Nga Edmond Hoxhaj/ BIRN
Kryesuesja e trupit gjykues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që po kryen vetingun e prokuorit të Tiranës, Kol Hysenaj, Pamela Qirko, shpjegoi të enjten gjatë seancës së dytë dëgjimore se riçelja e hetimit më 23 shtator 2020 ishte vendosur me qëllim kryerjen e disa veprimeve hetimore në funksion të procesit të rivlerësimit.
Gjatë seancës të zhvilluar më 18 shtator, prokurori Hysenaj u përball me një sërë problemesh në të tri kriteret e rivlerësimit. Komisioni evidentoi atëherë mosdeklarim të kursimeve dhe gjendjes cash në vite, si dhe deklarim të paplotë të burimeve për disa prej pasurive të deklaruara. Gjithashtu, Komisioni vlerësoi si “financiarisht jo të logjikshm” një sërë transakionesh.
Prokurori Hysenaj u përball në seancën e parë edhe me një raport të rishikuar të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK që e gjente të papërshtatashëm për të ushtruar detyrën.
Ndërkohë, KPK vuri në dukje se atij i ishin kërkuar sqarime për tre denoncime në kriterin e profesionalizmit, si dhe u trajtua dhe një aksident ku ishte përfshirë Hysenaj që kishte pasur edhe viktimë.
Kolë Hysenaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokuroritë e Lushnjes, Kavajës dhe Tiranës.
Rihetimi për pasuritë
Gjatë seancës së të enjtes, relatorja Firdes Shuli pohoi se me qëllim qartësimin e blerjes së garazhit me sipërfaqe 25 m2 i ishin kërkuar kadastrës që të vendoste në dispozicion 12 kontrata shit-blerjesh për banesat e të njëjtit pallat ku gjendet shtëpia e prokurorit Hysenaj.
Shuli theksoi se vetëm në një rast rezultonte që kontrata të ishte e ngjashme me atë të subjektit të rivlerësimit, ku apartamenti dhe garazhi konsiderohen si e njëjta pasuri. “Në gjithë kontratat e tjera ishte objekt apartamenti dhe jo garazhi,’ pohoi Shuli.
Prokurori Hysenaj deklaroi në seancën e të enjtes se zotëronte vetëm ato pasuri që ka deklaruar.
Ai këmbënguli se garazhi është pjesë e apartamentit.
“Më vjen mirë që doli fjala ime. Të tjerët që nuk e kanë shënuar garazhin me apartamentin nuk e kanë paguar. […]Nëse do blija garazhin më vete do shpërdorja ligjin,” pohoi Hysenaj dhe vijoi se çmimi i paguar prej tij është më i lartë se të tjerët dhe se nuk ka pasur trajtim preferencial.
Relatorja sqaroi se Drejtoria e Tatimeve kishte dërguar dy shkresa me të dhëna të ndryshme lidhur me ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga aktiviteti privat bar-kafe dhe se për këtë arsye i janë kërkuar sqarime këtij institucioni.
Shuli pohoi se tatimet kishin sqaruar se në shkresën e parë për periudhën 2008-2014, të dhënat ishin pasqyuar bazuar në deklarimet e subjektit, pasi regjistrimi ishte kryer në vitin 2013. Ndërsa për periudhën 2015-2016 është konstatuar se ka pasur të ardhura në shumën 539 mijë lekë.
Ajo vijoi se nisur nga të dhënat e reja të dërguara nga tatimet, KPK ka çmuar të konsiderojë në analizën financiare shumën 539 mijë lekë dhe jo vlerën 6.5 milionë lekë të pasqyruar në shkresën e mëparshme të bazuar në deklarimet e subjektit.
“Afekton gjithë këtë periudhë dhe subjektit i është kaluar barrë prove të vërtetoj pagesën e detyrimeve për barin”, pohoi Shuli.
Prokurori Hysenaj deklaroi se bashkëshortja e kishte regjistuar biznesin e saj dhe se për periudhën 2007-2014 ka ushtruar rregullisht aktivitetin. Ai solli në vëmendje se aktivitti ishte regjistruar me vendim gjykate dhe se nuk ishte aplikuar për ndryshimin e statusit.
Hysenaj e quajti si një përgjigje të kryer “padashje” atë të drejtorisë së tatimeve, duke u shprehur se duhej që të kishin komunikuar më parë me bashkinë.
“E kam bërë unë. U kam kërkuar ta shtrijnë verifikimin deri në vitin 2018 dhe rezulton se nuk ka asnjë detyrim të papaguar”, theksoi Hysenaj.
Komisioni ka pyetur dy dëshmitarë lidhur me konstatimet për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2008 për shumën 500 mijë lekë dhe të shitur dy vjet më vonë në vlerën 22 mijë euro. Sipas Shulit, në deklarimt e dëshmitarëve janë vërejutr paqartësi për të cilat i janë kërkuar shpjegime Hysenajt, të fokusuara në riparimin e këtij mjeti.
Për automjetin tip Benz, Hysenaj pretendoi se kishte kryer riparime që kishin sjellë edhe rritjen e vlerës së mjetit.
Për mospagimin detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga shitja, Hysenaj tha se legjislacioni përkatës nuk referonte pagesën e detyrimeve për pasuritë e luajtshme, por për ato të paluajtshme.
Ai shtoi se në periudhën kur ishte kryer shitja kishte pasur dy fatkeqësi familjare dhe nuk kishte qenë i përqëndruar për pagesën e taksave në atë kohë. “Kam respektuar gjithmonë ligjin”, pohoi Hysenaj.
Ai u pyet nga vëzhguesi i ONM lidhur me automjetin tip Benz. “Dua të pyes për Merzedesin e famshëm”, tha vëzhguesi Gerrit Sprenger dhe solli në vëmendje se detyrimet për të ardhurat nga shitja ishin paguar në 2019-ën.
“Unë e kam begatuar shtetin dhe me penalitet”, pohoi Hysenaj dhe shpjegoi se kishte investuar 780 mijë lekë për riparimin e defekteve të kësaj makine.
Nga hetimi shtesë është konstatuar pamundësi financiare për krijimin shumës 20 mijë euro të depozituar në bankë në vitin 2010. Sipas Shulit, ka rezultuar balancë negative në shumën 2 milionë e 690 mijë lekë.
Prokurori Hysenaj deklaroi se kishte patur të ardhura të mjaftueshme të siguruara nga pagat dhe aktiviteti i bashkëshortes për krijimin e shumës 20 mijë euro si dhe për blerjen e një trualli në Bërxullë.
Ai kërkoi ndryshimin e analizës finaciare për vitin 2004, duke kërkuar heqjen e shpenzimeve për udhëtimin në SHBA, duke pretenduar se kishte qenë për arsye trajnimi dhe me shpenzime të mbuluara.
“Burimet e mia janë të ligjshme”, tha ai.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Gerrit Sprenger e pyeti prokurorin Hysenaj lidhur me diferencat e mëdha në deklarimin e gjendjes cash ndër vite. Hysenaj deklaroi se gjendja e tij në banesë në vitin 2014 ka qenë aq sa e ka deklaruar, në shumën 130 mijë euro.
Komisioni ka kontaktuar me denoncuesin M.D., sipas të cilit prokurori Hysenaj i kishte këkruar nëpërmjet avokatit shumën 8 mijë euro për ta lënë në detyrim paraqitje dhe se e kishte mbajtur fjalën. Shuli tha se denoncuesi kishte sqaruar se nuk kishte kryer asnjë denoncim ndaj subjektit të rivlerësimit.
Pokurori Hysenaj e cilësoi se denoncim të rremë atë të kryer nga M.D.. Ai deklaroi se ishte kthyer në objekt të sulmeve të portaleve. “Mua nuk më kanë goditur dot, por bashkëshorten dhe fëmijtë pak, pasi kanë hequr dorë nga rrjetet sociale për këtë shkak”, pohoi Hysenaj.
Denoncimet e reja
Në seancë u tha se pas riçeljes së hetimit administrativ, në KPK ishin depozituar edhe 5 denoncime ndaj subjektit të rivlerësimit, tre prej të cilave anonime.
Në një prej denoncimeve pretendohej se dosja hetimore për kërcënimin e gazetarit E.A. nga subjekti mbahej pa kryer veprime prej një viti, me qëllim që të përfundonte procesi i rivlerësimit për Hysenajn.
Shuli sqaroi se në denoncimin e dytë pretendohet për një pasuri të fshehur të prokurorit në Fushë-prezë të Vorës, truall dhe ndërtesë e regjistruar në emër të vjehrrit të Hysenajt.
Prokurori Hysenaj e quajti të vërtetë faktin se vjehrri kishte ndërtuar një objekt, por ai theksoi se ajo pasuri ishte krijuar prej tre kunetëve të tij që jetojnë dhe punojnë në Itali. “Nuk do lejoja që bashkëshortja të përfitonte nga djersa e tre vëllezërve që punojnë në ndërtim”, pohoi Hysenaj duke e cilësuar të gënjeshtërt pretendimin e denoncuesit.
Edhe në denoncimin e tretë është pretenduar për pasuri të fshehur në qytetin e Korçës. Denoncuesi ka vendosur në dispozicion të Komisionit vetëm një foto të objektit dhe ka pretenduar se kjo pasuri është e regjistruar në emër të shokut të ngushtë të djalit të subjektit.
Hysenaj e cilësoi të pavërtetë edhe këtë denoncim. Ai tha se djali nuk kishte asnjë shok me atë emër që pretendonte denoncuesi dhe se nuk dispononte asnjë pasuri të tillë.
“Nuk ka denoncime anonime. I ka bërë një dorë, për arsye profesionale. I kam kërkuar një doktori shekncash që ti vlerësojë denoncimet dhe ai ka konstatuar se është një dorë”, pohoi Hysenaj.
Dy denoncimet e tjera të kyera për një çështje që kishte të bënte me hetimin e disa zyrtarëve për dhënin e tokave me qira në Lezhë. Denoncuesi ka pretenduar se prokurori ka kryer shkelje procedurale pasi nuk e ka thirrur dhe se ka ngritur akuzë vetëm për tre nga pesë anëtarët e bordit që kanë dhënë tokat me qira, edhe pse kanë kryer të gjithë të njëjtat veprime.
Gjithashtu, është pretenduar se prokurori e ka intimiduar duke i dërguar policinë edhe pse ka qenë dakord të shkonte vetë në prokurori.
Prokurori Hysenaj deklaroi se hetimi ishte nisur më parë në Prokurorinë e Lezhës dhe më pas ishte transferuar në Tiranë. Për personat për të cilët nuk është ngitur akuzë, ai pohoi se nuk kishin qenë në Lezhë dhe nuk kishin nënshkruar.
Ai tha se denoncuesi N.B. gënjente se nuk ishte thirur pasi kishte firmosur për përgjigjen që i është kthyer.
Lidhur me pretendimin për intimidim, Hysenaj shpjegoi se denoncuesi ishte thirrur dhe nuk ishte paraqitur. Ai shtoi se të gjitha këto pretendime ishin ngritur edhe në seancën paraprake dhe ishin rrëzuar.
Në fund të seancës, Hysenaj u pyet nga Sprenger lidhur me situatën e mjetit që ai drejtonte në aksidentin e vitit 2008. Sprenger vërejti se mjeti nuk dispononte dokumentet e duhura.
Prokuori Hysenaj tha se mjeti nuk ishte i tij, por e kishte marrë për ta përdorur nga një miku i tij dhe se nuk i kishte kërkuar që ti shfaqete dokumentet. “Unë vetë kam patur leje drejtimi dhe kam qenë i siguruar”, pohoi Hysenaj.
Në përfundim, prokurori Kol Hysenaj deklaroi se kishte aritur nivel të besueshëm në të tri kriteret dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 19 prill, ora 10:00.