Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ndoc Tushës me origjinë nga Fush-Arrëzi i cili në shtatorin e vitit 1953, së bashku me katër shokë të tjerë, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se “kishin qeshur në mitingun e mbajtur në qytetin e tyre me rastin e vdekjes së Stalinit” dhe u dënuan me burgime të rënda, duke filluar nga 18 vjet për “kryetarin e grupit”. Dëshmia e rrallë e Ndoc Tushës, që nga origjina e familjes që e kishte në gen mjeshtërinë e gdhendies në dru, arrestimin dhe vitet e burgut në Kampin e Bulqizës e Burgun e Artizanatit në Tiranë, si dhe periudhën pas burgut, kur ai u stabilizua në qytetin e Shkodrës, ku me ndihmën e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, Mëhill Doçit, ai u punësua në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe vitrina e dyqanit të tij afër ‘Kafes së Madhe’, pas Kalasë së Rozafatit, ishte vendi më i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj dhe në atë kohë, me porosi të udhëheqjes së lartë nga Tirana, ai përgatiti të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë, për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës.
Nga Dashnor Kaloçi
Aty nga viti 1961 pasi unë u lirova nga burgu politik, me ndihmën e shefit të seksionit të Industrisë, Nikolla Papamitit me origjinë nga Gjirokastra, dhe kryetarit të Komitetit të Ekzekutiv të Rrethit të Shkodrës, Mëhill Doçit, m’u hap menjëherë vendi i punës në mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë. Deri në vitin 1965 unë punova në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe në atë kohë, pas Kalasë së Rozafatit, vitrine e dyqanit tim aty afër Kafes së Madhe ku kisha ekspozuar afro 180 lloj punimesh, ishte vendi më i vizituar nga të gjithë turistët vendas dhe të huaj që vinin në qytetin e Shkodrës. Gjatë atyre viteve unë kam përgatitur të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës.
Vetëm për Enver Hoxhën unë kam përgatitur mbi 60 punime, sipas porosive që kisha nga Komiteti i Partisë, duke e bërë atë në pozicione të ndryshme, vetëm apo me Mao Ce Dunin, Çu En Lain etj. Në atë kohë që vitrina e dyqanit tim u bë vend “peligrinazhi”, Sigurimi i Shtetit caktoi një nga kuadrot e tij civilë, i cili më survejonte rregullisht gjatë gjithë kohës që aty vinin turistë, duke parë se mos unë hyja në lidhje të ndryshme me ta.
Edhe pse gjatë atyre 30 e sa viteve që punova në atë zanat në qytetin e Shkodrës krijova një simpati të thellë në popull dhe tek disa kuadro të lartë, disa herë u rrezikova të dënohesha përsëri për “agjitacion e propaganda” nga Sigurimi apo kolegë dashakeq e cmirëzinj. Njëri prej tyre ka qenë piktor I dekorit, F. A., i cili erdhi në dyqanin tim dhe pasi e mori fshehurazi portretin e pambaruar të Enver Hoxhës, e dërgoi atë tek Sekretari i Parë, Sulejman Baholli, duke i thënë se sa keq e kisha bërë”.
Kështu kujtonte për gazeta TemA, Ndoc Tusha, njëri nga mjeshtrit më të famshëm në Shqipëri të aplikimit të pikturës me kashtë, i cili tregonte për herë të parë të gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga dënimi me dhjetë vite burg në qytezën e Fush – Arrëzit, i akuzuar se kishte qeshur kur kishte vdekur Stalini dhe më pas në qytetin e Shkodrës, ku disa herë i’u bënë gati prangat nga Sigurimi i Shtetit. Kush është Ndoc Tusha dhe cila është origjina e familjes së tij?
Ku e vuajti ai dënimin prej 10 vitesh dhe si e mësoi ai mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë? Cilët ishin njerëzit që e ndihmuan atë në qytetin e Shkodrës dhe ata që kërkonin ta rifusnin përsëri në burg? Në sa vende të botës ka hapur ekspozitat e tij Ndoc Tusha dhe cilat janë punimet që ish-kryeministri Pandeli Majko, ia mori për t’ja dhuruar Papës së Romës, Gjon Pali i Dytë? Lidhur me këto e plot fakte e ngjarje nga jeta e mjeshtrit të famshëm, na njeh intervista e tij në këtë shkrim.
Zoti Ndoc, cila është origjina e familjes suaj dhe ku keni lindur?
Familja jonë është me origjinë nga rrethi i Pukës dhe në atë vend kam lindur edhe unë në vitin 1935.
Kur keni filluar ta ushtroni për herë të parë zanatin tuaj?
Për herë të parë unë kam filluar të ushtrohem në këtë zanat që në moshën të vogël kur ne banonim në qytetin e Pukës dhe shkas për këtë gjë u bë rrethi im familjar, i cili e kishte atë gjë të trashëguar nga të parët tanë. Sa për kuriozitet po ju them se mjeshtrinë artistike të gdhendjes në dru, qëndistarisë në veshjet e kostumet kombëtare, punë dore etj., shtëpia jonë e ka pasur si traditë prej më shumë se 300 vitesh, gjë të cilën e vazhdova dhe unë ashtu sit ë gjithë pjestarët e tjerë të familjes sime.
Po babai juaj, e ka pas ushtruar këtë mjeshtëri?
Përveç babait tim Prend Tusha ishte specialist si marangoz e karpentier, të gjithë pjestarët e tjerë të familjes, si dy axhat e mi, e nuset e bijat e shtëpisë sonë, janë marrë rregullisht me mjeshtërinë e gdhendjes në dru dhe qëndistarinë në veshjet kombëtare, etj. Ato bënin çdo lloj punimi artistik, nga veshjet e deri tek punimet në dru, si tavane, furka, djepe, arka (sënduqe) nusesh etj. Në shtëpinë tonë që prej kur s’mbahet mend, janë bërë rregullisht të gjitha kostumet kombëtare të krahinës sonë. Në këtë traditë familjare, siç thashë më lart, u rrita dhe edukova edhe unë, duke e filluar që në moshën shtatë vjeçare të bëja punime në dru, si lodra fëmijësh etj.
Ku jeni shkolluar dhe kur keni filluar punë për herë të parë?
Unë mësimet e para i kam marrë në vendlindjen time dhe më pas shkollën e mesme e kam përfunduar në qytezën e Fushë – Arrëzit, pa shkëputje nga puna. Në vitin 1948, kam filluar për herë të parë punë në ndërmarrjet shtetërore në Fush – Arrëz, duke shërbyer si shitës buke, banakier dhe përgjegjës sektori, në Tregti. Me ato punë jam marrë deri në qershorin e vitit 1953, kur më arrestuan dhe më dënuan me dhjetë vjet heqje lirie, me akuzën e agjitacionit dhe të propagandës.
Si ndodhi arrestimi juaj dhe më konkretisht, përse ju akuzuan?
Më 24 qershor të vitit 1953 mua dhe katër të rinj të tjerë nga Fush – Arrëzi, na arrestuan duke na akuzuar se kishim qeshur në mitingun që ishte bërë në qytetin tonë në marsin e atij viti me rastin e vdekjes së Josif Visarianoviç Stalinit. Përveç kësaj, mua më akuzuan se gjoja kisha pasur dijeni edhe për aratisjen nga Shqipëria të dy të afërmeve të mi, Dedë dhe Pashk Tusha, të cilët ikën jashtë shtetit. Akuzën më të rëndë nga të gjithë pjestarët e grupit e kisha unë, ndonëse gjatë gjithë periudhës dy-tre mujore të hetuesisë, nuk e pranova atë gjë në mënyrë kategorike.
Ishte e vërtetë akuza që ju bëhej juve të katërve që kishit qeshur në mitingun me rastin e vdekjes së Stalinit?
Në mënyrë absolute ajo akuzë që më bëhej mua dhe pjestarëve të tjerë të grupit nuk kishte asgjë të vërtetë, por ajo ishte sebepi i arrestimit dhe dënimit tim, në shenjë hakmarrje për arratisjen e dy të afërmeve. Por nuk ishte vetëm kjo gjë që më rëndonte mua në atë kohë, pasi biografia ime kishte filluar të nxihej kohë më parë, me pushkatimin e kushëririt tonë, Prek Shtjefën Tushës.
Kur dolët në gjyq dhe sa ju dënuan?
Gjyqi ndaj meje dhe katër pjestarëve të tjerë të atij të ashtuquajtur grup, u zhvillua në qytezën e Fush – Arrëzit aty nga fundi i shtatorit të vitit 1953 dhe ai u bë një gjyq publik, apo shembullor siç thuhej asokohe. Seancat gjyqësore zgjatën për tre ditë me rradhë dhe në përfundim, prokurori në pretencën e tij kërkoi 15 vite burg politik për mua, ndërsa gjykata ma la dënimin me 10 vite burg. Po kështu dënime të rënda morën dhe katër pjestarët e tjerë të “grupit”, ndonëse ata patën dhe akuza të tjera jo të karakterit politik, ashtu siç i kisha unë. Me 18 vite u dënua ai që u quajt kryetar, ndërsa tre të tjerët, me 15, me 8, e me 3 vite.
Ku e vuajtët dënimin?
Si fillim mua më dërguan në një nga burgjet e qytetit të Shkodrës dhe prej aty më çuan në spitalin e burgut, ku çuditërisht atje më trajtuan shumë mirë, ndonëse unë nuk e mësova kurrë se nga më vinte ajo gjë. Në atë kuadër, pra në trajtimin e mirë që më bëhej, mua më pyetën se ku kisha dëshirë që ta kryeja dënimin dhe unë u thashë se doja që të shkoja në Kampin e Bulqizës, pasi kisha dëgjuar se atje ishte trajtimi diçka më i mirë.
A ua plotësuan kërkesën?
Mua më dërguan menjëherë në Kampin e Bulqizës, ku punohej për nxjerrjen e mineralit të kromit nga thellësitë e nëntokës dhe temperaturat në stinën e dimrit aty arrin në minus dhjetë gradë nën zero. Unë nuk i dija ato kushte të vështira, ndaj kisha kërkuar që të shkoja atje, ku që në fillim më caktuan si Komandant të Brigadës së parë, pasi atje ishte organizimi njësoj si në repartet ushtarake. Aty në atë kamp ku punonin së bashku të dënuarit për faje politike me ato ordinere, (siç cilësoheshin ata që nuk ishin për politikë), unë mësova për herë të parë mjeshtërinë punimit të pikturës në kashtë.
Kush ua dha zanatin?
Aty në atë kohë ishte si i burgosur një shtetas grek, i cili u pushkatua në vitin 1959. Ai ishte mjeshtër i punimeve të pikturës me kashtë dhe kur e pashë një kornizë që kishte bërë ai, për një javë rresht nuk kam fjetur fare, duke menduar se si ta realizoja edhe unë atë gjë. Dhe i’a arrita shumë shpejt qëllimit, duke realizuar atë teknikë të aplikimit me kashtë, pothuaj njëlloj si ai, për të mos thënë më mirë. Them kështu, pasi që në realizimin e kornizave të para, unë pata shumë kërkesa nga efektivi i komandës së kampit dhe policëve të thjeshtë, të cilëve u’a realizova të gjitha, sigurisht duke u’a dhuruar pa asnjë shpërblim.
Sa kohë qëndruat në kampin e Bulqizës?
Në Bulqizë unë qëndrova deri në vitin 1957 dhe në atë kohë pasi u bë ndarja e të dënuarve, politikë dhe ordinerë, mua më sollën në Tiranë në Burgun e Artizanatit. Në atë kohë në atë kamp u hap reparti i punimeve me kashtë, ku ndër katër të dënuarit që u caktuan aty, unë isha më kryesori, pasi përveç kornizave, kisha filluar të bëja edhe piktura.
Sa kohë punuat në atë burg?
Me atë punë me të cilën isha bërë vërtet një mjeshtër, unë vazhdova të merrem deri më datën 11 janar të vitit 1961, kur më liruan nga burgu.
Pasi u liruat nga burgu, ku u vendosët?
Pasi u lirova nga burgu unë shkova në qytetin e Shkodrës dhe aty shpejt e shpejt përgatita 50 kampionë kornizash në kashtë, të cilat shkova dhe i dorëzova në zyrën e seksionit të Industrisë pranë Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Shkodrës, e cila në atë kohë drejtohej nga Nikolla Papamiti me origjinë nga Gjirokastra.
Si u pritën atje, çfarë ju thanë?
Edhe pse unë isha liruar nga burgu politik, shefi i Industrisë së rrethit dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Mëhill Doçi, i pëlqyen pa masë punimet e mija dhe brenda dy orëve, ata i dhanë urdhër Ndërmarrjes së Artizanatit që të më hapej vendi i punës. Kështu me porosi të tyre, për një vit mua më paguan me rrogë bazë, duke më lënë të punoja dhe krijoja repartin e aplikimit të punimeve me kashtë, në mënyrë që të mësoja të tjerët dhe të hapja shumë vende pune, pasi kërkesat për punësim në atë kohë ishin të mëdha. Për këtë gjë në atë kohë unë pata edhe ndihmën e pakursyer të nënkryetarit të Artizanatit e Metaleve, Fadil Hoxhës dhe Ali Haverit.