Zbardhen të tjera detaje nga dëshmia e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, në kuadër të operacionit ‘Shpirti’. Skafisti Fiqiret Seferi që mban statusin e të penduarit të drejtësisë ka rrëfyer detaje tronditëse të implikimit në trafikun e drogës të dy ish-gardistëve, Hekuran Marku e Agustin Deda, pjesë e eskortës së ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
I penduari pohoi se me gardistët i prezantoi një person më emrin ‘Pingio’, që më vonë u identifikua si Eltjon Bregasi dhe që konsiderohej si njeri i rëndësishëm në trafik. “‘Pingio’ na prezantoi me bodygardët. ‘Pingio’ është i kërkuar në Shqipëri. Ai është ose nga Përmeti ose nga Skrapari. Banon në zonën e Marikajt. Është rreth 140-150. Është i dobët dhe i pamartuar. Nuk kishte makinë ishte gjithmonë i shoqëruar nga bodygardë. Kur kemi shkuar ta takonim në Memaliaj ishte i shoqëruar nga bodygardët”, tha Seferi.
Fiqiret Seferi iu tha hetuesve italianë ish-gardistët ishin pronarë të plantacioneve të drogës në Memaliaj.
“Bashkë me ‘Pingio’-n e Hekuranin kemi shkuar në Memaliaj ku kishin kultivuar drogën në plantacion në hapësirë. Që ishte e shpërndarë në 2 apo 3 zona në mes të pyllit. Jam ne gjendje të gjej atë vend. Ne i kemi parë bimët nga larg duke na i treguar ata. Rreth 3-4 km më larg kemi hyrë në një magazinë ku ishin 20 -30 punëtorë që po pastronin gjethet e marijuanës që ndodheshin në thasë të mëdhenj. Plantacioni ishte i Hekuranit dhe ‘Pingo’ komandonte punëtorët që merrnin 10 deri në 15 euro në ditë”, thotë i penduari.
Pas takimit në magazinën e plantacionit, skafisti -thotë se sollën mallin nga Memaliaj në Lumin Shkumbin me qëllim për ta trafikuar drejt Italisë, porse aty hasën disa probleme të vogla.
“Kur mbërritëm në Gosë, Kavajë, kemi parë policinë dhe për këtë njoftuam ‘Pingion’. Ky i fundit mori në telefon Hekuranin dhe Agustinin, duke i informuar se kishin parë policinë lokale. Shkuam tek një vend që dinte Ajdini. Mallin e shkarkuam tek varrezat e ‘Pingios’ dhe ai na tha se do të prisnim Agustinin e Hekuranin deri kur të mbaronin shërbimin, se ishin bashkë me Ministrin dhe do e shoqëronin në shtëpi. Kur e pamë policinë nuk ndaluam. Ndërsa prisnim që Hekurani dhe Agustini të vinin, ata telefonuan Pingion dhe i thanë të rrinte i qetë, sepse nuk kishte asnjë sinjalizim për transportimin tonë”, shpjegon i penduari, në dosjen hetimore.
Ai thotë se dy gardistët u shfaqen pas mesnate. “Hekurani dhe Agustini erdhën tek ne pas mesnate. Kemi ngarkuar drogën dhe kemi në Vilëbashtovë. Gjatë rrugës na kanë shoqëruar ata të dy. Kemi ngarkuar gomonen dhe jemi nisur, ishte 20 dhjetori. Në ngarkim ishin 5 vetë. Unë, Ajdini dhe 3 persona të tjerë, që udhëtonin me një ‘Mercedez Vito’. Ishte dhe një makinë e përdorur për vdekjet. Dy bodygardët nuk ishin të pranishëm në ngarkim dhe nisje”, tregon ai.
I penduari flet edhe për shumën që do të paguhej ai dhe miku i tij, Ferhat Ajdini nëse do të kapeshin teksa transportonin drogën për në Itali. “‘Pingio’, Agustini e Hekurani na thanë që unë e Ajdini do të fitonim 100 mijë euro për kokë për transportin e kësaj droge, po u arrestuam”, thotë i penduari.
Në dosjen e SPAK thuhet se dy ish-gardistët në bashkëpunim me Eltjon Bregasin, si dhe shtetasit italianë Silvio Sidella, Raffaele Addante, Guisepe Vispo, Alesio Ventrella kanë trafikuar 1016 kg lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Sasia është kapur nga autoritetet në Bari. SPAK ka dyshime se dy ish-punonjësit e policisë, në bashkëpunim me Bregun, shtetasit italianë dhe disa persona të paidentifikuar, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal kanë trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Operacioni ‘Shpirti’, u finalizua me firmosjen e 28 urdhër arresteve. Te penduarit e drejtësisë, Fiqiret Seferi, Ferhat Ajdini, Donial Drolli, Mariglen Shusha dhe Elton Hamza, kanë rrëfyer detaje tronditëse të implikimit të zyrtarëve të policisë në trafik, që nga garancia që u jepnin bosëve të drogës, për të kultivuar, magazinuar e transportuar drogën, e deri tek fikja e radarëve që skafistët të largoheshin qetësisht drejt Italisë.
/BW/