njerëz nga puna dhe po punësojnë të afërmit e tyre.

“Hoqën drejtorin e patentave, zotin Çeliku një djalë të shkolluar, familje socialistësh me respekt në shoqëri që sjell vota për PS. Ka emëruar në atë pozicion nipin e vjehrrës së Edonës, inxhinierit të rrugëve pronë e Tom Doshit. S’ka bashkëpunim më perfekt. A thua se kemi votuar për të punësuar njerëzit e saj. Doli një fjalë që flitej se vjehrri i Edonës, mësues fizike ka dalë me bllok në dorë për të punësuar njerëzit e familjes e farefisit, pastaj kush paguan më shumë futet në listë,” theksohet në letër.

Në letrën, drejtuar edhe ambasadores Kim, socialistët akuzojnë Tom Doshin për blerje votash.

“PSD në Shkodër blen së bashku me LSI-në masivisht votat e shqiptarëve në zgjedhje. Drejtoritë dhe institucionet që ka Tom Doshi janë mbushur me njerëz me precedentë penal të paarsimuar, me dëftesa false e të blera. Kështu po mbrohen tash e 20 vjet disa drejtoresha institucionesh që janë denoncuar për korrupsion”, thuhet në letër.

Gjithashtu, ata theksojnë se po sulmohen dhe shkarkohen njerëzit e Ilir Beqajt, i cili nuk mundi të merrte mandatin e deputetit në Shkodër.