Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur procesi gjyqësor ndaj gazetares Juli Ristani, gazetës Shqip online dhe gazetës BoldNews.al. Padia është ngritur nga zonja Belioza Çoku, ish shefe kabineti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe aktualisht shefe kabineti në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Shkak janë bërë 7 artikuj investigues të shkruar nga gazetarja Juli Ristani dhe të publikuar në gazetën Shqip online dhe më pas në BoldNews.al dhe media të tjera online në vend.
Investigimi, që nisi në 6 gusht të 2020-tës, bëri të ditur për publikun, mënyrat se si zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, në dijeninë e plotë të ministres së asaj kohe, zonjës Olta Xhaçka, manipuluan listën me fituesit e bursave të NATO-s. Sipas listëmeritës, në bazë të notës mesatares dhe pikëve të testimeve intelektuale dhe fizike, u rendit i pari Aldo Bledar Graceni.
18 vjeçari ishte fitues i bursës së plotë, për të ndjekur studimet në degën Mjekësi Ushtarake, në Akademi Ushtarake, në Greqi.
Më datë 3 gusht 2020, një zonjë me emrin Belioza Çoku, shefe kabineti e Ministrisë së Mbrojtjes, mori në telefon, në orën 20.17 të darkës, babanë e djalit fitues, zotin Bledar Graceni.
Duke folur në emër të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, kjo zyrtare për rreth 15 minuta, e ka shantazhuar dhe i ka ushtruar atij presion të vazhdueshëm psikologjik duke i thënë, se do të procedohen penalisht, nëse nuk tregojnë, se si ka rënë në duart e tyre, listëmerita, ku djali i tyre renditej i pari.
Sipas dëshmisë së babait të djalit, zotit Bledar Graceni, dhënë për gazetën “Shqip”, dhe deklaratës noteriale të tij, dorëzuar si provë në gjykatë nga ana e gazetarës Juli Ristani, thuhet se kjo zonjë, kërkonte ta bindte familjen e fituesit, që të mendonte të kundërtën, se djali nuk e meriton fitoren, dhe se ata nuk duhet të vazhdonin ta kërkonin të drejtën e tyre.
Zonja Çoku zgjodhi t’ja komunikonte “zyrtarisht” këtë lajm familjes, jashtë orarit dhe kanaleve zyrtare dhe këtë gjë e pranon edhe ajo vetë, në padinë e ngritur në gjykatë.
Në padinë, që zonja Belioza Çoku ka ngritur ndaj gazetares Juli Ristani, gazetës Shqip online dhe BoldNews.al, kërkon:
1. Detyrimin e palëve të paditura, t’i paguajnë dëmin jopasuror paditëses, në vlerën e 5 milionë lekëve të reja, si dhe vlerën e kamatave ligjore deri në shlyerjen e plotë të detyrimit, pasi në mënyrë të kundraligjshme dhe me faj, i kanë shkaktuar zonjës Çoku cënim të personalitetit, reputacionit të saj dhe integritetit të figurës, nga publikimi i të dhënave të pasakta dhe mashtruese, konform nenit 608 të Kodit Civil….
2. Detyrimin e palëve të paditura që të përgënjeshtrojnë publikisht cënimin e figurës së palës paditëse, për shkak të publikimit të të dhënave të pasakta dhe mashtruese, bërë ndaj palës paditëse, konform nenit 617 Kodit Civil….
Kërkesë padia e ngritur nga zonja Çoku, në një vlerësim të parë bërë nga ekspertë të Jurisprudencës, e madje edhe nga studentë Bachelori të Fakultetit të Drejtësisë, është një padi e dobët, që në fakt nuk ka për qëllim të fitojë 50 milionë lekët e vjetra, dhe përgënjeshtrimin e këtyre “të dhënave të pasakta dhe mashtruese”.
Qëllimi i vërtetë është të frikësojë, të stepë, të trembë, t’u mbyllë gojën gazetarëve.
Qëllimi i vërtetë është të shpërqëndrojë vëmendjen e publikut nga thelbi i çështjes, që është:
1. Pse u manipulua renditja e kandidatëve. Kush e bëri dhe çfarë përgjegjësie mbajnë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes?
2. Kush siguron se ky manipulim në mes të ditës, dhe shantazhi në darkë, bërë nga zonja
Belioza Çoku, ish shefe e kabinetit, në emër dhe dijeni të plotë të eprores, zonjës Olta Xhaçka, nuk do të bëhet përsëri, me një “Aldo” tjetër në Shqipëri?
3. Kush do të gjykohet dhe dënohet për këtë çështje?
Kjo është manovër, që zonja Çoku, e cila nuk justifikon dot telefonatën, përmbajtjen e saj, orarin, dhe shantazhin ndaj familjes së Aldo Gracenit, luan rolin e të cënuarës, të asaj që është fyer, është denigruar, e madje edhe diskriminuar politikisht, më qëllim që publiku, të mos përqëndrohet më tek çështja “Graceni”, mundësisht ta harrojë sa më parë.
Kërkesë padia e paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga ish shefja e kabinetit Belioza Çoku e ka në fakt një emër, klasifikohet në një grupim.
Quhen Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (Strategic Lawsuits Against Public Participation – SLAPP). Këto padi kanë nisur të praktikohen vitet e fundit në Shqipëri.
Paditë SLAPP janë padi, që prima facie kuptohet fare lehtë, se nuk janë të bazuara në fakte, dhe se do të jenë të pasuksesshme në gjykatë. Përmes tyre, paditësi nuk synon të fitojë rastin, por ka për qëllim, që të frikësojë dhe dekurajojë gazetarët nga raportimi i mëtejshëm i çështjeve me interes publik, duke i detyruar ata të kalojnë nëpër procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore.
U takon gjykatësve, që duke zbatuar jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ta ndalojnë këtë praktikë sa nuk e ka dëmtuar më shumë gazetarinë dhe lirinë e brishtë të fjalës, në Shqipëri.
Në mbrojtje të shkrimeve të realizuara nga gazetarja Juli Ristani dhe të publikuara nga gazeta Shqip online, e më pas gazeta BoldNews.al e media të tjera serioze në vend, janë shprehur Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Prezenca në Shqipëri, e cila po e ndjek procesin gjyqësor.
Siç pohojnë zyrtarë të OSBE-së, ky proces është raportuar edhe në selinë qëndrore në Vjenë, dhe se rasti po ndiqet edhe nga organizata evropiane për mbrojtjen e gazetarëve në Evropë.
Rrjeti Ballkanik Investigativ BIRN, po i ndjek gjithashtu nga afër seancat gjyqësore.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, doli me një deklaratë më 1 dhjetor 2020, kundër padisë së ish shefes së kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj gazetares Juli Ristani dhe dy mediave, Shqip online dhe BoldNews.al.
UGSH e denoncon këtë padi, si një akt të pastër presioni ndaj raportimit të lirë, ndaj pengesave dhe vështirësive për respektimin e ligjit për të drejtën për informim dhe cungimit të transparencës publike prej administratës publike, përfshi edhe atë të Mbrojtjes.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaron se do ta ndjekë me përparësi këtë proces gjyqësor të iniciuar nga zyrtarja në fjalë, ndaj një gazetareje profesioniste dhe se e konsideron këtë një proces, që cënon rëndë imazhin e marrëdhënieve mes gazetarëve, mediave dhe nëpunësisë së administratës publike të vendit.
Ndërsa Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias, (Legal Advisor
European Centre for Press and Media Freedom, ECPMF | Legal Advisor) me qendër në Gjermani, ka ofruar që në nisje të procesit, asistencë të plotë juridike për gazetaren Juli Ristani dhe dy avokatët e saj mbrojtës, në këtë proces gjyqësor.
/Nga Gazeta Shqip/