Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama, i pasur në mënyrë të verbër nga media pro tij, u kapën në flagrancë gjatë kësaj të shtune, duke shpërndarë një “fake-news”, sipas të cilit gazeta amerikane Nju Jork Tajms (New York Times), e ka renditur vaksinën kineze kundër Covid-19, “Sinovac”, si të parën në botë për efektshmërinë kundër virusit pandemik.
Tymnaja e shpërndarë nga Rama gjatë inspektimit të procesit të vaksinimit të punonjësve të policisë me vaksinën kineze, u zbulua shumë shpejt nga një “fakt-check” i agjencisë franceze të lajmeve AFP, e cila konstatoi se shkrimi i gazetës amerikane ishte tjetërsuar tërësisht në rrjete sociale.
Në foto: Shkrimi i “AFP” mbi “lajmin e rremë” për vaksinën kineze
Në fakt, nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama kapet me “fake news-e” sa i përket çështjeve që lidhen me pandeminë, ndërkohë që ai ka ndjekur gjithashtu edhe një politikë çoroditëse mbi masat e parandalimit.
Piketat më të habitshme të prezantuara nga Edi Rama ishin ndryshimet radikale në qëndrime sa u përket përdorimit të maskave, dhunës verbale dhe përdorimit të vaksinave të caktuara.
Në asnjë rast, drejtuesi i Qeverisë nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të kërkuar ndjesë lidhur me çoroditjet që ka shkaktuar në opinionin publik.
Maskat
Në fillimet e pandemisë, Edi Rama deklaroi se përdorimi i maskave nuk ishte i përshtatshëm për përballimin e Covid-19.
“E kemi përsëritur vazhdimisht që për ata qe nuk janë të sëmurë, nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë!”, deklaroi ai në 18 Mars, vetëm pak ditë pasi vendi u vendos në karantinë mjekësore.
Ai foli me sigurinë e një eksperti të fushës, megjithëse formimi i tij profesional është shumë larg çështjeve të mjekësisë dhe në përgjithësi shkencave ekzakte.
Po me të njëjtën siguri bindëse, Rama nisi të tërhiqej nga deklarimi i parë lidhur me maskat.
Në 17 Korrik 2020, Rama, nëpërmjet profilit në rrjete sociale, shkruan: “..Duke ju kujtuar të mos harroni maskën në mjediset e mbyllura, ju uroj një të premte të mbarë..”
Pra, nga teza që përdorimi i maskave ishte i dëmshëm, kaloi në thirrjen që maska duhet përdorur në ambjente të mbyllura.
Kapërcimi më i madh ndodhi në 19 Tetor 2020, kur, nëpërmjet një prej daljeve të shumta publike, Rama kërcënoi: “Maskat do të jetë e detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, në çdo hapësirë publike dhe masa ndëshkimore do të zbatohet te të gjithë te fatura e dritave. Mos të ketë asnjë iluzion asnjë individ që ti shmanget gjobës”.
Në secilin prej këtyre rasteve, kryeministri foli me një bindje të plotë dhe tërësisht i vendosur, pavarësisht se ato që tha për maskat, nga Marsi në Tetor, shkonin tërësisht në të kundërt me njëra-tjetrën.
Armiku i padukshëm
Në mesin e muajit Mars 2020, rrjetet sociale në Britaninë e Madhe u mbushën me një video-montazh, në të cilën, nga njëra anë tregohej e drejtuesit të Policisë britanike që u kërkonte me përulje zbatimin e masave anti-covid dhe nga ana tjetër ishte lideri ushtarako-policor i Ugandës që sillej me stil-Gestapo.
Në foto: Pjesë nga videoja krahasuese “Britani-Ugandë”
Në fakt, britanikët shkuan larg në Afrikë. Një shembull të ngjashëm mund ta gjenin edhe në Shqipëri.
Në 20 Mars 2020, kryeministri Edi Rama iu drejtua kërcënueshëm qytetarëve të frikësuar nga përhapja e Covid-19.
“Policia dhe ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë, Durrës dhe në çdo zonë urbane duke ndjekur, fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarët. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta”, tha ai përmes një video-mesazhi nga shtëpia e tij.
Në foto: Ushtria shqiptare në rrugë për të luftuar “aleatët e virusit”
Pas këtij kërcënimi që lëshohej në eter nga Surreli, në periferi të Tiranës, rrugët e kryeqytetit u mbushën me autoblinda dhe mjete të tjera të rënda ushtarake.
Pamjet ishin tërësisht groteske, pasi, me një urdhër politik, artileria e rëndë u detyrua të tregonte dhëmbët ndaj një virusi, i cili nuk luftohet me predha anti-tanke.
Reagimi publik detyroi Ramën të tërhiqte ushtrinë në garnizone brenda pak orësh, por megjithatë ai vijoi me teorinë e frikës.
Një ditë më pas, në 21 Mars 2020, ai publikoi në rrjete sociale një video, me shënimin: “Zgjidhni e merrni, se forcat e rendit e kanë ndarë mendjen top dhe kanë përgjegjësinë historike të reagojnë pa asnjë tolerancë?”, ku shfaqeshin, sipas tij, policë spanjollë duke dhunuar qytetarë që nuk respektonin masat anti-covid.
Në foto: “Fake News” i shpërndarë nga Edi Rama
Në fakt, pamjet nuk lidheshin as me Spanjën dhe as me virusin. Ato ishin pjesë e një proteste në Tunizi. Rama kërkoi falje për publikimin e këtij “fake news”, megjithëse nuk u tërhoq nga leksiku terrorizues për qytetarët.
Vaksinat
Strategjia më çoroditëse e ndjekur nga Rama është ajo e blerjes/sigurimit të vaksinave anti-Covid.
Duke e konsideruar si një ndër elementët më të fortë të fushatës elektorale, Rama ka nevojë të dëshpëruar për të siguruar një dyzinë vaksinash.
Por, ky nxitim i kryeministrit e ka shndërruar procesin e vaksinimit në një frikë masive në popullatë.
Shqipëria u bë shumë shpejt pjesë e aleancës ndërkombëtare COVAX, e cila do t’u siguronte vendeve pjesëmarrëse vaksina kundër Covid-it, sapo ato të prodhoheshin.
Prodhimi i vaksinave nisi në vjeshtën e vitit 2020. Por, duke qenë se interesi botëror është shumë i lartë, kompanitë prodhuese, duke vlerësuar interesin e tyre ekonomik, nisë furnizimin e vendeve të mëdhaja.
Shtete të vegjël dhe pa peshë si Shqipëria, mund t’u vijë radha shumë vonë.
Në këto kushte, ambasada Moskës në Tiranë iu afrua qeverisë shqiptare për t’i furnizuar me vaksinën ruse “Sputnik V”.
Në foto: Ftesa e ambasadës ruse për të furnizuar Shqipërinë me “Sputnik V”
Me një megalomani të pakuptimtë, Edi Rama iu përgjigj kësaj oferte me ironi të pavend, në 28 Dhjetor 2020.
“Mendova se ishte një meme, pasi për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk është mirë që Rusia të bëhet qesharake, nëpërmjet këtyre postimeve. Shpreh keqardhjen për këtë!”, deklaroi ai në një takim me gazetarë.
Dy muaj më pas, qeveria Rama siguroi, nëpërmjet një rrugë diplomatike të paekspozuar, një paketë me vaksina ruse. Tashmë, vaksinat ruse janë të mira dhe të efektshme.
Dhe, jo vetëm ato, por edhe vaksinat kineze, të cilat qeveria shqiptare i bleu shumë shtrenjtë, nëpërmjet një ndërmjetësimi nga Turqia.