Në një studim të ri të botuar në revistën “Astrobiology”, Alfonso Davila nga “NASA Ames Research Center”, analizon gjasat që jeta mikrobike të jetë transferuar midis Tokës dhe Marsit, dhe domethënien e saj mbi përpjekjet për të zbuluar jetën në Planetin e Kuq.
Tema po trajtohet tamam në kohë, teksa sonda“Perseverance”e NASA-s ka nisur të kërkojë prova fosile në Kraterin Jezero, dhe kur Agjencia Evropiane e Hapësirës po përgatit lëshimin e sondës së saj “Rosalind Franklin Mars” vitin e ardhshëm.
Të dy sondat janë në kërkim të shenjave të jetës në terrenin antik marsian, që sipas një tjetër studimi të Alan Treimanit nga Instituti Hënor dhe Planetar në Hjuston, kishte 3 episode të dallueshme të banimit të mundshëm.
Puna e Treiman mbështet atë të Davilës, në aspektin që çdo transferim i jetës mikrobike nga një planet në tjetrin – një proces i njohur si panspermia – ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur në të njëjtën kohë, në fillim të historisë së planetit Mars. Në atë kohë ishin të favorshme jo vetëm kushtet mjedisore, por edhe shkëmbimi i asteroideve midis Tokës dhe Marsit ishte shumë më i shpeshtë sesa sot.
Davila mendon se biokimia e çfarëdolloj forme të supozuar të jetës marsiane, do të varet nga koha kur ndodhi panspermia. Nga ana tjetër kjo ndikon në metodën e zbulimit të jetës që është më e përshtatshme për t’u përdorur. Nëse shkëmbimi do të ketë ndodhur para se Paraardhësi i Fundit Universal i Përbashkët (LUCA) i jetës të shfaqej në Tokë, gjasat e një transferimi do të ishin të larta.
Por shanset që organizma të tillë primitivë, të cilët mund të mos kishin “shpikur” ende ADN-në, t’i kenë mbijetuan udhëtimit janë shumë të pakta. Nëse do të mbijetonin, këto forma të jetës (tani) Marsiane – ose para-jetës – duhej të ndanin një bazament të përbashkët biokimik me jetën në Tokë.
Por mund të ishin edhe shumë të ndryshme, pasi ato do të kishin ndjekur trajektore të veçanta evolucionare. Dhe kjo ndikon mbi diapazonin e studimit tonë të fundit për kërkimin e “jetës” në Mars. Shansi më i madh që panspermia të ketë pasur sukses, do të ketë qenë i menjëherë pas evoluimit të LUCA-s, rreth 3.9 miliardë deri në 3.5 miliardë vjet më parë.
Gjatë asaj kohe shkëmbimi i masës planetare për shkak të bombardimeve të asteroideve ishte shumë i lartë, dhe bakteret ose arkeat që jetonin në Tokë, ishin mjaftueshëm të fuqishme për t’i mbijetuar udhëtimit në hapësirë. Dhe çdo i porsaardhur nga Toka, do të kishte gjetur një mjedis të banueshëm në Mars.
Pas rreth 3.5 miliardë vitesh, panspermia do të kishte më pak të ngjarë të ndodhte, pasi sasia e materialit të shkëmbyer ndalet shpejt, dhe shumica e Marsit u bë shumë më pak e banueshme. Por mund të mos ketë qenë e pamundur.
Në rast se transferimi do të ndodhte pas LUCA, do të ishin krijuar funksionet e jetës, dhe ne nuk do të prisnim shumë ndryshime biokimike pas mbërritjes në Mars. Nëse gjejmë prova fosile të jetës marsiane, atëherë mund të jemi në gjendje që t’i vendosim ato diku në pemën e jetës së Tokës.
Sa më vonë që të ndodhë panspermia, aq më shumë organizmat marsiane do të ishin të ngjashme me ato në planetin tonë. Sigurisht, ekziston ende mundësia që jeta të zhvillohet e pavarur në Mars. Në atë rast, biokimia mund të jetë mjaft e ndryshme në të dy planetët, gjë që do të ishte skenari më sfidues (por edhe më emocionues) për zbulimin e jetës.
Atëherë, cili drejtim i panspermisë ishte më i mundshëm? Bazuar në vlerësimet e dhëna në studimin e Davilës, një transferim gurësh që përmbante mikroorganizma të vlefshëm nga Marsi në Tokë, do të ishte gati 100 herë më i shpeshtë sesa nga Toka në Mars! Dhe këtu supozojmë që shkëmbi transferues të kishte një diametër prej të paktën 3 metrash, mjaftueshëm për t’i mbrojtur mikroorganizmat e fjetura nga rrezatimi gjatë udhëtimit të tyre ndërplanetar që do të zgjaste deri në 10 milion vjet.
Kjo sepse graviteti i dobët në Mars, e bën më të lehtë që shkëmbinjtë të arratisen nga planeti, dhe ata natyrshëm do të “bien” gravitacionalisht përbrenda Diellit (dhe Tokës). Gjithashtu, Marsi duhet të ketë qenë i banueshëm para Tokës, pasi duke qenë më larg Diellit, ai u ftoh më shpejt dhe nuk përjetoi të njëjtin ndikim shkatërrues që krijoi Hëna tek Toka.
E gjithë kjo bëri që Xhosef Kirshvink dhe Benxhamin Ueis, që të dy nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni, të arrinin 20 vite më parë në përfundimin se paraardhësit tanë të largët mikrobikë ka shumë të ngjarë të vijnë nga Marsi, dhe jo e kundërta. Unë mendoj se ka shumë shanse që ata të kenë të drejtë!