Parcelat e mbjella me kanabis janë reduktuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri, megjithatë ekspertët paralajmërojnë se aksionet policore nuk mjaftojnë për t’a çrrënjosur kulturën e kultivimit që shkon pas në dekada.
Kur policia e arrestoi Valentinën* në vitin 2017, orët që kaloi në komisariat ajo i mban mend si më të vështirat e jetës së saj. Ndërsa merrej në pyetje, 72-vjeçares iu rrit tensioni, pësoi parainfarkt dhe përfundoi në spital.
“Grua e ve, e moshuar, me shami të zezë në mes të burrave në komisariat,” kujton Valentina katër vjet pas arrestimit për kultivim kanabisi. “As kokën nuk kam ngritur ta shoh në sy atë shefin, që më thoshte ‘trego, të dalësh ti e të vijë djali,’” shtoi ajo.
Rasti i Valentinës nuk është i izoluar. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se nga viti 2013 deri në vitin 2019, mijëra shqiptarë u proceduan penalisht për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.
Sipas ekspertëve, kultura e kultivimit të kanabisit në Shqipëri i ka rrënjët te kushtet e vështira ekonomike me të cilat u përball vendi në fillim të viteve ‘90 dhe trazirat që ndoqën krizën e firmave piramidale në vitin 1997.
Megjithatë, ekonomia e paligjshme mori hov pas viteve 2000 me fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare, ndërsa dështimi i autoriteteve shtetërore për ta goditur fenomenin në një fazë të hershme, e zgjeroi ekonominë e kanabisit, duke arritur pikun në vitin 2016.
“Shqipëria është konsideruar prodhuesi më i madh i kanabisit të rritur në natyrë në Europë dhe pozicioni gjeografik – afërsia e saj me Greqinë dhe Italinë, ka stimuluar kultivimin e kanabisit ndër vite,” thotë Kristina Amerhauser, analiste me Inciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar.
Sipas Amerhauser, kalimi relativisht i lehtë i ngushticës së Otrantos në detin Adriatik me motorskafë të shpejtë e ka lehtësuar trafikimin e kanabisit drejt Italisë, por kanabisi shqiptar nuk kontrabandohet vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në Turqi dhe vende të tjera.
Goditjet policore
Sipas të dhënave të Policisë Shqiptare nga monitorimet e bëra nga ajri në bashkëpunim me ‘Gurdia di Finanza’, nga viti 2013 deri në vitin 2020 në Shqipëri u idenfikua më shumë 613 hektarë tokë e mbjellë me kanabis.
Deri në vitin 2013, fenomeni ishte i përqendruar në fshatin famëkeq të Lazaratit – i njohur dikur si ‘kryeqyteti europian’ i kanabisit, por pas ndërhyrjes së policisë në vitin 2014, u shpërnda në zona të tjera të vendit, duke arritur pikun në vitin 2016.
Në vitin 2017, qeveria shqiptare ndërhyri përsëri me forcë, duke e minimizuar fenomenin, por pa arritur ta eleminojë atë përfundimisht.
“Goditja e qeverisë shqiptare për kultivimin e kanabisit në 2017 e shtyu kultivimin në zona të thella dhe kontribuoi në një rritje të çmimit,” thotë Amerhauser.
Sipas një studimi të bërë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar, çmimi i kanabisit u pesëfishua në vitin 2020 duke arritur në 1500 euro për kilogram, nga 300-350 euro që kushtonte në vitin 2016.
“Kohët e fundit ne kemi vërejtur një tendencë drejt kultivimit në ambiente të mbyllura të kanabisit me cilësi të lartë dhe më të shtrenjtë, si në Shqipëri ashtu edhe nga shqiptarët jashtë vendit – më afër tregjeve fitimprurëse,” tha Amerhauser.
“Gjithashtu, ka një konkurrencë në rritje për trafikantët e kanabisit, pasi më shumë kanabis po prodhohet në vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor,” shtoi ajo.
‘Policia, më shumë në pjesë sesa armik’
Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri tregojnë se nga vitit 2013 deri në vitin 2019 u regjistruan 11,068 procedime për vepra penale të lidhura me kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve me 8328 të pandehur. Nga këto çështje, 4935 procedime u dërguan në gjykatë dhe 3739 të pandehur u dënuan.
Në vitin 2017, vala e goditjes policore kundër kultivuesve të paligjshëm të kanabisit preku edhe Valentinën. Por nëna e katër fëmijëve kujton se gjërat nuk kanë qenë gjithmonë keq prej kohës kur ajo u përfshi familjarisht në kultivimin e kanabisit në fillim të viteve 2000.
“Djali megjithë farefis e të njohur, bashkëfshatarë mbillnin hashash, afër përroit, shtrinin tubo për ujitje – në ato vite policia ishte më shumë në pjesë sesa armik,” kujton ajo.
Mbështetja e një pjesë të autoriteve policore për kultivimin e kanabisit nuk është një akuzë e padëgjuar në Shqipëri. Kristina Amerhauser thotë së lufta kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe në disa raste ka pasur mbështetje politike.
“Në periudha të ndryshme në të kaluarën, qeveria ka ndërmarrë hapa të fuqishëm për të goditur kultivimin dhe trafikimin e kanabisit,” tha Amerhauser. “ Por në raste të tjera, politikanë në nivele të ndryshme të qeverisjes kanë bërë një sy qorr ndaj problemit dhe madje në disa raste thuhet se kanë përfituar prej tij,” shtoi ajo.
Amerhauser shpjegon se gjatë kultivimit të kanabisit, grupet kriminale mbështeten në njerëz të zakonshëm për përkujdesjen dhe përgatitjen e bimës për t’u kontrabanduar, duke krijuar incentiva për fermerët që të përfshihen në këtë aktivitet kriminal.
Valentina tregon se në kohën e korrjes së kanabisit, familja e saj punësonte edhe gratë e fshatit dhe i paguante 1000- 1500 lekë në ditë. Kultivimi shtrihej nga 6 deri në 8 muaj punë, përpara se malli të thahej dhe të magazinohej për shitje.
“Mbillej hapur, punonim të gjithë, kishte të ardhura,” tha e moshuara. “Nuk kishte shumë shpenzime se nuk duhet të fshiheshe,” shtoi ajo.
Në vitin 2017, gjërat u vështirësuan. Dy nga djemtë e Valentinës u arrestuan në Itali për trafik lëndësh narkotike. E informuar nga përgjimet e palës italiane, edhe policia shqiptare nuk vonoi shumë dhe mbërriti në fshat në kërkim të djalit tjetër, ndërsa i sekuestroi Valentinës në shtëpi një sasi të madhe kanabisi.
“Djalin arritëm ta lajmëronim dhe i thamë të mos vinte lart, e mora përsipër vetë,” thotë e moshuara, ndërsa kujton bisedën me policët. “Të kujt e ke, trego o nëne – u thashë timen bir.”
Pas parainfarktit në komisariatin e policisë, Valentina u transferua në spital, por edhe atje ishte ‘në hekura si në burg.’ Pastaj doli në arrest shtëpie dhe u dënua me shërbim prove. Por liria nuk erdhi falas për Valentinën, e cila përfitoi gjithashtu nga mosha dhe nga shëndeti i rënduar.
“Avokati donte para, gjyqtarja donte para, pa lekë nga droga nuk bëhej kjo punë,” tha ajo. “Kemi shpenzuar 11 milionë lekë [të vjetra] dhe më mbeti edhe turpi, se nuk dilja dot nga dera,” shtoi 74-vjeçarja.
Përballja me ligjin nuk e largoi familjen e Valentinës nga kultivimi i bimës narkotike. Ajo tregon se këtë vit kultivuan pak, rreth 12.000 rrënjë, por një parcelë ia prenë dhe vetëm 7-8 mijë rrënjë mbetën.
Punën e këtij sezoni- pastrimin dhe të gjitha shërbimet e tjera ndaj bimës, Valentina i ka bërë vetë me nusen e djalit, por ajo është e pakënaqur me prodhimin, ndonëse përdorën ‘një farë të mirë 6-mujorëshe’.
“Me bujqësi jemi marrë gjithë jetën dhe tani me këtë punë,” tha e moshuara që dikur punonte në kooperativë bujqësore. “Nuk kemi si jetojmë ndryshe, fshati është i mbaruar,” përfundoi ajo.
Ka gra që janë në burg
Kanabisi është narkotiku më i përdorur në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Konsumi i tij ka regjistruar rritje të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit. Megjithatë, biznesi fitimprurës i grupeve kriminale ngrihet përgjithësisht mbi punën e krahut të grave dhe grupeve të margjinalizuara.
“Mbjellja, ruajtja, vjelja dhe përpunimi i kanabisit nuk është një jetë aq joshëse,” thotë Kristina Amerhauser. “Shumë nga njerëzit që bëjnë punën e krahut për kultivimin e bimës narkotike janë gra, si dhe njerëz nga komunitet e margjinalizuara,” shpjegoi ajo.
Arta, 50 vjeç, nga një fshat i Vlorës është një prej tyre. Ajo filloi të punonte në parcelat e kanabisit në vitet 96-97, kohë gjatë së cilës shumë gra të zonës u përfshinë si krah pune në përpunimin e boçeve.
Edhe pse risku ishte i madh, Arta thekson se shpërblimi prej 2 mijë lekësh në ditë ishte një shumë e konsiderueshme për kohën, çfarë i shtynte ato të ‘sakrifikoheshin’ për familjet e tyre.
“Ka gra që janë në burg apo edhe të tjera që janë në proces,” tha Arta, duke nënvizuar rreziqet e punës në këtë industri të paligjshme. “Mua për fat të mirë nuk më ka ndodhur të jem vënë në vështirësi për shkak të kësaj pune,” shtoi ajo.
Arta është nënë e tre fëmijëve dhe gjatë periudhës së regjimit komunist, ajo ka punuar në kooperativë bujqësore. Por vitet e fundit ajo s’ka pasur një profesion fiks dhe përveç punës në parcelat e kanabisit, ka gjetur punë nëpër restorante – në kuzhinë, banak dhe si pastruese.
Ajo shpjegoi se procesi i përpunimit të kanabisit është në varësi të bimës, pasi ka bimë tre mujorëshe, gjashtë mujorëshe dhe nëntë mujorëshe – me krasitje ose jo. Sipas Artës, kjo është një punë delikate, për të cilën përdoret një gërshërë e vogël – e ngjashme me ato që presin fijet në rroba dhe që duhet të punosh vetëm me dy gishta.
“Nuk është një proces i vështirë për femrat, ka dhe meshkuj që e bëjnë këtë punë shumë mirë, por janë shumë të paktë në numër,” tha Arta.
Gjatë vitit të fundit, Arta ka punuar për dy kultivues në përpunimin e kanabisit. Ajo tregoi se punëtorët paguhen me ditë pune ose me normë që shkon deri në 2 mijë lekë për kilogram. Kur ka prodhim të lartë – kryesisht gjatë periudhës së verës, kultivuesit nuk kanë leverdi t’i paguajnë punëtorët me normë.
Arta kujton se në periudhën që lejohej masivisht kultivimi i kanabisit, ajo punonte për 6 muaj, nga qershori në dhjetor. Në atë periudhë përpunimi bëhej në fshat, ose në një fshat tjetër të Vlorës. Kishte edhe njerëz që flinin në parcela dhe pastronin në vend. Shumë prej tyre kishin punuar më herët në Lazarat, ia dinin punës dhe punonin shumë shpejt.
Në vitin 2015, Arta provoi të mbillte vetë një parcelë më kanabis, por ia preu policia.
“Se kisha me shtet e ma prenë, s’më eci,” thotë ajo.
Nga fshati i Artës në atë kohë, me përpunimin e kanabisit merrej një grup prej 10 grash. Por në vitet e fundit, ky grup është përgjysmuar dhe përpunimi i boçeve bëhet larg syve të fshatit.
“Na çojnë në mal, në pyll – varet ku ndërtojnë kasollen,” tregoi Arta. “Nuk bëhet fjalë që kjo punë të bëhet afër zonave të banuara,” shtoi ajo.
Gruaja 50-vjeçare thotë se fshati i saj është i varfër, i persekutuar gjatë regjimit komunist dhe jo të gjithë kanë mundësi të ikin në qytet. Ajo punon tani në një dyqan rrobash të përdorura, ndërsa burri dhe djali e fitojnë jetesën si çobanë dhensh.
Arta ngushëllohet që i biri nuk i është futur rrugës së paligjshme të drogës, ndërsa është krenare për dy vajzat që studiojnë në universitet.
“Vajzat i kam pasur më të mbara, kanë mësuar,” tha Arta. “Ato më kanë ndihmuar këtë periudhën e pandemisë,” shtoi ajo.
Leku i shpejtë
Sipas ekspertëve, ka disa faktorë që kontribuojnë në fenomenin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, përfshi brishtësinë social-ekonomike të disa komuniteteve si dhe tërheqjen nga të ardhurat e shpejta e të lehta. Një tjetër faktor është modeli i kriminelit në Shqipëri –njerëz që ia kanë dalë të rrethohen me para dhe pushtet, duke u ndjekur si modele nga brezi i ri.
Gjithashtu, në zonat e vendit ku kanabisi është kultivuar për dekada, të rinjtë përfshihen në biznesin e kultivimit dhe trafikimit, duke e trashëguar si biznes familjar.
Renato, një skafist nga Vlora që trafikon prej vitesh ngarkesa kanabisi drejt Adriatikut, kujton se përfshirja e tij në biznesin e paligjshëm erdhi si pasojë e gjendjes së keqe ekonomike, por mbi të gjitha se i pëlqen leku i shpejtë.
“Gomonia ime është e frikshme, ka tre motora dhe ndaj e kam bërë të tillë, se nuk më pëlqejnë surprizat, por ama më pëlqejnë aventurat me adrenalinë dhe euro,” tha ai në një intervistë për BIRN.
Renato ka tentuar në të shkuarën të trafikojë mallin e tij, por nuk i ka ecur mbarë. Ai thotë se tani merret vetëm me transportin e lëndës narkotike për llogari të grupeve të tjera.
“Kohët e fundit vetëm skafistin kam bërë, se nuk doja të kisha stresin e mallit kur shkon andej, [pasi] kur punoja nuk më shihje asnjë ditë normal e të qetë,” tha ai. “Kur ecën puna ka lek, ka mirëqënie, ka lumturi,” shtoi ai.
Renato zotëron një flotilë të vogël me gomone, të cilat i blen për ‘shërbime turistike’ me një çmim deri në 3-4 mijë euro dhe më pas i modifikon që të jenë të përshtatshme, në fuqi dhe shpejtësi për rrugë dhe punë të paligjshme në det të hapur.
“Modifikimet kushtojnë, por është diçka e nevojshme nëse do të jesh në këtë treg,” shpjegoi Renato.
Sipas tij, transporti i kanabisit drejt Italisë kushton 250 deri 300 euro për kilogram, ndërkohë që ai paguhet 25.000-30.000 euro për rrugë, ndërsa ndihmësi merr 5.000-10.000 euro. Ndërkohë, nëse droga trafikohet në brigjet e Maltës apo të Turqisë, ka tjetër çmim për transportin.
“Zakonisht brigjet tona të ndalesës janë në Leçe, por edhe shumë të tjera në rast nevoje- ka raste dhe kur kemi devijuar në Mal të Zi apo Greqi,” shpjegoi ai.
Trafikanti nga Vlora thotë se çmimi i kanabisit kap një vlerë prej 1500 deri në 1800 euro kur mbërrin në brigjet italiane dhe shkon nga 2200 euro deri në 2500 euro nëse trafikohet deri në qendrat e mëdha metropolitane si Roma.
“Në këto kohë nuk mbillet shumë në Shqipëri, jo në sasira shumë të mëdha, ndaj vlera është rritur, por jo në maksimumin e saj,” tha ai.
“Shtëpitë e barit na kanë hapur shumë punë në kuptimin më të keq të fjalës, se Italia furnizohet nga Spanja më kollaj se nga ne, e me çmim më të mirë,” shtoi Renato.
Skafisti shpjegon se në shumicën e rasteve ata nisen ‘kur ka det’, sepse radari nuk arrin t’i dallojë skafet kur ka dallgë, ndërsa në det të qetë ecin në ‘minimo’ që mos të shkumëzojë helika dhe të pikaset nga radarët – të paktën sa të dalin nga ujërat shqiptare. Rruga zgjat maksimumi 3 orë, më përjashtim të rasteve kur ka surpriza nga Guardia di Finanza.
Renato kujton se kur e blinte vetë kanabisin, ai e siguronte atë në fshatrat e lumit të Vlorës dhe pasi e transferonte me dy ose tre fouristroda në zonën e grykëderdhjes së lumit Vjosa, punonin gjithë natën për t’a presuar.
Gjatë punës nuk lejohen telefonat celularë. Ata e mbështillnin kanabisin me letër alumin dhe e linin në një makinë larg nga vendi i punës. Përpara se malli të ngarkohej në gomone, ajo duhej kualiduar dhe duhej të ishte ‘full’ me karburant.
“Kur kam bërë unë rrugën e parë, kisha vetëm një busull të lodhur dhe eksperiencën e një skafisti të vjetër … e nuk njihja as brigjet e as rregullat e punës,” kujton Renato.
Tani kohët kanë ndryshuar dhe mjetet lundruese që ai përdor për të trafikuar kanabisin drejt Italisë janë të pajisura me teknologjinë e fundit. Renato shpjegoi se nëpërmjet telefonave të papërgjueshëm, ata nisin koordinatat në GPS në kohë reale, ndërkohë që bashkëpunëtorët në brigjet italiane i informojnë për çdo lëvizje të Guardia di Finanza.
“Por njëlloj siç është sofistikuar mënyra jonë në trafik, edhe policia nuk ka ngel mbrapa në teknologji,” tha ai dhe shpjegoi se kohët e fundit, italianët kanë futur në përdorim dronët për të monitoruar trafikun nga ajri.
Për shkak të përdorimit të dronëve nga italianët apo të ndonjë defekti, trafikantët shqiptarë janë detyruar disa herë që t’i devijojnë gomonet e tyre të shpejta në brigjet e Greqisë dhe Malit të Zi. Sipas Renatos, qëllimi primar është nxjerrja e mallit në treg.
“Rruga e shkuar dëm fare për ne nuk është kur kapen persona, puna e shkuar gropë është kur kapet malli,” tha Renato. “Sepse malli në treg i nxjerr dhe personat nga burgu,” shtoi ai.
Kristina Amerhauser thotë se të gjitha palët e përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit përfitojnë nga ky aktivitet i paligjshëm dhe kjo është arsyeja pse është aq e vështirë të përballesh me këtë fenomen.
Sipas analistes, pjesa më e madhe e të ardhurave gjenerohet nga grupet kriminale, të cilat krijojnë infrastrukturën në zonat ku bëhet kultivimi i kanabisit, e trafikojnë atë jashtë vendit dhe e shpërndajnë në rrugët e qyteteve të mëdha europiane.
Amerhauser thekson se nga ky biznes i paligjshëm përfitojnë edhe politikanë apo zyrtarë në strukturat e sigurisë – pa mbështetjen e heshtur të të cilëve nuk do të bëhej kurrë një biznes kaq i madh.
“Trajtimi i kësaj çështjeje në mënyrë të qëndrueshme, jo vetëm që do të kërkojë politika për zbatimin e ligjit dhe hapa për të luftuar korrupsionin, por gjithashtu ka nevojë për një qasje më strategjike zhvillimore dhe masa për të zvogëluar tiparet që nxisin dhe lejojnë që komunitete të caktuara të kultivojnë kanabis,” përfundoi ajo.
*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e personave të intervistuar. /BIRN/