Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka hyrë në një cikël të qëndrueshëm rënie, që ka nisur para pandemisë, në vitin 2019. Aplikimi i masave kufizuese në vendet e BE-së ka ulur porositë për fabrikat e këpucëve në 65-75% në shkurt – mars 2021 dhe për veshjet në 30-40%.
Fabrikat po përballen me falimente dhe lajmërojnë 20 mijë largime nga puna në 6-mujorin e parë 2021. Në mungesë të mbështetjes me likuiditet, prodhuesit shqiptarë nuk përfituan nga kërkesa e re që nxiti pandemia dhe nga ndryshimi i zinxhirëve të furnizimit. Pritshmëritë për rikthim në normalitet janë shtyrë në fund të vitit 2023.
Pandemia e ka përfshirë në një cikël të gjatë krize sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, që përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend, me 38% të totalit. Pritshmëritë për rikuperim janë shtyrë përtej vitit 2022, si nga tregjet brenda edhe nga ato jashtë vendit, si pasojë e zgjatjes së pandemisë dhe masave të karantinës, teksa ecuria e ngadaltë e vaksinimit ka shuar shpresat për rigjallërimin e kërkesës edhe këtë vit.
Dobësitë më të mëdha janë shfaqur në fabrikat e prodhimit të këpucëve, të cilat po vuajnë rënien drastike të kontratave të porosive prej kufizimeve në lëvizje në shumicën e vende të BE-së. Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport, tha se në 10-ditëshin e fundit të marsit, porositë në fabrikat e këpucëve shënuan rënie me 75% nga 64% në fillim të muajit. Rënia është parë edhe në prodhimin e veshjeve, por më e butë, me rreth 30-40%.
Fasoneria po ecën më keq se parashikimet në fillim të vitit kur rikuperimi pritej të ndodhte në 6-mujorin e dytë. Bizneset e sektorit presin të nisin rimëkëmbjen në muajin tetor, nëse vaksinohet 60% e popullsisë së Europës, ndërsa niveli i vitit 2019 do të arrihet në vitin 2023 ose më vonë.
Shumica e fabrikave, sidomos ato të vogla, kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin, duke lënë mijëra persona të papunë, kurse shitjet jashtë vendit vijuan rënien vjetore në janar – shkurt 2021 me rreth 20% për këpucët dhe 4.8% për veshjet, me të njëjtat ritme, si dhe në vitin 2020.
Eva Laro, e cila drejton “Prodyn”, një nga fabrikat më të mëdha në vend të prodhimit të këpucës, thotë se viti 2021 do të vazhdojë rënien për shkak të kërkesës së dobët. Laro diversifikoi prodhimin në një pjesë të fabrikës nga këpucë në veshje mjekësore për tregun gjerman, por vështirësitë në furnizimet e lëndës së parë nga Kina i kanë krijuar probleme në këtë fillimvit.
Ambienti i brendshëm nuk paraqitet favorizues. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit kanë marrë të gjitha energjitë e politikëbërjes, duke lënë pa zgjidhje teknike dhe ligjore disa aspekte që mund të zbusnin vështirësitë.
Florian Zekja, i cili drejton një fabrikë veshjesh dhe përfaqëson Shoqatën e Fasonëve, tha se, duhet mbështetje me likuiditet nëpërmjet paketave të posaçme dyvjeçare. Ndihma financiare duhet për të investuar në makineri që sigurojnë procese të reja prodhimi dhe në fuqinë punëtore që aktualisht është kapitali më i çmuar që fabrikat kanë.
Jozef Bazhdari, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve në Shkodër, “Bela Confex” tha se, nuk ishte prekur nga kriza për shkak të rritjes së porosive në produktin që ai prodhon, por sugjeroi se, fabrikat e fasonit do të përballonin vështirësitë dhe do të rrisnin fitimet nëse lëndët e para (inputet) do të përjashtoheshin nga TVSH-ja. “Fakti që paguajmë TVSH për çdo artikull që i shërben produktit dhe pastaj TVSH paguhet sërish për të gjithë produktin i rrit kostot në mënyrë artificiale dhe i bën prodhimet shqiptare jokonkurruese. Shqipëria duhet të adoptojë standardin “Euro 1” për TVSH në sektorin e fasonit, në mënyrë që të rritet produktiviteti dhe për pasojë, edhe pagat në këtë sektor” – tha Bazhdari.
Për Albert Manthon, i cili drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Bena”, kriza e pandemisë do të japë efektet negative në industrinë e fasonit të paktën në 5 vitet e ardhshme. Humbjet e krijuara vështirë se rikuperohen në tre vitet në vijim, ndërsa me përfundimin e krizës shëndetësore, sjellja konsumatore nuk pritet të jetë si më parë. Kriza si kjo, sipas zotit Mantho, lënë pasoja afatgjata, ndërsa Shqipëria me një treg të vogël më pak se 2.8 milionë banorë nuk mund të konkurrojë në kosto me prodhimet që vijnë nga vende të mëdha të tilla si Kina.
Fabrikat lajmërojnë shkurtimin e 20 mijë vendeve të punës në 6-mujorin e parë
Fabrikat e këpucëve dhe veshjeve pritet të nxjerrin të papunë rreth 20 mijë persona në 6-mujorin e parë të vitit, si pasojë e thellimit të mëtejshëm të krizës. Përllogaritjet i bëri Shoqata e Fasonëve “Pro-Eksport”, e cila grumbulloi të dhënat nga fabrikat, shumica e të cilave kanë pësuar rënie të porosive me mbi 70%.
Prej muajsh në vështirësi dhe pa mbështetje financiare, ata e kanë të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore në punë. Kryetari Edvin Prençe tha se, çdo ditë që kalon është humbje e madhe në vende pune, rënie të eksporteve etj. Për mungesë likuiditeti, thotë z. Prençe, fabrikat shqiptare nuk po munden të përshtatin teknologjinë për t’iu përgjigjur kërkesës së shpejtë, për disa produkte nga vendet europiane.
Deri në vitin 2019, sektori fason ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës, që nuk kërkonin kualifikim. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, mbi 6500 biznese në të gjithë vendin, shumica në sektorin fason, kërkuan të punësonin 45 mijë persona në vitin 2019 nëpërmjet zyrave të punës. Para se të niste kriza e pandemisë, fabrikat e këpucëve dhe veshjeve po vuanin nga mungesa e punonjësve. Pagat e ulëta nuk i joshnin më të rinjtë që po zgjidhnin punësimin në call center, kurse emigracioni shteroi forcën e re të punës.
Në vitin 2020, situata ndryshoi kryekëput. Oferta për punë nga bizneset nuk arriti më shumë se 200-300 vende në zyrat e punës, ndërsa shumë punëkërkues të rinj të papunë u dyndën për regjistrim. Punësimi në sektorin fason u rrit me shpejtësi në dekadën e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, fabrikat e veshjeve dhe të këpucëve kishin punësuar me pagë rreth 56 mijë persona nga rreth 25 mijë të tillë në vitin 2010. Shpenzimet për paga të fabrikave arritën në rreth 21 miliardë lekë në vitin 2019.
Arritjet në punësim u kthyen përmbys gjatë periudhës së pandemisë dhe do të vijojnë të shfaqin vështirësi edhe në periudhën afatmesme, pasi fabrikat shqiptare nuk mund të konkurrojnë për të kapur pjesën e zvogëluar të porosive nga vendet e zhvilluara.
Humbjet nga shitjet, 130 mln euro më 2020
Në rastin më të mirë, fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve në vend për tregun gjerman, “ProDyn”, pret të prodhojë me 80% të kapacitetit. Aktiviteti do të jetë në rënie edhe këtë vit, nga kërkesa e dobët, thotë zonja Laro, drejtuesja e saj.
Në dy muajt e parë të vitit 2021, eksportet nga fasoni shënuan një vlerë prej 17.6 miliardë lekësh, me rënie mbi 11% në raport me janar – shkurt të vitit 2020, kur kriza e pandemisë nuk kishte nisur. Rënia ishte më e fortë për këpucët, me rreth 20%.
Në vitin 2020, të ardhurat nga shitjet e sektorit fason ranë me 16 miliardë lekë, ose rreth 130 milionë euro. Humbjet në fabrikat e këpucëve ishin 11,3 miliardë lekë, ose rreth 91 milionë euro, ndërsa prodhuesit e veshjeve humbën rreth 4,6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, sipas Shoqatës së Eksportuesve.
Rënia e eksporteve më 2020 ishte 13%, por për fabrikat e këpucëve ishte më e lartë, me rreth 20%. Në dy muajt e parë të këtij viti, shitjet ishin 2,1 miliardë lekë (19 milionë euro) më pak se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Si pasojë e ecurisë së dobët, pesha e eksporteve të veshjeve dhe këpucëve në raport me totalin e eksporteve ishte 37.6% në vitin 2020, nga 39.6% në vitin 2019 dhe 43% në vitin 2017.
Për këpucët, rënia lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me masat kufizuese në lëvizje nga vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa eksportet e tekstileve duket se nuk kanë mundur të përfitojnë nga hapësira e re që u krijua për veshjet mjekësore. Kina u ripozicionua shumë shpejt si një aktor i madh në eksportet e veshjeve mjekësore, duke siguruar sasi të mëdha me çmime të ulëta këtë vit, ndryshe nga gjysma e parë e vitit 2020 ku furnizimet u çrregulluan.
Nazmi Grori, i cili drejton fabrikën “Naber”, një nga më të mëdhatë në vend për veshjet, tha se, pati një rritje të porosive për maska e veshje mjekësore në gjysmën e parë të vitit, por kërkesa u shua pas hapjes së Kinës.
Zoti Zekja, i cili zotëron një fabrikë veshjesh, tha se masat kufizuese në BE kanë ndikuar negativisht kërkesën për veshje pune. Shumë fabrika në vendin tonë qepin veshje pune me porosi për kompanitë e mëdha europiane. Ky shërbim, që nuk kërkon kualifikim të lartë dhe ka një ofertë të sigurt, ishte i përhapur në fabrikat tona, por tani masat kufizuese në BE kanë ulur aktivitetin ekonomik dhe për pasojë edhe porositë për veshjet e punës.
Për të zbutur sadopak humbjet, Shoqata Pro-Eksport Albania propozon krijimin e një buxheti ‘ad hoc’ për sipërmarrjet e sektorit, e cila të mundësojë:
Së pari, krijimin e një linje financimi kredi të butë/grant prej 32 milionë eurosh për të mbështetur sektorin tekstil dhe të këpucës për të inkurajuar blerjen e makinerive të reja, të cilat nga një anë, do të stimulojnë produktivitetin e, nga ana tjetër, do të mbështesin punësimin dhe rritjen e pagave.
Së dyti, krijimin e një linje kreditimi të butë prej 15 milionë eurosh për të përmirësuar likuiditetin e sipërmarrësve, me qëllim ruajtjen e vendeve të punës aktuale dhe promovimin e punësimeve të reja.
Dhe së treti, një kredi e butë, alternuar me grante prej 5 milionë eurosh, i dedikuar për certifikimin e produktit, sipas standardeve europiane të linjave prodhuese, me qëllim rritjen e eksporteve shqiptare, si dhe për blerjen e lëndës së parë e marketingun e këtyre prodhimeve.
COVID-19 ndryshon gjeografinë e eksportit
Kriza e pandemisë ka ndryshuar burimet e eksportit, nga Italia drejt vendeve të tjera të Europës Perëndimore, si Gjermania dhe Franca. Kjo tendencë ka qenë më e pranishme te veshjet, por edhe për këpucët. Sipas të dhënave zyrtare, eksportet e veshjeve drejt Italisë shënuan rënie me 13% më 2020, ndërsa shitjet drejt Gjermanisë dhe Francës u rritën përkatësisht me 22 dhe 31%.
Gjatë vitit të kaluar me Italinë u realizua 66% e totalit të eksportit të veshjeve, nga 70.5% më 2019. Ndërsa u rrit ndjeshëm pesha e eksporteve me Gjermaninë, duke arritur me 12.5% më 2020 nga 9.5% në vitin 2019. Pesha e eksporteve drejt Francës shkoi 2.9% të totalit nga 2% më 2019.
Prodhuesit pohojnë se rritja në vendet jashtë Italisë erdhi nga kërkesa për veshje mjekësore. Pjesa më e madhe u realizua nga kompania e këpucëve “ProDyn”, i cila diversifikoi një pjesë të prodhimit për veshje mjekësore. Zonja Laro tha se, ka nënkontraktuar edhe shumë fabrika të tjera për të plotësuar kërkesën nga tregu gjerman për përparëse spitalore.
Për këpucën nuk kishte ndryshime të gjeografisë së eksporteve. Vitin e kaluar, shitjet pësuan rënie si në sasi dhe në vlerë me të gjithë vendet (nga 19% me Italinë deri në 50% me Spanjën).
Si të frenojmë rënien
Në vitin 2019, në sektorin e prodhimit të veshjes dhe këpucëve, ishin të regjistruar 809 biznese, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT të cilat ishin aktive. Këto subjekte janë punëdhënës të mëdhenj në zonat urbane sidomos në Tiranë, Kamzë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Berat. Mbi 56 mijë punonjës ishin të punësuar me pagë në këto aktivitete në vitin 2019 dhe zunë 4.8% të totalit të të punësuarve.
Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, Edvin Prençe tha se, ndërmarrjet e sektorit janë të ndara në ndërmarrje të cilat punojnë me material porositësi dhe nga ndërmarrje të cilat punojnë me cikël të plotë prodhimi “Made in Albania”. Në vitin 2019, sektori siguroi rreth 39% të eksporteve të Shqipërisë (për vitin 2019, në total eksportet ishin 2.1 miliardë euro, me mbi 800 milionë euro të siguruara nga kompanitë e veshjeve dhe këpucëve).
Ai tha se aktualisht, pas goditjes nga pandemia e COVID-19, shumica e fabrikave prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpucëve po punon për mbijetesë. Në këta muaj më të vështirë, tre në katër sipërmarrës të sektorit mendojnë të shesin biznesin e tyre. Shumë nga sipërmarrësit e sektorit janë duke përjetuar reduktim të ndjeshëm të stafit dhe ridimensionim të aktivitetit. Kufizimet e prodhimit gjatë pandemisë sollën largimin e detyruar nga puna të mijëra punonjësve të industrisë për periudhën mars-qershor 2020, kryesisht gra e vajza, shumica e të cilave gjithashtu ishin të kualifikuara për proceset e punës që kryenin.
Ai tha se sektori është humbësi më i madh në punësim në Shqipëri, për shkak të COVID-19 me mbi 27.000 heqje/pezullime nga puna për 3-mujorin e dytë të vitit 2020. Ai tha se, rreziku i falimentimeve në masë të sipërmarrjeve të sektorit është i pranishëm nëse nuk do të ketë ndërhyrje për shpëtim. Shqetësimet kryesore e kompanive janë mungesa e likuiditetit dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në përputhje me kërkesat e reja në treg. Prodhuesit kërkojnë mbështetje dyvjeçare me fonde e likuiditet, të cilat mund të krijohen me fonde garancie sovrane, linja të buta kredie nga bankat e huaja të zhvillimit.
Prençe kërkoi se nëpërmjet një Moratoriumi, që të gjitha kontratat e institucioneve shtetërore që do të lidhen në të ardhmen për të plotësuar nevojat për produkte veshjesh dhe këpucësh, të tenderohen vetëm me pjesëmarrjen e ndërmarrjeve prodhuese shqiptare të kësaj industrie. “Tenderët publikë të kenë një bonus të veçantë për ndërmarrjet që prodhojnë në vend. Apo kontratat e institucioneve shtetërore që do të lidhen në të ardhmen të kenë një linjë preferenciale për produktet “Made in Albania” për produktet e veshjeve dhe këpucët”, tha ai.
Shoqata kërkon mbështetje dyvjeçare për të përballuar emergjencën, duke mundësuar, nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave subvencion pagash në masën 50% të pagës minimale, deri sa të mbarojë kriza e pandemisë. Në këtë mënyrë kanë vepruar Bosnja dhe Serbia.
Falë kësaj mbështetje, bizneset e kësaj industrie do të jenë në gjendje të mbajnë punonjësit aktualë dhe do të krijojnë vende të reja pune, duke sjellë edhe rritjen e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të reja”, tha ai.
Shtyhen pritshmëritë për rikuperimin në vitin 2023
Projeksionet e reja për rikuperimin në industrinë e veshjeve dhe këpucëve në Bashkimin Europian dhe SHBA janë shtyrë për vitin 2023. Për industrinë britanike dhe atë të Bashkimit Europian, niveli i vitit 2019 nuk do të arrihet para 3-mujorit të fundit të vitit 2023, sipas një ankete që bëri Instituti McKinsey me kompanitë më të mëdha të sektorit në BE. Një ecuri e ngjashme pritet të jetë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pritshmëritë për rimëkëmbje janë shtyrë edhe nga kompanitë shqiptare, të cilat nuk presin të kthehen në nivelin e shitjeve të vitit 2019 para vitit 2023. Florian Zekja, nga Shoqata e Fasonëve, tha se puna në fabrikat tona është lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me ecurinë e tregjeve të BE-së e sidomos të Italisë, të cilat janë partnerët kryesorë tregtarë. Çdo krizë në BE dhe sidomos në Italinë fqinje reflektohet menjëherë në fabrikat shqiptare të tekstileve dhe këpucëve, të cilat janë të varura 100% nga faktorë të jashtëm.
Në shtator të vitit 2020, projeksionet ndërkombëtare për industrinë prisnin rikuperim total në 3-mujorin e tretë të vitit 2022. Por variantet e reja të koronavirusit dhe rikthimi i kufizimeve në shumicën e vendeve të BE-së shtynë pritshmëritë për rimëkëmbje në 3-mujorin e tretë të vitit 2023.
Pas recesionit më të thellë në dekada, ekonomia globale pritet të rimëkëmbet pjesërisht këtë vit, por rritja ekonomike do të mbetet e zbehtë në krahasim me nivelet e para-pandemisë. Ekspertët e McKinsey pohojnë se kërkesa për veshje do të mbetet e dobët edhe pasi të ketë kaluar pandemia, për shkak të rritjes së papunësisë dhe rritjes së pabarazisë.
Kompanitë e industrisë së veshjeve duhet të gjejnë shtigje të reja në drejtim të uljes së kostos dhe riorientimit të kërkesës me modelin e ri ekonomik të ekonomisë qarkulluese. P.sh. një trend i ri që po kërkohet shumë së fundmi janë veshjet që nuk depërtojnë ujin dhe njollat dhe reflektojnë vetëpastrim. Kjo lloj tendence kërkon më pak pastrim dhe ndikon në nivelet më të ulëta të ndotjeve me detergjentë në mjedis në raport me veshjet e zakonshme.
Ashpërsia ekstreme e rënies së menjëhershme në 2020 u përshkrua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si më e rënda që nga Depresioni i Madh në vitet 1930. Nga e gjithë ekonomia globale, industria e modës në Europë do të jetë më e goditura si rrjedhojë e agresivitetit, me të cilin u shfaq pandemia edhe në vitin 2021. Konsumatorët europianë në fund të vitit 2020 kishin ulur me 27-35% planifikimet për veshje, këpucë dhe stoli. Kjo dobësi në konsum është shtrirë edhe këtë vit.
Prodhuesit shqiptarë pohojnë se, për Shqipërinë kriza do të japë efekte më të gjata. Zoti Mantho, nga fabrika e veshjeve “Bena”, thotë se, kriza e ekonomike e vitit 2008 pati efektet e saj negative për 7-8 vjet. Duke qenë se kriza e pandemisë është shumëdimensionale do të shtrijë efektet shumë më gjatë, por ajo që duhet të bëjnë fabrikat shqiptare është përshtatja me përfitimet që vijnë nga afërsia gjeografike me Europën. Sipas zotit Mantho, Shqipëria është me fat, sepse e ka punën të lidhur me Italinë, lider i modës dhe stilit të veshjeve.
Tendencat e reja, sipas tij, sugjerojnë prodhim të dedikuar dhe me sasi të vogla. Shqipëria është e përsosur për këto lloj porosish. Fabrikat e vogla shqiptare, me një forcë të kualifikuar pune që tashmë kanë përvojë mund të kapin këtë trend të ri të kërkesës, tha Mantho, i cili është një operator me përvojë që nga viti 1994 në prodhimin e veshjeve për tregun italian. Sipas tij, cikli i mbyllur që pretendohet për fabrikat shqiptare nuk ka gjasa të realizohet për shkak se një vend i vogël si Shqipëria e ka të pamundur të zhvillojë klastera. Në këtë drejtim, u shpreh z. Mantho, ka dështuar edhe Turqia dhe Italia, që kishin mundësi ekonomike, fuqi punëtore dhe përvojë më shumë se Shqipëria.
Trendi i ri, veshje të rehatshme
Kriza e pandemisë ka dhënë një goditje të dyfishtë për industrinë e modës. Së pari, kërkesa për veshje dhe këpucë ka shënuar rënien më të fortë historike të regjistruar ndonjëherë, por ka ndikuar gjithashtu të stilet dhe trendet e modës, duke zbuluar preferenca të reja që i shkojnë më shumë përshtat komoditetit.
Trendi drejt veshjeve sportive kishte nisur të rritej që para krizës. Në vitin 2019, pati një mbingarkesë në inventarët e këpucëve të lëkurës kudo në botë, për shkak të preferencave të larta për atletet. Fabrikat e këpucëve të lëkurës u gjendën në krizë prej preferencave të reja drejt veshjeve sportive, ndërsa kriza e pandemisë duket se do ta çojë më tej këtë tendencë.
Analistët e tregut europian të modës referojnë se, prirja për veshje të rehatshme do të jetë afatgjatë. Puna nga shtëpia, edhe pasi të ketë përfunduar pandemia, do të jetë 20% më e lartë se para pandemisë. Ndërsa konsumatorët tashmë e bënë zakon që të vishen me veshje të rastësore. Kthimi te veshjet zyrtare dhe të eventeve do të zgjasë shumë në kohë. Teksa do të ketë një kërkesë më të ulët për veshje që përdoren për udhëtime, si këpucë e sandale të posaçme, veshje plazhi dhe aksesorë që lidhen me pushimet.
Pandemia gjithashtu po rrit gjithnjë preferencat në produkte të personalizuara. Kompani të tilla si “Asos”, John Lewis kanë organizuar takime virtuale me klientë dhe konsumatorë dhe kanë përshtatur aplikacione për të prodhuar veshje të personalizuara. Nga ky trend mund të përfitojë edhe Shqipëria, pohojnë prodhuesit, pasi struktura e fabrikave tona është tipike për porosi të vogla dhe tregje të dedikuara.
Pandemia ka vënë në diskutim trendin e modës së shpejtë, duke e zhvendosur kërkesën drejt veshjeve minimaliste dhe veshjeve më të qëndrueshme. Konsumatorët po priren të blejnë më pak dhe të marrin më shumë cilësi dhe me përbërje organike. Kufizimet në lëvizje dhe mungesa e grumbullimeve e kanë ndryshuar kërkesën, drejt veshjeve praktike dhe cilësore, në vend të atyre që janë në stilin e fundit, por nuk ofrojnë cilësi dhe komoditet. Në këtë prirje të re ka gjasë që fitimet të shkojnë për kompanitë e luksit dhe veshjeve cilësore ose tek veshjet e përdorura të dorës së dytë që në shumë raste ofrojnë cilësi, por jo modë./Monitor/