Nga Boldnews.al
Të gjithë ata që shesin buzë rrugëve nacionale apo dytësore, me shpresën se do të nxjerrin ndonjë të ardhur për familjen, tani e tutje nuk do të guxojnë të dalin. Për kryeministrin tonë, ata janë një e keqe e madhe e vendit, sepse i prishin imazhin turizmit.
Nuk do të shohim më fshatarë që rrinë në pikun e diellit për të shituar ato pak produkte bujqësore. Nuk i duhen vendit këta “katundarë” që me koshiencën e tyre po dëmtojnë shtetin dhe mbi të gjitha prishjen e imazhit të pushtetit. Dhe po u prish qoftë edhe për pak imazhi i qeverisë dhe i bie propaganda, është bërë një “krim i madh”, që ndëshkohet rëndë.
Çfarë do të mendojë një turist i huaj, që po kalojnë pushimet në një vend të varfër? “Kjo është një gjëndje e trashëguar, por ka akoma vende ku tregëtohen materiale ndërtimi, vaska, pemë dhe kjo duhet të marrë fund. Të paktën duhet të respektojnë për aq sa është e lejueshme, të lejojnë shtetin që të krijojë brenda mundësive një imazh sa më të kulluar, të këtij vendi që quhet turistik”, u shpreh Rama.
Kushdo të jesh, edhe ti votues i PS-së, nuk ka vend për tezgën tënde. Aq më tepër për ty që të kullon në djersë nga lodhja. Duhet një nëpunës Rilindje që të mbyt në erën e parfumit të rëndë që të thithë turizmin elitar… Ashtu i dërmuar dhe i bërë flakë në trup e fytyrë nga dielli çdo individ në hallin e tij si një mal mbi supe nuk përfaqëson “shqiptarin imagjinar” që ka në mendje Rama. Dhe ai i di mirë këto punë, sepse ka marrë mandatin e tretë dhe fjala e tij është ligj. Gjatë fushatës, duke bredhur cep më cep të vendit e konstatoi vetë se në buzë të rrugëne nacionale dhe dytësore kishte plot të vorfën që shisnin në disa tavolina të vjetëruara dërrase. Pse kjo është Shqipëria që shet Rama?
Tashmë pritet që të gjithë të zhduken dhe kush tenton të vendosë sërish tezgën buzë rrugës do ja flakin me dhunë punonjësit e policive bashkiake apo ata të rendit. E në guxofshin që të kthejnë fjalë, ashtu siç janë vende ka plot në komisariate për këtë kategori. Sepse edhe komisariatet janë mbushur plot me ndonjë shitës ambulant që rrihet e fyhet nga policia bashkiake, apo për banorë të zonave rurale që ka ndërtuar një avlli shtëpie pa leje.
Të gjithë këta nuk duhet të dalin në rrugë, se prishin “sytë e turiztëve”. Për Ramën Shqipëria është një vend i begatë dhe kushdo që shet në rrugë nga halli nuk ka hall të mbajë familjen, por të prishin imazhin e botës surreale të kryeministrit. Në fakt kjo është Shqipëria e vërtetë, më shumë banorë që mezi mbajnë frymën gjallë dhe mundohen që ato pak produkte bujqësore ti shesin, për të ushqyer gojët e tjera që në shumë raste janë fëmijë të mitur. Kjo e vërtetë nuk shihet dhe nuk duan që ta shohin…
Për Rilindjen ata mund të jenë me “qëllime” dashakeqe. Mund t’i kenë paguar konkurrentët tanë në turizëm që disa persona të “veshur si fshatarë të lodhur” të dalin rrugëve dhe largojnë turistët elitë që e kanë kthyer Shqipërinë si një vend për tu vizituar, ose “Dubai Evropian”…! Ik fshatar, të urdhëron pushteti!