Bota po përballet me një shtim të armëve bërthamore. Për ta ndaluar këtë, fuqitë bërthamore duhet të veprojnë, shkruan The Economist
Tridhjetë e një shtete, nga Brazili te Suedia, kanë menduar për ndërtimin e armëve bërthamore në një kohë të caktuar. Shtatëmbëdhjetë shtete filluan një program zyrtar për prodhimin e armëve. Vetëm dhjetë prodhuan realisht një bombë. Sot, nëntë shtete zotërojnë armë bërthamore, jo më shumë se ç’ishin një çerekshekulli më parë. Megjithatë, lufta e gjatë për të ndaluar përhapjen e armëve më vdekjeprurëse në botë, do të bëhet më e vështirë.
Në 20 vitet e fundit, shumica e vendeve me ambicie bërthamore kanë qenë shtete pa shumë peshë gjeopolitike, si Libia dhe Siria. Në dekadën e ardhshme, kërcënimi ka të ngjarë të përfshijë pesha të rënda ekonomike dhe diplomatike, ambiciet e të cilave do të ishin më të vështira për t’u frenuar.
Ndikimi rajonal në rritje i Kinës dhe arsenali bërthamor në rritje i Koresë së Veriut, shqetësojnë Korenë e Jugut dhe Japoninë, dy nga fuqitë më të mëdha të Azisë. Sjellja agresive e Iranit dhe programi i tij bërthamor, trembin Arabinë Saudite dhe Turqinë. Përhapja e armëve nuk është një reaksion zinxhir, por është si një sëmundje ngjitëse. Nëse tentativat për frenimin e armëve bërthamore dobësohen, ato mund të dështojnë shpejt.
Shenjat bërthamore janë të këqija
Përpjekjet për kontrollin e armëve midis Amerikës dhe Rusisë, në vitet 1991-2010, që rezultuan në eliminimin e 38,000 mbushjeve të raketave, një rënie prej 79%, tashmë janë lënë pas dore. Më 26 janar, presidentët Joe Biden dhe Vladimir Putin ranë dakord për të zgjatur edhe për pesë vjet paktin e fundit të mbetur midis dy shteteve, traktatin Fillimi i Ri. Kjo lëvizje është e mirëpritur, por nuk ka shumë perspektiva për të ardhmen.
Nga ana tjetër, Kina, India, Koreja e Veriut dhe Pakistani, po zgjerojnë dhe modernizojnë forcat e tyre bërthamore. Nuk po bëhet një përparim i mirë drejt çarmatimit global, qëllimi përfundimtar i Traktatit të Mos-Përhapjes (NPT). Një traktat i ri që ndalon prodhimin e bombës bërthamore, i cili u nënshkrua nga 86 shtete dhe hyri në fuqi më 22 janar, thjesht reflekton zhgënjimin e vendeve që nuk zotërojnë një armë bërthamore dhe nuk arrin ndonjë gjë të madhe.
Nëse armët bërthamore nuk do të zhduken dhe kërcënimet e sigurisë po rriten, disa shtete mund të tundohen të prodhojnë vetë një bombë bërthamore. Disa dekada më parë, Amerika mund t’i mbante nën kontroll aspirantët e armëve bërthamore, duke kërcënuar të tërhiqte garancitë e sigurisë ndaj aleatëve të pasigurt, si Tajvani, dhe duke përdorur sanksione dhe forcë ushtarake për të shkurajuar armiqtë si Iraku.
Por në kohët e sotme, ndikimi i fuqisë amerikane është më i dobët. Mandati i trazuar i Donald Trump ka mbjellë dyshime në lidhje me gatishmërinë e Amerikës për të mbrojtur aleatët dhe për të zbatuar rregullat. Dhe këto dyshime do të vazhdojnë, sado që zoti Biden kërkon të rivendosë politikën e jashtme tradicionale.
Shembujt
Marrim për shembull ombrellën bërthamore që ka shtrirë Amerika mbi aleatët aziatikë. Ajo mbështetet në premtimin se, nëse Koreja e Veriut apo Kina godasin Seulin ose Tokion, Amerika do të hakmerret kundër Phenianit ose Pekinit. Për dekada me radhë, Amerika mund ta lëshonte këtë kërcënim duke qenë e sigurt se qytetet e saj ndodheshin jashtë rrezeve të raketave të Koresë së Veriut. Por tashmë kjo nuk është më e sigurt. Një sulm amerikan ndaj Phenianit do të vinte në rrezik San Franciskon.
Kjo gjë mund ta bëjë Biden të ngurrojë për të vepruar – një llogaritje që mund të nxisë Kim Jong Un të sulmojë Seulin. Nuk është çudi që, veçanërisht në kohë krizash, shumica e koreanojugorëve thonë se do të dëshironin rikthimin e armëve bërthamore taktike amerikane që u tërhoqën nga tokat e tyre në vitin 1991 ose, në vend të kësaj, do të dëshironin një bombë të prodhuar nga vetë Koreja e Jugut.
Në demokracitë si Koreja e Jugut, Japonia dhe Tajvani, ambiciet bërthamore zbuten nga realiteti politik. Por Lindja e Mesme është e ndryshme. Marrëveshja bërthamore që kufizon programin bërthamor të Iranit po shembet. Edhe nëse zoti Biden e rivendos atë, shumë prej dispozitave të saj skadojnë brenda një dekade. Nëse Irani do të japë në çdo kohë sinjalin se do të prodhojë armë bërthamore, Arabia Saudite nuk do të dëshirojë të mbetet prapa. Princi saudit Muhamed bin Salman, ka pak kontrolle të brendshme mbi autoritetin e tij dhe mjaft plane ambicioze për teknologjinë bërthamore. Më pas edhe Turqia mund të ndjekë të njëjtin shembull.
Nëse rendi bërthamor fillon të shpërbëhet, do të jetë pothuajse e pamundur të ndalet. Prandaj është e rëndësishme të veprohet sa më shpejt. Amerika, Kina, Europa dhe Rusia kanë një interes të përbashkët për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore. Rusia ashtu si Amerika, nuk dëshiron që Irani të kthehet në një fuqi bërthamore. Ideja e Japonisë të armatosur me armë bërthamore do të ishte një nga makthet e Kinës. Marrëveshja bërthamore iraniane në vitin 2015, tregoi se rivalët mund të angazhohen së bashku për të frenuar përhapjen e armëve.
Fuqitë bërthamore duhet të fillojnë me gjërat themelore. Amerika dhe Rusia ende zotërojnë 90% të raketave bërthamore të botës, kështu që çdo përpjekje duhet të fillojë me to. Tani që traktati Fillimi i Ri do të zgjerohet, ata duhet të nisin të punojnë për një marrëveshje të ardhshme që do të përfshinte armë të tjera, si avionët hipersonikë dhe raketa me rendiment të ulët, të cilat Rusia i ka me shumicë.
Duhen diskutuar edhe ide më radikale. Amerika operon nëpërmjet një treshe forcash bërthamore: kapanone në tokë, nëndetëse në det dhe bombardues në ajër. Tërheqja e raketave me bazë në tokë, do të demonstronte një përparim të vërtetë drejt çarmatimit, pa dëmtuar strategjinë e përmbajtjes.
Kontrolli i armëve midis Amerikës dhe Rusisë mund ta bindë Kinën se arsenali i saj ekzistues mund t’i mbijetojë një sulmi, duke shmangur rritjen destabilizuese të forcave të saj. Përmbajtja kineze, nga ana tjetër, do të qetësonte Indinë dhe Pakistanin.
Roli më i rëndësishëm i Amerikës në qetësimin e tensioneve me Korenë e Veriut dhe Iranin, mbetet vlera e saj si aleat dhe këtu zoti Biden tashmë ka premtuar të riparojë lidhjet. Edhe nëse një presidencë nuk është e mjaftueshme për të rivendosur plotësisht besimin, zoti Biden duhet të fillojë duke përforcuar ombrellën bërthamore të Amerikës mbi Japoninë dhe Korenë e Jugut. Kjo përfshin rolin e trupave amerikane në terren, të cilët shërbejnë jo vetëm si një linjë mbrojtëse, por edhe si një siguri për aleatët dhe një paralajmërim për armiqtë se Amerika nuk do të qëndronte pa ndërhyrë në rast konflikti.
Që të ndalohet përhapja bërthamore, ajo gjithashtu duhet zbuluar. Agjencitë e inteligjencës janë përqendruar në mënyrë të kuptueshme në shtetet e dyshimta, si Irani. Vëmendja e tyre duhet të zgjerohet për të përfshirë paralajmërimet e ndryshimeve të hershme në teknologjinë bërthamore, opinionin publik dhe qëllimet politike në vende si Koreja e Jugut ose Turqia.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, vëzhguesi më i madh bërthamor në botë, bën një punë të lavdërueshme për të monitoruar qendrat civile bërthamore dhe për të kontrolluar programin e Iranit me një regjim të fortë inspektimesh. Megjithatë, agjencia është e mbingarkuar dhe pa financim të mjaftueshëm, dhe duhet të përditësohet vazhdimisht me ndryshimet teknologjike.
Kujdes nga shenjat paralajmëruese
Në botë tani po ndodhin shumë gjëra. Por kjo nuk do të thotë se duhen zvogëluar rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore. Diplomacia e sotme bërthamore mund të duket një punë e vështirë, por nuk është asgjë në krahasim me paqëndrueshmëritë vdekjeprurëse që do të lindin sa herë që rivalët rajonalë të armatosur me armë bërthamorë përballen me njëri-tjetrin. Nuk duhet humbur më kohë për të vepruar.
Rendi bërthamor
Nëse rendi bërthamor fillon të shpërbëhet, do të jetë pothuajse e pamundur të ndalet. Prandaj është e rëndësishme të veprohet sa më shpejt. Amerika, Kina, Europa dhe Rusia kanë një interes të përbashkët për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore. Rusia ashtu si Amerika, nuk dëshiron që Irani të kthehet në një fuqi bërthamore. Ideja e Japonisë të armatosur me armë bërthamore do të ishte një nga makthet e Kinës. Marrëveshja bërthamore iraniane në vitin 2015, tregoi se rivalët mund të angazhohen së bashku për të frenuar përhapjen e armëve.