Parisi po gumëzhin edhe një herë nga zërat lidhur me ambiciet politike të ushtrisë franceze, 60 vite pasi udhëheqësi simbol i Francës Charles de Gaulle ia doli të ndalë një grusht shteti nga gjeneralë të pakënaqur, të zemëruar me vendimin e tij për t’u tërhequr nga Algjeria.
Media dhe politika u dominua gjatë javës së kaluar nga pasojat e një letre të hapur hartuar nga një ish-kapiten xhandarmërie, që pretendon se Franca po përballet me “rreziqe me pasoja të rënda” duke paralajmëruar se ai dhe disa ish-ushtarakë, “nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj fatit të vendit tonë të bukur”.
Letra është nënshkruar nga më shumë se 2,000 ish-ushtarakë mes tyre gra, si dhe një numër gjeneralësh në pension. Ata paralajmërojnë se Franca ndodhet në “rrezik” nga “islamizmi dhe grupe të mëdha e të paorganizuara në periferi”. Nënshkruesit thonë se “ata që drejtojnë vendin duhet të gjejnë guximin e nevojshëm për t’i zhdukur këto rreziqe”.
Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen e përqafoi menjëherë këtë qëndrim. Të dielën ajo akuzoi Presidentin francez Emmanuel Macron se po e çonte Francës drejt kaosit, dhunës dhe rënies ekonomike.
Zhurma politike e nxitur nga letra publike, e cila u botua në përvjetorin e gjashtëdhjetë të përpjekjes për grusht shteti të vitit 1961 kundër Charles De Gaulle-t, po hedh bazat për zgjedhje problematike presidenciale vitin e ardhshëm.
Zonja Le Pen, e cila ndodhet në pozita te forta për të mposhtur zotin Macron në zgjedhjet e vitit 2022, u ka kërkuar nënshkruesve të letrës të mbështesin kandidaturën e saj në zgjedhjet presidenciale, gjë që ka nxitur një ministre të qeverisë, Marlène Schiappa, ta akuzojë atë (Le Pen) “se po mbështet një puç të mundshëm”.
Sipas një sondazhi të kompanisë “Harris Interactive” 58% e popullsisë franceze ndajnë pikëpamjet e shprehura nga ushtarakët e pakënaqur. Po sipas sondazhit, 49% besojnë se do të ishte e drejtë që ushtria të ndërhynte për të ruajtur rendin në rrethana të caktuara “edhe nëse qeveria nuk e kërkonte një gjë të tillë”.
Sipas shefit të shtabit të forcave të armatosura të Francës, tetëmbëdhjetë ushtarë në shërbim që mbështetën paralajmërimin për rrezikun e një “lufte civile” në Francë do të përballen me ndëshkime për shkelje të rregullave të ushtrisë që kanë të bëjnë me të qenit politikisht asnjanës.
Gjenerali François Lecointre thotë se do të ketë gjithashtu ndëshkim shembullor për gjeneralët dhe oficerët e tjerë në pension që kanë nënshkruar letrën, duke përfshirë një ndalim të mundshëm të veshjes së uniformave në raste ceremoniale dhe madje ulje të pensioneve të tyre.
Kritika politike
Disa nga nënshkruesit e letrës, e cila paralajmëronte se “Franca ndodhet në rrezik”, kanë lidhje me lëvizjet kundër imigratëve. Nënshkruesit pretendojnë se disa qytete franceze janë shndërruar në zona të “paligjshmërisë” që po lëkundin themelet e Republikës Franceze dhe ata qortuan politikanët se po tregojnë drojë ndaj situatës.
Përplasjet mbi ndërhyrjen e rrallë në politikë nga figurat ushtarake shërbyen si sfond për festimet e dhunshme me rastin e 1 Majit kur sindikalistët u sulmuan nga protestues të maskuar, disa prej të cilëve besohet se i përkisnin grupeve anarkiste. Më shumë se 20 sindikalistë dhe një oficer policie u plagosën gjatë përplasjeve të dhunshme.
Fjalimi i zonjës Le Pen gjatë ditës së 1 Majit u përqëndrua në tema për të cilat fliste letra e hapur. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë denoncoi publikisht “krimin e trazirat urban” dhe paralajmëroi kaos, që siç tha ajo do të përkeqësohej nëse zoti Macron rizgjidhej. Ajo u doli në mbrojtje të nënshkruesve të letrës, duke thënë se ata nuk kishin bërë asgjë të keqe përveçse kishin “dhënë alarmin pasi kanë shpenzuar”, siç tha ajo, “një jetë të tërë në shërbim të kombit”.
Partitë kryesore të Francës e denoncuan menjëherë letrën. Kryeministri Jean Castex tha se ndërhyrja politike nga figurat ushtarake shkel parimet e republikës si dhe “nderin e detyrën” e ushtrisë. Benoit Hamon, kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet e fundit presidenciale, thotë se letra përbën një “kërcënim për grusht shteti”.
Ministrja e Mbrojtjes Florence Parly tha se dy “parime të pandryshueshme” duhet të drejtojnë veprimet e anëtarëve të ushtrisë në lidhje me politikën: “neutraliteti dhe besnikëria”.
Identiteti
Përplasjet politike në vend kanë nxitur akademikun e shquar Pascal Perrineau të paralajmërojë se, “Franca ndodhet në një situatë të rrezikshme”. Në një intervistë për gazetën “Les Echos”, eksperti i njohur i shkencave politike tha se Franca po përfshihet nga tre kriza, ajo socio-ekonomike, kriza shëndetësore si dhe ajo që ka të bëjë me vlerat kulturore dhe se çfarë do të thotë të jesh francez.
“Francezët nuk bien më dakord rreth asaj se çfarë e bën Francë ajo që është“, thotë ai. “A besojmë ende tek një republikë e organizuar sipas parimit të laicitetit (parimit të ndarjes së qeverisë nga feja)? A po përshtatemi në një shoqëri në të cilën bashkësi të ndryshme bashkëjetojnë? Ky është një debat i thellë, një çarje tejet e thellë mbi vetë karakterin e Francës”.
Letra e hapur e ushtrisë ka nxitur debatin, ndërkohë të nxehtë e të vazhdueshëm, rreth asaj që do të thotë të jesh francez. Nënshkruesit identifikuan tre prirje të cilat, siç thonë ata, do të çojnë në shpërbërjen e Francës, anti-racizmin, islamizmin dhe sulmet ndaj policisë. Autorët thonë se lëvizjet anti-racizmit paraqesin një kërcënim sepse “ato fshehin fanatikët e urryer që duan të fillojnë një luftë raciste”.
Zoti Macron nuk është udhëheqësi i vetëm evropian që është bërë subjekt i kërcënimeve nga ushtria. Vitin e kaluar ish-anëtarët e forcave të armatosura të Spanjës botuan gjithashtu një letër të hapur duke akuzuar qeverinë e pakicës të udhëhequr nga socialistët se po kërcënonte unitetit kombëtar. Letra e nënshkruar nga 271 ish-ushtarakë, mes tyre dy ish-gjenerale dhe një admiral, u publikua disa ditë pasi ishte zbuluar se dhjetëra oficerë në pension, që kishin shpërbyer në forcën ajrore, kishin diskutuar për nxitjen e një grushti shteti. /VOA/