Nga Erl Kodra
Dje (27 prill 2021) Edi Rama nuk ngjante me një kryeministër që sapo ka fituar zgjedhjet, por me një taleban që mbante për pendlash gjysmën e shqiponjës, të vrarë pa mëshirë me hanxharët e tom doshëve të tij. Guximi për të evokuar përbashkimin dhe bashkëjetesën veri-jug i ngjante përsiatjeve të një manjaku të sëmurë, ndërsa thotë se vrasjen (e bashkëjetesës) e kreu i shtyrë nga dashuria që ndjente për viktimën (Shqipërinë). Fituesi i merr të gjitha, sigurisht, por Rama fitoi duke vrarë opozitën shqiptare. Dhe këtu nuk është fjala se u vra demokracia, as se nuk u përmbushën standartet e zgjedhjeve të lira, por se pasojat e fitores këputin përfundimisht të gjitha arteriet e bashkëjetesës qytetare dhe krahinore. Lexuesi mund të mos e vlerësojë sa duhet përmasën dhe pasojat, por vendi gjendet në udhëkryq të rrezikshëm historik, më të rrezikshmin që prej Luftës së Dytë.
Edi Rama është njeri i lig, i zgjuar dhe mizor, njëkohësisht. Ai i di mirë se çfarë pasojash do të kenë veprimet e tij, megjithatë, ai nuk ngurron të rrotullojë thikën në plagën që vet e rihapi, djallëzisht. Ai ndjenë kënaqësi kur u thotë gjysmës tjetër se unë ju munda me mjete jashtë politikës, por ju nuk mund të më bëni asgjë, sepse jeni të pafuqishëm dhe të paaftë. Ju nuk keni shpëtim prej meje, ndaj shtrini qafën dhe kurrizin, dhe përgatituni – unë do të mbretëroj gjatë.
Djallëzisht ai evokoi rrënjët e së keqes – lumin e gjakut në mes – kur përmendi regjimin komunist dhe ndarjen e thellë veri – jug, pa harruar të thotë se ai përfaqëson një makineri të pamposhtur elektorale. Dhe kishte të drejtë, me mjete të tilla ekstra-politike, ai gjithmonë fiton. Por a fiton Shqipëria?
Partia Demokratike më së paku përmbledh vullnetet e gjysmës së qytetarëve të vendit. Thelbi i ideologjisë së PD është antikomunizmi, dhe si e tillë, ajo përfaqëson atë pjesë të popullsisë që nuk e ka dashur kurrë komunizmin. Ata janë krahu tjetër i barrikadës, mbi të cilët u krye gjenocid sistemik politik.
Filozofia ideologjike e Partisë Demokratike gjithmonë ka shkuar përtej ndarjes veri – jug, ose ndarjes nacionalist dhe komunist. Shqipëria nuk ka qenë një vend i zhvilluar, me nivel të lartë ekonomik dhe elitë të formuar intelektuale – shumica e popullsisë së saj ishte fshatare, e varfër, e dehumanizuar nga mjerimi i thellë – meritë kjo e komunistëve shqiptar. Prandaj Partia Demokratike ka shkuar përtej thelbit të saj politik, duke u shtrirë në të gjithë vendin – për të gjitha shtresat e popullsisë – duke i shërbyer përbashkimit dhe bashkëjetesës veri – jug.
Këto 30 vjet pluralizëm u krijua një traditë e vyer e rotacionit politik, në thelb përbashkuese e gegëve dhe toskëve. Edhe partitë politike gjithmonë janë kujdesur që së pari të jenë kombëtare, pavarësisht se bastionet e tyre i kanë ruajtur, Partia Socialiste në jug dhe Partia Demokratike në veri të vendit. Edhe vendet e tjera të botës janë shumë të ndjeshme dhe kujdesen që të ruajnë kohezionin krahinor dhe rajonal në përfaqësimin politik, duke përbashkuar popullsinë e vendit, duke unifikuar kombin. Ato kujdesen që krahinat të zhvillohen njësoj, që investimet të jenë të shtrira në çdo rajon, krahinë, fshat dhe qytet. Ai vend që e shkelë këtë rregull të artë, e ka të sigurtë përçarjen dhe shpërbërjen.
Zgjedhjet politike janë ngjarje e madhe në jetën e çdo vendi. por historia jonë me zgjedhjet është histori terrori dhe gjenocidi politik. Nëse Enver Hoxha mbretëroi përmes gjakut, Edi Rama mëton të mbretërojë përmes mjeteve ekstra-politike, duke e kthyer procesin në farsa gjigande mashtrimi zgjedhor, duke përfshirë burimet shtetërore dhe agjensitë e ligjit, krimin e organizuar dhe baronët e drogës, biznesin, median dhe mercenarët politik.
Aleati më i madh i Edi Ramës është Tom Doshi – një gegë batakçi dhe bukëshkalë – me prejardhje familjare antikomuniste dhe nip i legjendës Prek Cali. Që prej vitit 2005 Doshi qëndron pranë Edi Ramës, duke menaxhuar lidhjet mes bosëve lokal të krimit në të gjithë veriun e vendit deri në Tiranë. Në zgjedhjet e vitit 2013 ai ishte mbështetësi dhe mentori i Mark Frrokut, një vrasësi të provuar nga drejtësia belge, i cili ia doli të blejë votat e nevojshme për të hyrë në Parlamentin e Shqipëris. Tom Doshi ka blerë Partinë Socialdemokrate nga Kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Në zgjedhjet e 25 Prillit, ai bleu me para në dorë tre mandate parlamentare.
Shqiptarët janë një komb që nuk mund të mbijetojë pa mbështetjen e aleatëve, sidomos mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I rrethuar nga shtete armike, në një rajon historikisht arenë luftrash të përgjakura, për fat të keq shqiptarët shpesh kanë qenë të sakrifikuarit e mëdhenjë të nevojës për stabilitet rajonal. Sakrificat e shqiptarëve nën komunizmin arkaik të Enver Hoxhës ishin pjesë e ekuacionit që fuqitë e mëdha projektuan në këtë pjesë të botës. Shumë vonë, vetëm pasi perdja e hekurt ra, bota u kujtua se në këtë glob ekziston edhe Shqipëria me rreth tre milion alienë të pangrënë. Kur alienët dolën nga rrethimi – bota shtangu. Të dehumanizuar nga mjerimi, të traumatizuar nga dhuna, të tjetërsuar nga poshtërsitë, shqiptarët morën botën në sy. Për shqiptarët demokracia ishte një sport i vështirë, i pamundur të luhet ndershmërisht. Bota nuk i kupton, dhe ata e kanë të pamundur të kuptojnë botën.
Partia Demokratike lindi si parti pro-perëndimore dhe antikomuniste. Si e tillë, ajo hodhi themelet e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut. Liria dhe të drejtat e njeriut kanë qenë dhe janë Bibla dhe Kurani i saj. Çdo arritje e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare mban firmën e Partisë Demokratike – që prej vitit 1992 e deri më sot. Nëse Shqipëria sot është vend antar i NATO-s dhe Kandidate për Bashkimin Europian, kjo është meritë e padiskutueshme e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike përfaqëson politikisht më shumë se gjysmën e shqiptarëve. Ajo është padyshim aleate e SHBA-ve, më shumë se çdo forcë politike në Ballkan dhe më gjerë. Gjithashtu ajo është një parti europianiste, e papërlyer me barrën e krimeve të terrorit komunist. Në këtë kuptim, asgjë dhe askush nuk mund të përlyej vokacionin perëndimor të saj, si mbrojtëse e vlerave më të mira demokratike të shqiptarëve.
Koha e tretë
Edi Rama ia doli të çimentojë pushtetin politik mbi shqiptarët me Tom Doshin dhe kriminelë të tjerë. Të dy batakçinjë ordiner dhe bosë të mafias lokale, ata poshtëruan dhe përdhunuan ligjin dhe shtetin shqiptar. Ironikisht, Tom Doshi është pjesë e një Liste të Zezë që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, të shpallur nga Sekretari i Shtetit. Megjithatë, duket se për hirë të stabilitetit dhe lodhjes me trazirat tona politike, SHBA-të do të pranojnë fitoren e dyshes famëkeqe Rama-Doshi. Ambasadorja Yuri Kim “çertifikoi” fitoren e Ramës dhe Doshit, pavarësisht se ky i dyti është në Listën e Zezë të Departamentit të Shtetit.
Në këto kushte, Partia Demokratike ka përgjegjësi para vendit. Ajo nuk mund t’i braktisë interesat e vendit, pavarësisht se një burokrate e Washingtonit kërkon të kundërtën. Mundet, për njëmijë arsye që trazirat politike në Shqipëri nuk do të ishin të mirëpritura për Departamentin e Shtetit. Me siguri kjo do të ishte një kokëçarje më shumë për Matthew Palmer dhe Yuri Kim. Megjithatë, përdhosja e shtetit dhe përçudnimi i votës së shqiptarëve është një çështje serioze, që prevalon mbi shqetësimet që mund të ketë Departamenti i Shtetit. Për këto arsye, dhe për gjithçka u argumentua më sipër, Partia Demokratike nuk duhet të njohë farsën elektorale të 25 Prillit.
Ky duhet të jetë hapi i parë politik.
Hapi i dytë duhet të jetë radikalizimi. Yuri Kim dhe Departamenti i Shtetit nuk ishin në gjendje të parandalojnë Tom Doshin dhe Edi Ramën të blejnë votat e shqiptarëve. Nëse i pari (Toma) është një mercenar mafioz dhe batakçi, ky i dyti (Rama) çfarë i bie të jetë? Popullit demokrat po i del shpirti nën një regjim mafioz, që u ka marrë erzin, nderin dhe dinjitetin. Ai shkatërroi kohezionin socio-kulturor dhe krahinor të vendit.
Të jesh lider i Partisë Demokratike është përgjegjësi e madhe. Ti nuk i përket më vetes tënde, as familjes, por vendit. Lulzim Basha duhet të shprehet pa ekuivoke nëse do t’u prijë demokratëve në betejën për të rikthyer legalitetin në vend. E di, beteja do të jetë e ashpër, për jetë a vdekje. Yuri Kim dhe Matt Palmer mund të bëjnë ndonjë dekleratë se “Partia Demokratike do të shpallet organizatë terroriste”, megjithatë, ne e dimë shumë mirë se kush është Ram Doshi.
Lulzim Basha duhet të vendosë sot, sepse fatet e vendit nuk mund të lihen pa Zot. Nuk është momenti të japë dorëheqjen, por t’i prijë revoltës popullore. Nëse nuk është në gjendje ta bëjë këtë, ose mund nuk mund të përballojë presionin e Yuri Kim, le të largohet sa më parë.
Shqiptarët nuk mund të pranojnë më tej një Kryeministër – vrasës të shtetit, kohezionit socio-kulturor dhe krahinor të vendit.