Nga BoldNews.al
Një opinion i dhënë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për problemet me pasurinë e Theodhori Sollakut, ishte një ndër argumentat kryesorë që Parlamenti shkarkoi nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm në vitin 2007 dhe që mund të jenë penalizuese edhe për Vetingun e bashkëshortes së tij, Zegjine Sollaku, gjyqtare në Apelin e Tiranës.
Në vitin 2006, Parlamenti ngriti një Komision Hetimor për veprimtarinë e Kryeprokurorit të asaj kohe, si edhe për pasurinë e tij.
Kuvendi iu drejtua me një kërkesë për opinionin institucionit të specializuar për pasuritë e gjyqtarëve, ILDKPKI.
Një ekspert i atij institucioni arriti në konkluzionin se “…në analizë të dokumentacionit, shpreh mendimin se zyrtari Theodhori Sollaku, nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ligji nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive….” dhe ligji nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”.
Sipas ekspertit të thirrur nga Kuvendi, Sollaku “..nuk ka deklaruar kufizimin e të drejtave reale të pasurise së paluajtshme, truall me sipërfaqe 600 m², vënë në dispozicion me Kontratë Paraprake Sipërmarrje firmës “Gora” sh.p.k. përpara datës 31.12.2005, periudhë që përfundon detyrimin për të prezantuar ndryshimet e ndodhura në interesat privatë të deklaruara më parë”.
Po ashtu, Sollaku “..nuk ka deklaruar se ka lidhje interesash me firmën ndërtuese “Gora” sh.p.k. dhe “Jon” sh.p.k., duke i trajtuar ata si person të lidhur, detyrim ky që lind nga pika 11 e nenit 3 dhe gërma “b” e nenit 5 të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, si dhe nga paragrafi i dytë i nenit 21 të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive ….”.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/1-640x824.jpg)
Këto detaje, të përmendura në dokumentin e ekspertit të ILDKPKI, kanë vijuar të japin efekte ndër vite për pasurinë ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku dhe bashkëshortes së tij, gjyqtare Zegjine Sollaku, pasi janë shitur dhe kanë shërbyer si burim për asete të tjera.
Në fakt, këto transaksione janë vetëm një pjesë e vogël e lëvizjeve financiare që kanë kryer ndër vite bashkëshortët e njohur të sistemit të drejtësisë.
“Boldnews.al” ka konsultuar deklaratat e pasurisë së gjyqtares Zegjine Sollaku prej vitit 2003 e deri në vitin 2016, sipas formularëve të publikuar nga baza e të dhënave “spendingdata.al”.
Nga analizimi i deklaratave, rezulton se Theodhori dhe Zegjine Sollaku, të paktën deri në vitin 2016, ishin pronarë të 8 apartamenteve, 3 garazhdeve e disa automjeteve.
Por, nga ana tjetër, familja Sollaku ka edhe 500 mijë euro kredi dhe detyrime financiare, të cilat, sipas shënimeve në formularët e pasurisë, janë përdorur për rritjen e aseteve të tyre.
10 prona të paluajtshme
Shkarkimi i Theodhori Sollaku nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm duket se i ka shkuar për mbarë. Ai hapi zyrën e tij të avokatisë dhe, ndër të vite, deklaron se ka siguruar të ardhura jashtëzakonisht të larta për standartin shqiptar.
Në vitin 2008, i cili ishte i pari i plotë si avokat, Sollaku deklaron të ardhura në shumën 4.1 milionë lekë. Por, ky ishte viti me më pak të ardhura.
Në vitet pasuese, të ardhurat e avokat Sollakut kanë ndjekur trend rritës, duke nisur nga 7.8 milionë lekë të reja e deri në 48.8 milionë lekë të reja, të deklaruara në vitin 2016.
Në asnjë prej deklaratave të pasurisë nuk është shënuar nëse janë paguar taksat mbi këto të ardhura.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/2-640x735.png)
Pasuria e familjes Sollaku gjithashtu është shtuar me ritme mbreslënëse.
Në deklaratën fillestare të pasurisë, gjyqtarja Zegjine Sollaku deklaron se ka në pronësi, së bashku me bashkëshortin, një apartament 3+1 të përfituar nga privatizimi, një apartament tjetër 2+1 të blerë 1.9 milionë lekë në vitin 1995, një shtëpi private dhe truall 540 m2, dhuratë nga prindërit e Theodhori Sollakut, një tokë arë 600 m2 në Golem të Kavajës dhe një tokë pyll në Lanabregas të Tiranës, 500 m2.
Një pjesë të këtyre pasurie i kanë shitur në vitet pasardhëse.
Referuar gjithnjë deklarimeve të pasurisë së gjyqtares Zegjine Sollaku, familja e saj, deri në vitin 2016, zotëron këto pasuri të paluajtshme:
- Shtëpi private dhe truall, me vlerë 1.9 milionë lekë, të blerë në vitin 2003, me të ardhura familjare.
- Apartament banimi, 3+1, porositur në vitin 2004 pranë kompanisë “Komani” shpk dhe blerë plotësisht një vit më parë, me vlerë 60 mijë dollarë amerikanë.
- Apartament banimi, të ndërtuar nga kompania “Kontakt” shpk. Në vitin 2008 deklaron se “është paguar 30 mijë euro, kësti i mbetur për apartamentin e deklaruar një vit më parë”. Në fakt, “Boldnews.al” nuk arriti të konstatonte deklarim të mëparshëm për këtë pasuri dhe nuk është e qartë sipërfaqja, vendi dhe, sidomos vlera totale e tij.
- Apartament 70 m2, me kontratë porosie, me vlerë 3 milionë lekë, deklaruar në vitin 2009. Për këtë pasuri nuk ka të dhëna të tjera, të paktën në pjesën e formularit të pasurisë që është e lejueshme për t’u konsultuar nga publiku dhe media.
- Kontratë porosie e vitit 2010 për blerje apartamenti 274 m2, me vlerë 200 mijë euro, pranë kompanisë “TID”. Burimi financiar është kredi e marrë në një bankë të nivelit të dytë.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/3-640x820.png)
- Apartament 184 m2, me vlerë 181 mijë euro, blerë pranë shoqërisë “TID”, në vitin 2013.
- Apartament 82.4 m2, me vlerë 81 mijë euro, blerë pranë shoqërisë “TID” në vitin 2013.
- Tre garazhe, blerë në vitin 2013 pranë shoqërisë “TID”, për një vlerë totale prej 37.800 euro.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/4-640x776.png)
- Apartament në Sarandë, me sipërfaqe 65 m2, me vlerë 32.500 euro, blerë në vitin 2015. Një vit më pas, prindërit Sollaku ia dhurojnë këtë apartament vajzës së tyre, Adelës.
- Ndërkohë, mbetet e paqartë destinacioni i një toke are në Golem, e deklaruar që në formularët e parë, me sipërfaqe 600 m2, të blerë në shumën 1 milionë lekë në vitin 2000, me burim të ardhura familjare.
Kjo pronë është e njëjta, për të cilën Theodhori Sollaku pati probleme në vitin 2006, kur rasti i tij po shqyrtohej nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i ngritur posaçërisht për të.
Në formularët e pasurisë nuk dallohet qartë se çfarë ka ndodhur me kontratat e sipërmarrjes, si janë shkëmbyer ato dhe cili ka qenë përfitimi i familjes Sollaku.
Superkredi
Në 17 vitet e detyrimit për të plotësuar formularët e pasurisë, gjyqtarja Zegjinë Sollaku dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar disa kredi, një pjesë e të cilave janë shlyer.
Por, të paktën deri në vitin 2016, Theodhori dhe Zegjinë Sollaku kishte të paktën 4 kredi aktive, me një vlerë totale detyrimi rreth 500 mijë euro.
- Në vitin 2010, bashkëshortët Sollaku deklarojnë se kanë marrë një kredi me vlerë 200 mijë euro, për blerje apartamenti 274 m2, me çmim po aq sa kredia, pra 200 mijë euro.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/5-640x749.png)
Kushtet e bankare për dhënie kredie janë që shuma disbursohet pasi kredimarrësi të ketë paguar paraprakisht të paktën 20 përqind të shumës.
Ndërsa, në rastin e bashkëshortëve Sollaku, referuar gjithnjë deklarimeve të tyre, kredia është e njëjtë me çmimin e apartamentit.
Në vitin 2016, Theodhori dhe Zegjinë Sollaku kishin për të paguar edhe 147 mijë euro nga kjo kredi.
- Në vitin 2013, bashkëshortët Sollaku marrin një tjetër kredi, në shumën 193 mijë euro, e cila është përdorur për një pjesë të shumës së paguar për blerjen e tre apartamenteve dhe 3 garazheve, pranë shoqërisë “TID” shpk.
Një prej këtyre apartamenteve u kthye në zyrë për avokatin Theodhori Sollaku.
Në vitin 2016, nga kjo kredi kishte mbetur pa shlyer shuma prej 166.500 euro.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/Screenshot_1-640x746.png)
- Në vitin 2014, Theodhori Sollaku merr një tjetër kredi, me vlerë 3.7 milionë euro, me qëllim mobilimin e zyrës së tij të punës.
Në vitin 2016, nga kjo kredi kishin mbetur për t’u shlyer edhe 2.7 milionë lekë të reja.
- Në vitin 2016, bashkëshortët Sollaku marrin një tjetër kredi, me vlerë 26 milionë lekë të reja. Deri në fund të atij viti, ishin paguar vetëm 2.1 milionë lekë, ndërkohë që detyrimi financiar ishte 25.9 milionë lekë të reja.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2021/07/Screenshot_2-640x787.png)
Ndërkohë, sa u përket automjeteve, familja Sollaku deri në fund të vitit 2016, kishte në pronësi në Citroen C5, të blerë në vitin 2009 në shumën 30 mijë euro, si edhe një Audi, të blerë në vitin 2013, për një shumë prej 10 mijë euro.
Të gjitha këto të dhëna, si edhe të tjera, pritet të jenë pjesë e shqyrtimit administrativ nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i cili ka parashikuar seancë dëgjimore me gjyqtaren Zegjine Sollaku në 1 Korrik 2021.