Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Apelit Korçë, Etleva Temo, evidenton gjykimin e dhjetëra çështjeve në kushtet e konfliktit të interesit me palë ndërgjyqëse me të cilat kishin pasur marrdhënie financiare, ndërkohë mungesa e burimeve për krijimin e pasurive dhe disa transaksione fiktive në shit-blerjen e makinave vulosën shkarkimin e subjektit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 12 tetor 2020, shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit Korçë , Etleva Temo pasi u konstatuan mungesa financiare për krijimin e pasurive, deklarime të rreme, veprime fiktive në transaksionet e disa makinave si dhe konflikt interesi gjatë gjykimit të disa çështjeve.
Ndërkohë, Temo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Temo po kryhet nga trupi gjykues i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Olsi Komici relator dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm në seancë dëgjimore, Branko Hrvatin.
Etleva Temo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Në vitin 2014, Temo u promovua si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës, ku e ushtroi detyrën deri në shkarkimin e saj .
Transakasionet fiktive të makinave
Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares Temo, A.T. ka kryer dy transaksione në të njëjtën ditë, për të njëjtën makinë që zotëronte. Sipas KPK, më datë 13 shtator 2005 ai ka shitur për çmimin 250 mijë lekë një autoveture tip “Mercedes-Benz” 190 D, me vit prodhimi 1986, që e kishte blerë në vitin 2002 kundrejt shumës 200 mijë lekë. Po atë ditë, ka nënshkruar një tjetër kontratë për këmbimin e të njëjtës makinë, “Mercedes-Benz”, 190 D me një tjetër autoveturë tjetër prodhim të vitit 1999, të cilën Temo ka deklaruar se e ka shitur në janar të vitit 2007 kundrejt vlerës 9 mijë euro.
Në vendim thuhet se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2005 shitjen e autoveturës tip “Mercedes-Benz” 190 D për çmimin 250 mijë lekë.
Temo ka shpjeguar se automjeti i blerë në shtator të 2002-it është shkëmbyer me një makinë tjetër në vitin 2005 dhe se nuk disponohet asnjë kontratë shitje e këtij mjeti. Ajo ka pretenduar se është vënë në dijeni vetëm gjatë hetimit administrativ, se janë lidhur dy kontrata të ndryshme në të njëjtën ditë.
Komisioni vëren se nga verifikimi i dosjes origjinale të automjetit tip “Mercedes Benz” 190 D, pasqyrohet dokumentacioni i plotë për kontratat e shit-blerjes, që nga pronari i parë, tek kalimi i pronësisë në emër të bashkëshortit të subjektit në vitin 2002 dhe nga ky i fundit, te blerësi F.Ç. në vitin 2005, si dhe transaksione të tjera të mëpasshme.
“[…]nëse veprimi i shkëmbimit do të ishte veprim i rregullt sipas pretendimit të subjektit, dosja origjinale e automjetit me targa ***, në DPSHTRr, do të ishte në emër të shtetasit G.A. meqenëse ky shtetas e ka përfituar këtë automjet me anë të shkëmbimit”, konstaton trupi gjykues.
Komisioni evidenton faktin se mjeti që zotëronte bashkëshorti i subjektit ishte vit prodhimi 1986, i tipit 190 D, ndërsa ai i shtetasit G.A., i vitit 1999 . “Pra, ka një diferencë të theksuar të dy automjeteve duke krahasuar tipin, fuqinë motorrike dhe vitin e prodhimit”, vlerëson trupi gjykues dhe shprehet se nuk ka llogjikë ekonomike të tregut të makinave të bëhet një shkëmbim i tillë.
Gjithashtu, KPK konstaton se subjekti nuk ka depozituar asnjë provë nëse bashkëshorti i saj ka kryer shërbime që mund të rrisnin vlerën e mjetit që ai ka marrë prej G.A. në vitin 2005 nëpërmjet kontratës së këmbimit, duke e shitur në shumën 9 mijë euro në vitin 2007.
Komisioni ka zbuluar se kontrata e shitjes e vitit 2007 nuk është depozituar dhe regjistruar në DPSHTRr, por rezulton e regjistruar një tjetër kontratë e vitit 2008, sipas të cilës bashkëshorti i subjektit, A.T. ia ka shitur këtë mjet z. A.B. për çmimin 2 mijë euro.
Lidhur me kontratën e shitjes të vitit 2008, subjekti ka sqaruar se blerësi e kishte marrë makinën nga personi të cilit ia kishte shitur bashkëshorti në vitin 2007, por se ai nuk e kishte regjistruar në DPSHTRr dhe për këtë aryse nuk realizonte dot kalimin në pronësi të tij.
Trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk ka qenë bindëse në shpjegimet e saj dhe vëren se, megjithëse Temo pretendon për një veprim formal të bashkëshortit, duhej ta kishte deklaruar në vitin 2008.
“[…]bashkëshorti i subjektit, ka kryer veprime fiktive duke lidhur dy kontrata shitblerje për të njëjtin automjet, konkretisht, kontratën e shitblerjes, datë 25.1.2007, me vlerë 9,000 euro me blerësin S.Z., e cila nuk rezulton të jetë depozituar dhe regjistruar në DPSHTRr dhe kontratën e shitblerjes, datë 30.3.2008, me blerës A.B. për çmimin 2,000 euro, kontratë kjo e depozituar në DPSHTRr, por që nuk është deklaruar asnjëherë nga subjekti i rivlerësimit në DIPP”, citohet në vendim.
Sipas trupit gjykues, ky fiktivitet përforcohet edhe nga fakti se është pasqyruar një diferencë çmimi nga 9 mijë euro në kontratën e vitit 2007 – në 2 mijë euro në atë të vitit 2008. “[…]një diferencë komplet e pajustifikuar (pa dhënë asnjë arsye) për intervalin kohor kur janë firmosur këto kontrata dhe për logjikën e çmimeve në tregun e automjeteve”, konstaton KPK.
Komisioni konkludon se automjeti tip “Mercedes-Benz” 190 D nuk është disponuar nga bashkëshorti i subjektit në datën 13 shtator 2005, kur është bërë shkëmbimi, pasi po në këtë datë, ia ka shitur të njëjtën makinë shtetasit F.Ç.. Sipas KPK, nisur nga ky fakt, mungon burimi i krijimit të automjetit që G.A. i ka dhënë bashkëshortit të subjektit.
Konflikti i interesit
Trupi gjukyes ka hetuar lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm të gjyqtares Temo me personat me të cilët bashkëshorti ka kryer transaksionet me automjetet, prej nga ka rezultuar se në vitin 2018 ajo ka ka qenë pjesë e trupës që ka gjykuar një çështje civile në me paditës G.A. dhe i paditur UK Pogradec me objekt dëmshpërblim page. Procesi ka përfunduar më lënien në fuqi të vendimit në favor të shtetasit G.A., me të cilin bashkëshorti ka kryer kontratën e këmbimit në vitin 2005.
Subjekti e ka kundërshtuar gjendjen e saj në kushtet e konfliktit të interesit gjatë gjykimit të çështjes civile të G.A.. Ajo ka pretenduar se veprimi juridik i shkëmbimit të mjeteve ka qenë i përfunduar 13 vjet më parë dhe në kushtet kur nuk ka qenë pjesë e veprimit juridik nuk mund të ketë qënë në dijeni se bëhej fjalë për të njëjtin person.
Por, KPK vlerëson se gjyqtarja Temo është ndodhur në situatën e konfliktit të interesit, pasi kontrata e shkëmbimit mes G.A. dhe bashkëshortit të saj, ka qenë një veprim dukshëm në favor të këtij të fundit.
Një denoncim nga publiku ka zbuluar raste të përsëritura të konflikt të interesit në gjykimin e disa çështjeve ku palë kanë qenë dy persona me të cilët ka udhëtuar jashtë shtetit ajo vetë, bashkëshorti dhe djali.
Në vendim thuhet se Komisioni ka verifikuar në sistemin TIMS automjetet me të cilat subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë realizuar hyrje-dalje jashtë territorit shqiptar, prej nga ka rezultuar se të tre anëtarët e familjes Temo kanë pasur kanë kryer udhëtime në periudha të ndryshme me automjetet në pronësi të A.B. dhe A.M..
Nga përgjigjigjet e administruara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe ajo e Apelit Korçë ka rezultuar se Temo ka gjykuar 7 çështje civile të shtetasit A.B. dhe 1 çështje me palë A.M. në vitin 2009, kur edhe kanë udhëtuar familjarisht me makinën e këtij të fundit.
Komisioni nuk i vlerëson bindëse shpjegimet e subjektit se kanë udhëtuar në mënyrë rastësore me dy shtetasit A.B. dhe A.M. dhe se nuk ka pasur dijeni për disa prej udhëtimeve kur nuk ka qenë e pranishme.
“Subjekti nuk ka provuar nëse të dy këta shtetas ushtronin aktivitet shërbimi si taksi në mënyrë që të legjitimoheshin udhëtimet[…]”, shprehet trupi gjykues dhe konkludon se subjekti i rivlerësimit është ndodhur në situatën e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjeve të këtyre shtetasve.
Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se në llogarinë bankare të subjektit janë kryer depozitime të vlerave të ndryshme nga nëpunës të gjykatave ku ajo ka punuar, në mënyrë të vazhduar dhe për një periudhë të gjatë. Temo ka deklaruar se me këta shtetas ka marrëdhënie shoqërore pasi kanë punuar për shumë vite së bashku dhe se i kanë kryer pagesat në llogarinë e saj kur nuk kishte mundësi fizike t’i kryente vetë këto veprime.
Komisioni, megjithëse i quan joprofesionale këto veprime në interes të gjyqtares Temo, vlerëson se nuk mund të konsiderohen deri në atë masë sa të përbëjnë shkak për t’u konsideruar si cënim i etikës së figurës së gjyqtarit.
Në vendim evidentohen raste konflikti interesi të subjektit në pjesëmarrjen e saj në gjykime me palë “Albtelecom” sh.a., duke qenë vetë aksionere në këtë shoqëri.
Komisioni vëren se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj zotërojnë secili nga 50 aksione me vlerë 50 mijë lekë ose 0,000027 % pjesë të kapitalit të shoqërisë “ALbtelecom” sh.a..
Temo ka deklaruar se kur bashkëshorti i saj ka punuar në “Albtelecom” sh.a. ajo kishte dhënë gjitmonë dorëheqjen, kur palë kishte qenë edhe kjo shoqëri. Ajo ka shtuar se administratori i shoqërisë u kishte kërkuar të gjithë punonjësve të depozitonin letra me vlerë në këmbim të aksioneve, por se ajo nuk kishte qenë në dijeni.
Nga vendimet e vëna në dispozicion të KPK nga Gjykata e Apelit Korçë ka rezultuar se në 5 raste Temo ka qenë anëtare e trupit gjykues që ka gjykuar çështjet civile, me palë shoqërinë “Albtelecom” sh.a., të cilat kanë përfunduar në favor të kësaj shoqërie dhe një çështje pjesërisht në favor të saj. Ndërsa në një çështje që ka përfunduar po në favor të kësaj shoqërie ka qenë kryesuese e trupit gjykues.
Komisioni vëren se subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse në lidhje me mosdeklarimin e aksioneve në deklaratat periodike vjetore dhe në deklaratën Vetting, pavarësisht vlerës së vogël të tyre.
“[…]në rastin konkret të subjektit, në të cilën ka interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta, duhej të kishte deklaruar heqjen dorë nga gjykimi i çështjeve[…]”, shprehet trupi gjykues dhe vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me mosdeklarimin e aksioneve në shoqërinë “ALBtelecom” sh.a.. , si dhe ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.
Tjetër rast konflikti interesi i konstatuar nga Komisioni është edhe gjykimi i një çështje me palë ndërgjyqëse administratorin e një shoqërie kur kishte qenë i punësuar bashkëshorti i saj.
Nga analiza financiare e kryer në KPK rezulton se gjyqtarja Temo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë patur burime të mjaftueshme financiare për kryerjen e investimeve dhe të shpenzimeve të deklaruara, pasi për periudhën 2003-2016 kanë rezultuar me balancë negative në shumën 3 milionë e 216 mijë lekë.
Në përfundim, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Pamela Qirkon, konkludon se Temo ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë; ka kryer deklarim të rremë dhe veprime fiktive; se ka zhvilluar procese gjyqësore në situatë konflikti interesi. /BIRN/