Abuzimet seksuale kryesisht me të mitur janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë, ku rasti i abuzimit në grup me një të mitur në Lezhë, na solli dhe njëherë në vëmendje, nevojën alarmante të reagimit shoqëror, familjar e të insitucioneve.
Në vitin 2020 në Shqipëri janë regjistruar 32 736 vepra penale, nga të cilat 146 janë krime seksuale, ndërsa as për 2021 nuk kanë munguar raste të tilla.
Faxnews ka sjellë në vëmendje 5 raste të abuzimit me të mitur, që nisin nga familjarë, mësues, apo punonjës insitucionesh, ndërsa psikologia Besmira Muçaj shprehet se numri i denoncimeve ka ardhur në rritje.
Në materialin që do të ndiqni në vijim, janë përfshirë pesë histori të ndryshme të abuzimeve seksuale me të mitur. Bëhet fjalë për histori dhe denoncime reale, që jenë referuar në organet kompetente, ndërsa emrat e të dëmtuarve nuk janë real për çështje të ruajtjes së anonimatit.
Bëhet fjalë për një 12 vjeçare të abuzuar nga mësuesi i saj, një tjetër vajzë të mitur po të kësaj moshe të abuzuar nga bashkëmoshatarët, një të mitur që ka dyshime të jetë abuzuar nga i ati, një 16 vjeçare që ka denoncuar vëllain si dhe një grup adoleshentësh që kanë denoncuar një punonjës bashkie.
Theksojmë se emrat e personazheve konkrete që do të përmendim në këtë material për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe anonimatit, nuk janë të vërtetë, ndërsa historitë po.
RASTI I PARE BLERINA është ndër të rrallët që është bërë publik edhe në media. 12 vjeçarja jetonte në një fshat në Jug të Shqipërisë ndërsa ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare. Familja jetonte në kushte tepër të vështira ekonomike. Ajo përbëhet nga nëna, babai dhe një motër më të vogël në moshë. Blerina kthehej nga shkolla mjaft e shqetësuar, e trembur dhe e mërzitur. Por nuk kaloi shumë kohë dhe iu tregon prindërve dramën e saj, se mësuesi i shkollës e ngacmonte dhe abuzonte seksualisht me të.
Ka qenë një qytetar që ka referuar dyshimet e tij ndërsa rrethi u zgjerua dhe u bë një bashkëbisedim mes specialistëve të fushës dhe prindërve, ku u zbuluan dyshime të forta për ngacmim seksual. Historia mund të ketë përvijuar ndoshta edhe për disa vite rresht.
Ambientet ku dyshohet se është kryer abuzimi kanë qenë shkolla dhe klasa e vajzës, ku mund të ketë pasur edhe bashkëmoshatarët të të miturës viktima apo dëshmitar të kësaj dhune. Sipas prindërve, Blerina nuk kishte marrë asnjë shërbim psikologjik të specializuar pasi e mitura nuk e ka pranuar, duke kërkuar të kishte një psikolog vajzë ndryshe nga një psikolog djalë që iu afrua.
Pavarësisht kërkesave të prindërve në pushtetin lokal, ky i fundit sipas dëshmive nuk ka shfaqur interes për të dhënë shërbimin e mundur social për Blerinën. Ekspertiza mjeko-ligjore nuk rezultoi në kryerjen e një akti të mirëfilltë seksual, por në kryerjen e ngacmimeve seksuale dhe veprave të turpshme, duke dërguar çështjen në Gjykatën e Rrethit në një qytet të vogël në Jug të Shqipërisë.
Procesi gjyqësor vijoi zvarritjen, ndërsa shkolla bëri pezullimin nga puna të mësuesit. Që në seancën e parë gjykata vendosi çuditërisht për këtë të fundit të hetohej në gjendje të lirë. Vajza vijonte të jetonte në fshatin e thellë pa infrastrukturë e mundësi të thjeshtë kontakti me autoritetet dhe psikologët. Prindërit kërkuan vazhdimisht zhvendosjen e vendnbanimit për shkak të gjendjes së rënduar të të miturës, sjelljes sigmatike të komunitetit dhe hetimit në gjendje të lirë të abuzuesit. Si prindërit ashtu edhe e mitura nuk pranuan të zhvendoseshin në një qytet të afërt me vendbanimin e tyre. Gjykata sipas familjarëve ka vendosur disa herë në favor të abuzuesit për më tepër që seancat zvarriteshin pa fund.
Prokurori i çështjes kishte kërkuar “Arrest me burg” për mësuesin, kërkesë e hedhur poshtë nga gjykata, ndërsa prokurori nuk bërë apelim pas kësaj. Procesi gjyqësor vijon të trajtohet edhe ditën e sotme ndërsa mësuesi është i lirë.
Blerina sot jeton tek disa të afërm larg shkollës dhe fshatit ku ndodhi dhuna, por sërish ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike dhe larg prindërve të saj. Prindërit e vajzës kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për bashkimin e familjes si dhe zhvendosjen larg qendrës së banimit ku vajza është abuzuar.
RASTI I DYTË ËSHTË ELMA, e cila ka të njëjtën moshë me Blerinën, vetëm 12-vjeçe dhe prej vitesh jetonte në një qendër rezidenciale për fëmijë. Nëna e kishte vendosur në këtë qendër për shkak se nuk kishte të ardhura që ti siguronte kushtet minimale të jetesës. Për 6 vite vajza shkonte në shkollë dhe pjesën tjetër të ditës e kalonte pranë qendrës ku strehohej bashkë me shumë fëmijë të tjerë.
E mitura nisi të shfaqte shenja të nervozizmit në takimet me të ëmën por edhe dhunë. Na takimet me psikologen, Elma ishte e papërqëndruar, shprehte dhunë dhe neglizhencë ndaj djemve. Medje kishte shkuar disa herë edhe drejt tentativës së vetëvrasjes. Vajza nisi të tregojë se gjatë qëndrimit në qendrën rezidenciale, është keqtrajtuar fizikisht, ka pësuar bullizëm, është ngacmuar dhe abuzuar seksualisht nga djemtë e qendrës.
Nëna e të miturës ishte pa punë dhe nuk kishte as një banesë të sigurt apo një mundësi për të paguar qeranë e shtëpisë.
AKTUALISHT ELMA vijon të paraqesë situatë delikate, ndërsa ka ende të nevojshme monitorimin dhe këshillimin nga psikologu. Ndërsa shtimi i kujdesit për të bijën, detyron nënën të lërë punën duke u rikthyer sërish në situatën e mëparshme.
RASTI I TRETË DHE I KATËRT JANË FIONA DHE LEA. Fiona ndjek vazhdimisht shkollën 9-vjeçare në një fshat në Veri të Shqipërisë, ka probleme të theksuara ekonomike. Ajo jeton me prindërit e saj, motrën dhe vëllain më të vogël. Babai i të miturës është diagnostifikuar me “çrregullime psikotike të paspecifikuara”, ndërsa vetë e mitura vuan nga një “prapambetje e moderuar mendore”.
Vajza është e heshtur, e mbyllur në vetvete dhe për shumë kohë qëndron e mbyllur në banesë. Ajo ia ka treguar infermierës se për shkak të kushteve ekonomike, fle në një dhomë dhe në një krevat me të atin, ndërsa e ëma me dy fëmijët e tjerë.
Po ashtu, Fiona tregon se zgjohej në orët e para të mëngjesit dhe qëndron me babain e saj duke luajtur apo mbyllur në dhomë për një kohë shumë të gjatë.
Infermierja e diskuton këtë temë me drejtorin e shkollës dhe ishte ky i fundit që e denoncoi rastin në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe më pas kjo e fundit ia përcolli Punonjëses për Mbrojtjen e Fëmijëve. Rasti është duke u ndjekur nga autoritetet ndërsa ende nuk ka një pistë zyrtare nëse e mitura është abuzuar apo jo nga prindi.
Lea është 16 -vjeçe, dhe jeton në një fshat të Shqipërisë së Mesme me një familje e përbërë nga 8 fëmijë, prej tyre 4 motra dhe 4 vëllezër si dhe 2 prindërit.
Edhe kjo familje vuan në kushte të vështira ekonomike. Për këtë prindërit punojnë me orë të zgjatura që t’ju sigurojnë jetesën fëmijëve e kjo i lë larg tyre shumë gjatë.
Lea njihet dhe lidhet me një djalë të moshës saj, iu tregojnë familjeve përkatëse dhe e bëjnë fejesën e tyre zyrtare. Por pas kësaj, e mitura i tregon të fejuarit historinë dramatike të jetës, që kishte qenë abuzuar nga vëllai i saj më i rritur, 19-vjeç.
I fejuari pasi dëgjon historinë, vendosë të shkëpusë marrëdhënien me Lean, dhe kjo e fundit duhet të përballet me 2 drama, prishjen e fejesës dhe sfidën ligjore më të vëllain abuzues.
Kthehet në familje dhe vendos të denoncojë të vëllanë duke kërkuar personalisht dënimin e tij. Policia vendosi në pranga 19-vjeçarin, ndërsa e mitura dërgohet në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve.
Mamaja e Leas ka pohuar se kishte dijeni për abuzimin mes fëmijëve të saj. Lea ishte e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur dhe shprehej lirshëm. Ajo thotë se më parë nuk ka pasur abuzime seksuale nga i vëllai dhe se kishte qenë një rast i shkëputur. Aktualisht e mitura është rikthyer në familjen e saj në vendin e origjinës, ndërsa vëllai abuzues është prapa hekurave.
Pavarësisht se në këtë histori janë përfshirë shumë aktor, urojmë që hetimet të tregojnë të kundërtën e asaj që dyshohet. Por Fiona nuk është rasti i parë dhe i vetëm i këtij lloji, çfarë ndodh brenda mureve të atyre banesave ku jetojnë fëmijë të tillë?
RASTI I PESTE GREGU: Është ndryshe, ai i një punonjësi administrate që jo vetëm shpërdoron detyrën, por e përdor atë për të krijuar njohje dhe kontakte të reja, që fakteqësisht janë me të mitur dhe për arsye abuzuese.
Ai ngacmonte seksualisht adoleshentët të cilët tregojnë se zyrtari i bashkisë i kontaktonte me telefon fillimisht për aktivitete të bashkisë dhe rinisë në shkollat e tyre, dhe më pas niste të kërkonte afrim dhe njohje përtej zyrtares.
Mesazhet filluan të kthehen në ngacmime seksuale, çfarë i shqetësoi nxënësit. Gregu punonte si koordinator për organizimin e aktiviteteve të ndryshme social-kulturore me të rinjte dhe adoleshentët e shkollave të mesme të qytetit.
Shpesh i vizitonte këto ambiente si zyrtar i bashkisë, duke krijuar kontakte direkte me adoleshentët, kryesisht vajza por jo vetëm. I ftonte për marrëdhënie me të ngrohta dhe private dhe miqësore, përmes mesazheve në celular, rrjeteve sociale, whatsapp, viber etj.
Adoleshentët kryen një takim me zyrtarët e bashkisë, por hasën në mospërfillje institucionale. Ndaj Gregut nuk u mor asnjë masë. Nxënësit mblodhën mesazhet e papërshtatshme të Gregut dhe biseda që provonin ngacmimet e vazhdueshme, madje duke i vendosur edhe pseudonimin “pedofili”.
Aktualisht Gregu është shkarkur nga detyra ku nuk ka asnjë kontakt me fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa drejtësia ka pushuar hetimin ndaj tij. Përveçse ekziston realisht mundësia që Greg të ketë shkelur Nenin 108/a të Kodit Penal, ka dyshime që nga këto ngacmime dhe kontakte të vazhdueshme me fëmijët dhe të miturit, ai mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale.