Seanca e dytë dëgjimore për prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha zgjati rreth pesë orë të mërkurën, ku përfaqësuesit e tij ligjorë, Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi paraqitën një seri kërkesash për përjashtime të anëtarëve të trupit gjykues.
Në fillim të seancës, kryesuesja Etleda Çiftja bëri me dije se kërkesa e dorëzuar në seancën parardhëse për përjashtimin e komisioneres Valbona Sanxhaktari për konflikt interesi ishte rrëzuar nga një trupë tjetër gjyqësore.
Çiftja bëri me dije gjithashtu se dy avokatët kishin prokurë nga subjekti vetëm për të paraqitur kërkesa. Përfaqësuesit e prokurorit Karanxha deklaruan se kishin të tjera kërkesa paraprake për të dorëzuar.
Gjatë seancës së të mërkurës u debatua mes trupës gjykuese dhe përfaqësuesve ligjorë lidhur me mënyrën e paraqitjes së kërkesave. Çiftja kërkoi që të depozitoheshin njëherazi, ndërsa avokatët Pjetra dhe Reçi pretenduan se sipas procedures, duhej të dorëzoheshin një e nga një. Gjithashtu, ajo kërkoi që kërkesat të dorëzoheshin në sekretari, por avokatët këmbëngulën që t’i relatonin të gjitha shkaqet e ngritura në to.
Kur Çiftja i tha avokatit Reçi se e urdhëronte ta dorëzonte kërkesën në sekretari, ai i kërkoi që t’i paraqiste një dispozitë ligjore lidhur me këtë qëndrim të saj.
Gjatë seancës dëgjimore, kryesuesja Etleda Çiftja u tërhoqi disa herë vëmendjen avokatëve Pjetra dhe Reçi për sjellje joetike, si dhe u bëri me dije se qëndrimi i tyre, ashtu si dhe i subjektit do të konsiderohej gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Përgjatë 4 orëve, përfaqësuesit e Karanxhës depozituan gjashtë kërkesa të tjera, nga të cilat katër ishin për përjashtimin e anëtares Valbona Sanxhaktari, me pretendimin se ata e kishin kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre.
Sipas avokatëve, Karanxha konsideronte se Sanxhaktari nuk mund të ishte e paanshme në gjykim. Bashkëngjitur kërkesave për përjashtimin e Sanxhaktarit, ata dorëzuan edhe një kërkesë për pezullim të procesit deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK.
Po ashtu, ata depozituan kërkesë për përjashtimin e kryesueses Etleda Çiftja, me pretendimin se kishin dorëzuar edhe ndaj saj një kallëzim penal në SPAK me pretendimin se nuk kishte deklaruar të vërtetën në aplikimin për pozicionin e komisioneres në KPK.
“Ka fshehur të dhëna që do të shërbenin për moskualifikimin e saj. Mendojmë se mungon legjitimiteti i këtij anëtari për të marrë pjesë në gjykim,” tha avokati Reçi ndërsa vuri në pikëpyetje edhe paanshmërinë e saj në proces.
Trupi gjykues u tërhoq për vendim dhe deklaroi më pas se gjashtë kërkesat do të shqyrtoheshin nga një trupë tjetër gjykuese, ndërsa u rrëzuan kërkesat për pezullim të procesit të rivlerësimit.
“Derisa trupa tjetër gjykuese të shprehet mbi kërkesat për përjashtim, kjo trupë gjykuese nuk do të marrë vendim,” tha Çiftja.
Avokati Pjetra bëri një kërkesë të fundit për përjashtimin e trupës për njëanshmëri, e cila do të shqyrtohet sërish nga një trupë tjetër e KPK.
Çiftja u kujtoi avokatëve se nuk kishin tagrin për të përfaqësuar Karanxhën lidhur me gjetjet e hetimit administrativ dhe u kërkoi atyre që të qëndronin në zonën e rezervuar për publikun. Avokatët Pjetra dhe Reçi u larguan nga salla, duke i hapur rrugën relatimit për të tre kriteret e rivlerësimit.
Mungesat financiare
Komisioni konstatoi se prokurori Ervin Karanxha dhe bashkëshortja e tij tashmë e shkarkuar nga KPK, Bernina Kondi nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2011 kundrejt çmimit 8.2 milionë lekë.
Relatorja Pamela Qirko tha se në deklaratën ‘veting’, prokurori Karanxha ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie, një kredi në shumën 5 milionë lekë me afat 25 vjet dhe kursime familjare. Ndërsa në vitin 2011 ka deklaruar të ardhurat nga revokimi i një kontrate sipërmarrje dhe kursimet.
Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit ka porositur një apartament në Berat për vlerën 6 milionë lekë kur ajo punonte si gjyqtare në atë qytet dhe ka përfituar kredi të butë për mundësimin e strehimit në shumën 5 milionë lekë.
“Megjithëse bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit ka vazhduar të punojë në qytetin e Beratit, e ka revokuar kontratën e sipërmarrjes dhe vlerën e marrë e ka përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë. Ka ndryshuar destinacioni i përdorimit të kredisë së përfituar me kushte lehtësuese, në kundërshtim me legjislacionin,” tha Qirko.
Komisioni ka verifikuar edhe mundësinë e prokurorit Karanxha dhe bashkëshortes së tij tij për krijimin e kursimeve që kanë shërbyer për një pjesë të çmimit të apartamentit të blerë në 2011-ën.
Relatorja shtoi se nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi për krijimin e likujditeteve gjatë periudhës 2003-2008, kur ai ka çelur disa depozita; konkretisht në shumat 10 mijë USD në vitin 2006 dhe 3000 USD të tjera në gjendje cash si dhe një depozitë 10 mijë USD në 2008-ën, nga e cila ka tërhequr po atë vit 8000 USD.
Qirko tha se subjekti nuk i ka deklaruar çeljet e depozitave, por në shpjegimet për KPK, ai ka sqaruar se ka deklaruar të gjitha gjendjet cash që ka disponuar dhe më pas i ka depozituar në bankë, duke mos pasur asnjë qëllim për fshehje.
Në seancë u tha se Karanxha ka deklaruar se ka disponzuar veçmas një shumë 2.5 milionë lekë në vitin 2009, e cila ishte shtuar me nga 500 mijë lekë secili në vitin 2010. Qirko tha në seancë se Karanxha dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar pakësime, ndaj në vitin 2010 kanë disponuar 3.5 milionë lekë.
Qirko solli në vëmendje edhe një deklaratë të Karanxhës në ILDKPKI në vitin 2012, ku ai pohonte se dispononte në gjendje cash në shtëpi shumën 20 mijë USD nga mbyllja e depozitave.
Relatorja Qirko tha se duket se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur mundësi për pagesën e këstit të tretë në vitin 2011.
Si problem për pasurinë u relatua edhe një hua në shumën 1.2 milion lekë që bashkëshortja e Karanxhës ka deklaruar se e ka marrë në vitin 2010 nga vajza e tezes së saj, me qëllim likujdimin e një kredie të 2005-ës. Edhe pse kredia është marrë nga bashkëshortja e subjektit para se ata të lidhnin martesë në vitin 2009, Komisioni ka hetuar mbi mundësinë e huadhënëses për krijimin e kësaj vlere me burime të ligjshme.
Qirko tha se Karanxha dhe bashkëshortja e tij kanë ndryshuar deklarimet lidhur me burimet e kësaj huaje, pasi fillimisht është pretenduar se vlera 1.2 milionë lekë përfaqësonte kursimet e familjes së vajzës së tezes, ndërsa gjatë hetimit administrativ është dorëzuar deklaratë noteriale e huadhënses, ku ajo sqaron se ka marrë vetë hua një shumë 10 mijë euro për të hapur një aktivitet privat, por që nuk ka realizuar dot.
Qirko tha në seancë se nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se personi për të cilin pretendohet se i ka dhënë hua kushërirës së bashkëshortes, nuk ka qenë në Shqipëri në momentin që pretendohet transaksioni në fjalë.
“Nuk u provua mundësia e vajzës së tezes së bashkëshortes për dhënien e huasë dhe për pasojë rezultojnë se nuk kanë pasur mundësi për shlyerjen e kredisë,” pohoi Qirko.
Lidhur me pasuritë e trashëguara nga bashkëshortja e Karanxhës si dhe të një apartamenti të blerë prej saj para lidhjes së martesës, Qirko tha se subjekti i rivlerësimit nuk ka kontribut dhe se hetimi për këtë pasuri është kryer gjatë rivlerësimit të gjyqtares Kondi.
Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2003-2016, KPK gjeti pamundësi financiare në vlerën e 3.4 milionë lekëve.
Figura dhe profesionalizmi
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni nuk kanë gjetur probleme për kriterin e pastërtisë së figurës. Gjithashtu, Karanxha mori vlerësim pozitiv edhe për profesionalizmin.
Ndaj tij janë depozituar gjithsej 26 denoncime nga publiku, ku për dy çështje, Komisioni evidentoi se subjekti ka qenë në kushtet e heqjes dorë, pasi duket sikur ka shkaqe për anësi në hetim. Gjithashtu, Qirko tha se janë vërejtur raste kur në çështjet e pushuara ose për ato që është vendosur mosfillim, duket se nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore.
Për një çështje të verifikuar nga denoncimet e publikut, Qirko ngriti dyshime për favorizimin e të pandehurve, pasi prokurori nuk ka kryer ankim.
Ajo relatoi edhe çështje të tjera midis të cilave evidentoi një rast të hetimeve të kufizuara. Qirko vijoi se Karanxha kishte kërkuar dënim nën minimumin e parashikuar në ligj, duke argumentuar se të pandehurit kishin shfaqur pendim të thellë, por pa e dokumentuar. Gjithashtu, ai kishte sjellë si arsye edhe moshën e vogël të të pandehurve, por nga verifikimi kishte rezultuar se ai me moshë më të vogël ishte 27 vjeç, ndërsa të tjerët ishin nga 33 deri 47 vjeç.
Në fund të seancës dëgjimore, kryesuesja Etleda Çiftja theksoi se subjekti ishte njoftuar rregullisht për gjithë rezultetet e hetimit administrative si dhe për seancat dëgjimore. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohej më 7 korrik, ora 09:30. /Birn/