Nga BoldNews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka bërë përpjekje “titanike” për të justifikuar një seri të gjatë problemesh të konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit, para se të konfirmonte në detyrë gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, njëkohësisht kunata (motra e bashkëshortit) e drejtueses së institucionit të Vetingut, Pamela Qirko.
Probleme me justifikimin e pasurisë, mungesë burimesh financiare, një raport negativ mbi figurën dhe rreth 35 denoncime nga publiku dhe media, nuk kanë bindur trupën e drejtuar nga Olsi Komici, relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi, për penalizimin e magjistrates Bezati.
Pikëpyetjet mbi pasurinë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur pak ditë më parë vendimin e konfirmimit të gjyqtares së Apelit të Vlorës, të argumentuar në rreth 80 faqe.
Iliba Bezati dhe bashkëshorti i saj rezultojnë, ndër të tjera, pronarë të katër apartamenteve, tre prej të cilëve i ka përfituar nëpërmjet huave pa interes dhe dhurimeve, krahas kursimeve të krijuara prej detyrës si gjyqtare të subjektit të rivlerësimit dhe angazhimit si pedagog të bashkëshortit të saj.
Në përfundim të kriterit të pasurisë, KPK ka konstatuar se gjyqtarja Bezati nuk mbulon me burime të ligjshme një shumë prej rreth 600 mijë lekë të reja, e cila nuk është në nivelin e mjaftueshëm për shkarkimin e saj nga detyra.
Por, para se të arrihej në këtë konkluzion, trupa e rivlerësimit ka justifikuar paraprakisht disa aspekte të dyshimta në pasurinë e saj.
Në vitin 2005, gjyqtarja Bezati dhe bashkëshorti i saj porosisin një apartament me sipërfaqe 121.6 metra katrorë në Tiranë, me vlerë 60.800 euro. Sipas kontratës së porosisë, fillimisht janë paguar 60 mijë euro dhe më tej edhe pjesa e mbetur.
Për shumën 60 mijë euro, gjyqtarja Bezati deklaron se ka burim; shumën 1 milionë lekë, të krijuar nga shitja e pjesës takuese të saj në një apartament në bashkëpronësi me prindërit; 2.7 milionë lekë dhuratë nga prindërit e bashkëshortit; dhe 30 mijë euro të marra hua pa interes nga një shtetas.
Nga të dhënat e siguruara nga KPK, rezulton se gjyqtarja Bezati ka përfituar shumën 1 milionë lekë nga shitja e pjesës takuese të saj në apartamentin me prindërit një muaj para se të nënshkruhej kontrata e shit-blerjes.
Në raste të ngjashme, praktika e Komisionit të Vetingut dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e ka konsideruar këtë situatë si të dyshimtë për fiktivitet dhe janë shkarkuar më herët gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm.
Ndërsa, në rastin e gjyqtares Bezati, trupa e KPK-së ka pranuar argumentat e paraqitur prej subjektit të rivlerësimit.
Gjyqtarja ka shpjeguar se pjesën e saj takuese ua ka shitur prindërve të saj për shumën 1 milionë lekë. Por, në momentin që asaj i nevojitej kjo shumë, nëna e saj, si një prej blerësve, ishte në pamundësi fizike për shkak të problemeve shëndetësore.
Bezati sqaroi KPK-në se “Nëna ime ka pasur pamundësi shëndetësore për të lëvizur nga gjymtyrët për të lidhur kontratën e shitjes para noterit në momentin kur kjo shitje faktikisht u krye”.
Ajo jep edhe diagnozën e nënës së saj në atë kohë, “Luxacion escapulohumeral tendinit”, një sëmundje e cila gjithësesi nuk e pengonte gjykimin e kthjellët të nënës për të nënshkruar kontratën edhe në kushtet spitalore.
“Në marrëdhënie të posaçme siç janë ato prindër-bijë, bazuar në mirëbesimin reciprok mes njëri-tjetrit, prindërit më dhanë cash 1.000.000 lekë në fund të muajit tetor 2005, të cilat i dispononin nga të ardhurat e tyre ndër vite. Këtë shumë ma kanë dhënë pa kryer asnjë lloj formaliteti, as me atë me shkresë të thjeshtë, pasi kishim rënë dakord se sapo të bëhej mirë nga shëndeti mamaja, ne do të kryenim këtë veprim juridik para noterit”, citohet Iliba Bezati në vendimin e KPK-së.
KPK ka pranuar argumentin e gjyqtares, e cila shpjegoi këtë situatë që krijonte dyshimet e fiktivitetit.
Më tej, gjyqtarja Bezati ka deklaruar se ka blerë një apartament me vlerë 2.6 milionë lekë në Orikum të Vlorës. Si burim financiar, ka përmendur, ndër të tjera, edhe një kredi me vlerë 4.2 milionë lekë, pra gati sa dyfishi i çmimit të apartamentit.
KPK ka konstatuar problematika në këtë transaksion dhe ka kërkuar sqarime nga gjyqtarja.
Ajo deklaron se fillimisht kishte porositur një apartament në Vlorë, me vlerë 72 mijë euro dhe se për këtë kishte aplikuar së bashku me bashkëshortin për kredi.
Por, në të njëjtën ditë që banka disbursoi kredinë, bashkëshortët Bezati revokuan kontratën e porosisë për apartamentin 72 mijë euro, me argumentin e “arsyeve të ngutshme të bashkëshortit) të gjyqtares.
Me paratë e kredisë, Iliba Bezati bleu apartamentin në Orikum, me vlerë 2.6 milionë lekë, ndërsa pjesën tjetër e depozitoi në llogari bankare, nga e cila ka përfituar edhe interesa.
Këto veprime krijojnë dyshimet e “mashtrimit me kredi”, megjithatë trupa e Vetingut nuk rezulton të jetë ndaluar aspak për të analizuar këtë situatë.
Shuma e depozituar më pas ka shërbyer për rritjen e aseteve të familjes Bezati.
Pikëpyetje mbi figurën
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), dorëzoi pranë trupës së Vetingut një raport mbi papërshtatshmërinë e vijimit të detyrës së gjyqtares Iliba Bezati, pasi më herët kishte dorëzuar një raport pozitiv.
DSIK raportoi të dhëna, nga të cilat ngriheshin dyshime për veprimtari të kundërligjshme në vitet 2011 – 2012, në cilësinë e anëtares së një trupe gjykuese, që sipas informacioneve të klasifikuara kishte lehtësuar masën ndëshkuese ndaj një të pandehuri.
Por, KPK, ka kryer verifikime në një numër të konsiderueshëm dosjesh, si pjesë edhe e vlerësimit të kriterit profesional, nga ku konstatoi se “nuk ka ndonjë shkelje apo arsyetim i pabazuar që të mund të konfirmonte në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ekzistencën e ndonjë favorizimi të kryer nga subjekti i rivlerësimit në favor të personit të pandehur të cituar”.
“Mal” me denoncime
Komisioni i Pavarur të Kualifikimit ka shqyrtuar mbi 35 denoncime nga publiku për gjyqtaren Iliba Bezati, si edhe disa të marra kryesisht nga mediat on-line.
Për shumicën e denoncimeve, trupa e Vetingut konstatoi se ato lidheshin me probleme të themelit të çështjeve, për të cilat KPK nuk ka kompetencë vlerësimi.
Për disa të tjera, të mbërritura nga qytetarët, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaron se nuk ka konstatuar probleme proceduriale.
Trupa e Vetingut ka analizuar edhe një vendimmarrje të Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku ka qenë pjesë Iliba Bezati, lidhur me lirimin e një prej vëllezërve Çilotaj, i dënuar më parë për pjesëmarrje në vrasjen e një shtetaseje shqiptare në Greqi.
Ky rast është sjellë në vëmendje të publikut nga agjencia e lajmeve “BIRN”.
Trupa e KPK-së, pasi analizoi dosjen gjyqësore, nuk konstatoi problematika në vendimmarrjen e gjyqtares Iliba Bezati.
Në përfundim të rivlerësimit, komisionerët Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi, votuan në favor të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, një vendim i cili nuk davarit dyshimet për favorizim të subjektit, sidomos për shkak të raporteve të posaçme (familjare) me kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko.