Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se prokurori i Lushnjës, Artan Hazbi përfitoi prona dhe para publike në cënim të ushtrimit të funksionit të prokurorit dhe në kundërshtimin me ligjin. Sipas Komisionit, ai ka fshehur një apartament në emër të vëllait si dhe veprimet ndër vite që kanë pasur qëllim shumëfishimin e pasurive.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 26 prill 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Artan Hazbi pasi konkludoi se ai nuk arriti të provojë burimet e krijimit të pasurisë, se dyshohet të ketë fshehur një apartament dhe se në cënim të figurës së prokurorit, ka përfituar troje me të cilat ka kryer transaksione si biznesmen, si dhe ka përfituar subvencione si fermer në kundërshtim me ligjin.
Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Brunilda Bekteshi me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Pamela Qirkon, kanë vendosur ta përfundojnë hetimin administrativ për prokuorin Hazbi vetëm për kriterin e pasurisë, duke e rrëzuar kërkesën e tij për hapjen e hetimit edhe për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Artan Hazbi e ka filluar karrierën në vitin 1988 fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror në Prokurorinë e Sarandës. Prej vitit 2005 dhe deri në momentin e shkarkimit, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Lushnjës.
Transaksione të dyshimta e fitimprurëse
Subjekti i rivlerësimit dhe prindërit e tij kanë përfituar në vitin 1995, nga Enti Kombëtar i Banesave nëpërmjet privatizimit një apartament 1+1, me sipërfaqe 55 m2, kundrejt vlerës 72 mijë lekë, pasuri që e kanë shitur në 98-ën në vlerë disa herë më të lartë, në shumën 3 milion e 750 mijë lekë.
Nga hetimi ka rezultuar se, së bashku me këtë apatarment, subjekti ka shitur edhe një truall me sipërfaqe 150 m2, që nuk mund ta përfitonte nga EKB-ja, pasi nuk ka qenë kompetencë e këtij institucioni të shiste trojet. Gjithashtu, ka rezultuar pamundësi financiare për pagesën në favor të EKB-së në 95-ën.
“Veprimet e kryera prej tij, duke e shitur këtë pasuri të përfituar për qëllim banimi dhe përfitimi më pas edhe të pasurive të tjera me statusin si i pastrehë, janë veprime që cenojnë etikën dhe figurën e prokurorit”, konstaton Komisioni.
Prokurori Hazbi ka përfituar disa troje publike në shuma të papërfillshme, të cilat janë rivlerësuar prej tij ndër vite në vlera të konsiderueshme.
Me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë të vitit 1996, ai ka përfituar një truall me sipërfaqe 306 m2 për ndërtim banese, kundrejt vlerës 146 mijë lekë. Kjo pasuri është rivlerësuar në vitin 2011 në shumën 5 milionë e 195 mijë lekë dhe në 2017-ën në vlerën 3 milionë e 297 mijë lekë.
Komisioni evidenton se subjekti nuk ka ndërtuar asnjë banesë mbi truallin 306 m2 dhe se ka fshehur vlerën reale të pasurisë duke mos i deklaruar rivlerësimet.
Në vendim e arsyetuar të KPK thuhet se Hazbi e ka përfituar këtë pasuri si qytetar i Sarandës për ndërtimin e një banese private, ndërkohë që më herët, në vitin 1995, kishte privatizuar nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB një apartament 1+1 me siërfaqe 55 m2 + sipërfaqe dhe një truall 150 m2.
Pretendimet e subjektit se kjo pasuri ishte zonë pa infrastrukturë dhe e pabanuar, nuk e kanë bindur trupin gjykues
Me anë të një vendimi tjetër të Këshillit Bashkiak Sarandë të vitit 1999, Hazbi ka blerë një truall për ndërtim me sipërfaqe 608 m2.
Për këtë pasuri ka dalë leje ndërtimi nga KRRT-ja Sarandë në dhjetor të 2001-it në emër të Hazbit, me objekt “ndërtim hotel H 7-9 Sarandë”, por nuk është realizuar.
Në vitin 2010 është miratuar një tjetër leje ndërtimi e bazuar në një kontratë sipërmarrje të lidhur mes prokurorit Hazbi dhe shtetases V.H., me të cilën ka sjellë në jetë një vajzë në vitin 2009 dhe deklaron se bashkëjetojnë prej vitit 2014.
Pasi bashkëjetuesja ka hequr dorë si investitore, është ofruar për të kryer investimin një shoqëri e cila ka kryer sistemimin e sheshndërtimit dhe për mungesë fondesh, edhe kjo është larguar.
“Duket sikur statusi i investitorit ka qenë në çdo rast fiktiv vetëm për të mundësuar lejen e ndërtimit me qëllim përfitimin e pasurisë truall dhe regjistrimin e saj[…]”, konstaton Komisioni dhe shton se subjekti i rivlerësimit ka përfituar këtë pasuri në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, si dhe në kundërshtim me funksionin e tij si prokuror.
Trupi gjykues vlerëson se subjekti e ka përfituar këtë pasuri në mënyrë të padrejtë, pasi kishte përfituar edhe më herët pasuri të tjera publike si banor i Sarandës si dhe ka fshehur vlerën reale në deklaratën veting duke deklaruar atë të përfitimit të saj në vitin 2002.
“Kjo pasuri është blerë në vlerën 291,840[…]lekë dhe është rivlerësuar deri në vitin 2012 në vlerën 11,893,088[…]lekë”, evidenton Komisioni.
Prokurori Hazbi ka blerë një apartament me sipërfaqe 77 m2 në Sarandë në vitin 2007 për çmimin 1,8 milionë lekë që në 2017-ën është vlerësuar në vlerën 65 mijë euro dhe është shkëmbyer më një truall dhe hotel në Ksamil.
Duke u bazuar në referencat e EKB-së, Komisioni konkludon se kostoja totale e apartamentit ka qenë dy herë më e madhe, në shumën 3 milionë e 891 mijë lekë.
Hazbi ka pretenduar se apartamenti ishte përfituar në vlerën 1,8 milion lekë pasi kishte pasur rrjedhje të ujit, duke mos e konsideruar çmimin si favorizues.
Ky pretendim nuk është konsideruar nga Komisioni, pasi nuk ka rezultuar që subjekti të ketë deklaruar kyerjen e investimeve. Sipas trupit gjykues, subjekti ka kryer deklarim të rremë, ndër vite, duke fshehur vlerën reale të apartamentit.
Përfitimi subvencioneve si fermer
Prokurori Hazbi ka deklaruar se është subvencionuar nga shteti për kulitvimin e ullinjve e të mbjellave dhe ka dorëzuar dokumente të shumta për të pasqyruar të ardhurat e përfituara ndër vite.
Por Komisioni konstaton se të ardhurat nga subvencionet bujqësore janë përfituar në kundërshtim me ligjin nr. 9817, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
“Unë, duke pasur tokë bujqësore në pronësi dhe duke e investuar këtë tokë në fshat quhem fermer”, ka pretenduar Hazbi, por Komisioni i konsideron këto veprime të subjektit në kundërshtim me Kushtetutën dhe me funksionin e tij si prokuror.
E njëjta situatë është konstatuar edhe nga krijimi i një ferme blegtorale për mbarështimin e lopëve nga bashkëjetuesja në vitin 2012.
Kjo pasuri është regjistruar në Drejtorinë e Bujqësisë Sarandë dhe me Drejtoria e Shërbimit Pyjor është lidhur kontratë për marrjen me qira për kullotje dhe kositje bari, të një sipërfaqeje 35 hektarë.
Komisioni konstaton se bazuar në legjislacionin shqiptar, prokurori dhe rrethi i personave të lidhur me ta, nuk mund tё lidhin kontrata me institucione publike.
Ndërkohë, është konstatuar pamundësi financiare për krijimin e fermës blegtorale, pasi burimi i deklaruar, të ardhurat e prindërve të bashkëjetueses nga dëmshpërblimi si ish-të përndjekur politikë, edhe pse janë konsideruar të ligjshme, nuk është provuar se ato janë përdorur për këtë investim.
Apartamenti i fshehur
Prokurori Hazbi ka deklaruar si adresë banimi që prej vitit 2010 një apartament në Tiranë, që sipas tij është në pronësi të vëllait R.H në shumën 54 mijë euro.
Subjekti ka dorëzuar si provë në Komision një deklaratë noteriale të vitit 2016 të nënshkruar mes tij dhe vëllait ku përcaktohet se i kanë lënë në përdorim njëri-tjetrit pronat e tyre pa kundërshpërblim, konkretisht apartamentin në Tiranë për llogari të prokurorit Hazbi dhe ky i fundit i ka lënë familjes së vëllait shtëpinë në fshat.
Sipas KPK nuk është arritur të provohet mundësia financiare e vëllait të subjektit për blerjen e apartamentit në Tiranë. Ndërkohë, është konstatuar se kontrata e porosisë është nënshkruar nga prokurori Hazbi me prokurorë të posaçme të lëshuar nga vëllai, edhe pse ky i fundit rezulton të jetë ndodhur atë ditë në Lushnjë.
“Nuk kuptohet qëllimi i blerjes së apartamentit nga vëllai i subjektit R. H. në vitin 2009, kur prej asaj kohe dhe në vazhdim aty jeton subjekti Artan Hazbi pa asnjë kompensim financiar ndaj tij, ndërkohë që vëllai dhe familja jetojnë mes Greqisë dhe Konispolit”, konstaton trupi gjykues.
“Trupi gjykues krijoi bindjen se nëpërmjet veprimeve të njëpasnjëshme lidhur me blerjen e kësaj pasurie, ka pasur përpjekje për fshehjen e të vërtetës lidhur me këtë pasuri duke e konsideruar pasuri të fshehur të subjektit të rivlerësimit”, citohet në vendim.
Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në shumën 5 milion e 547 mijë lekë për krijimin e pasurive dhe kryerjen e investimeve. /BIRN/