Është dhënë sot masa e sigurisë “arrest në burg” për pedofilin 31-vjeç Petrit Pire, i arrestuar dy ditë më parë pas akuzave ndaj tij të një 13-vjeçari nga fshati Moravë, që e ka akuzuar se e ka prekur seksualisht në organet gjenitale.
Petrit Pire, nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës ka dalë sot përpara togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë. Ka qënë prokurori Dritan Gripshi, që në bazë të provave dhe dëshmive të grumbulluara i ka kërkuar gjykatës “vlerësimin të ligjshëm” të arrestimit të tij, për veprën penale “ngacmim seksual” dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” pa afat.
Mësohet se pedofili Petrit Pire, i pyetur në seancë, nuk ka pranuar ta ketë prekur të miturin. “Unë jam njohur me 13-vjeçarin nëpërmjet lojës Free Fire që luanim prej disa muaj bashkë në internet, ku ishin edhe 2 lojtarë të tjerë. Pasi pashë profilin e tij dhe meqë jetonim afër njëri-tjetrit i kërkova të takoheshim nga afër.
Kam shkuar në afërsi të një reparti ushtarak në fshatin Moravë ku ai jetonte dhe kisha marë me vete edhe 2 sufllaqe, të cilat i kisha blerë për ti ngrënë së bashku.
Kam qëndruar 30 minuta me të, derisa mbaruam ushqimin dhe jam larguar për në banesën time, nuk e kam prekur në asnjë moment”-ka thënë në sallën e gjyqit Petrit Pire.
Gjyqtari Pëllumb Zaimi, pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe pretendimet e palëve, ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e Petrit Pires dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat.
Burime të besueshme nga Prokuroria e Beratit bëjnë me dije se, ka dyshime se 13-vjeçari G.Ç nuk është e vetmja “pre” e pedofilit 31-vjeçar Petrit Pire.
Për këtë arsye prokuroria ka sekuestruar telefonin e Petrit Pires për ta analizuar dhe për të parë kontaktet e tij me të tjerë fëmijë, me të cilët ka qënë në kontakt të vazhdueshëm nëpërmjet lojës Free Fire, ku kishte profilin “police”.
Ngjarja
Arrestimi i 31-vjeçarit Petrit Pire u krye mbrëmjen e së hënës në banesën e tij. Ngjarja kishte ndodhur 2-javë më parë por i mituri nuk u kishte treguar prindërve. Të hënën ai u kishte treguar familjarëve dhe ata e kanë shoqëruar në polici për të denoncuar ngacmimin seksual.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, 13-vjeçari ka treguar gjithçka kishte ndodhur, në prani edhe të një psikologu. I mituri ka treguar se ishte njohur me Piren në lojën Free Fire dhe pasi e kishte ftuar për tu takuar, ai kishte shkuar.
I mituri ka treguar se Pire i ka zbërthyer pantallonat, ja ka ulur poshtë dhe e ka fërkuar në organet gjenitale. 13-vjeçari është trembur, ka bërtitur dhe është larguar me vrap.