Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se vdekjet dhe infektimet nga COVID-19 në vend janë nga më të lartat në botë dhe akuzoi qeverinë se nuk po jep asnjë ndihmë.
Vasili tha sot se të gjitha llojet e masave të marra ishin masa politike dhe elektorale.
Sipas tij, ‘kufizimet pa kuptim, mbyllja me orare pa asnjë vlerë, gjobitja e dhjetëra mijëra qytetarëve, mbi 80 e ca mijë qytetarë janë gjobitur, ishin sigurisht masa të cilat kishin kuptim vetëm që të krijonin presion, në emër të qëllimeve politike dhe jo në emër të përballimit të pandemisë’.
‘Të gjithë ju sot, më shumë se kurrë më parë keni pritur dhe prisni që qeveria t’iu mbështesë në vështirësitë e mëdha me të cilat po ndesheni, për shkak të pandemisë së Covid 19. Është një fakt shumë i rëndë që shifrat e vdekshmërisë, por edhe të prekjes dhe infektimit të qytetarëve, janë në nivelet më të larta botërore.
Pra vdekshmëria dhe infeksioniteti janë në nivelet më të larta botërore. Është shumë e qartë për këdo, që të gjitha llojet e masave të marra ishin masa politike dhe elektorale. Kufizimet pa kuptim, mbyllja me orare pa asnjë vlerë, gjobitja e dhjetëra mijëra qytetarëve, mbi 80 e ca mijë qytetarë janë gjobitur, ishin sigurisht masa të cilat kishin kuptim vetëm që të krijonin presion, në emër të qëllimeve politike dhe jo në emër të përballimit të pandemisë.
Të gjithë ju sot, i keni sytë dhe keni shpresuar se qeveria do t’u përgjigjej atyre qindra mijëra të sëmurëve të cilët ndodhen në banesat e tyre, të cilët nuk kanë asnjë ndihmë ekonomike e shëndetësore, për të përballuar situatën.
Çdo i sëmurë që trajtohet në banesë, kërkon barna dhe shërbime mjekësore, të cilat nuk ka mundësi t’i përballojë. E para, sepse nuk ka mundësi ekonomik edhe e dyta është detyrim ligjor në çdo kohë e jo më në pandemi, që këto para, kjo ndihmë duhet t’u jepej vetëm e vetëm nga shteti i tyre.
Por ju sot shikoni, që në vend që t’i kthejë përgjigje kësaj situate kritike që shohim përditë, mijëra të infektuar janë përditë, mesatarja e vdekjeve është dyfishuar nga pak javë më parë, duke arritur nivelet më të lata botërore, shikoni sesi kryeministri bën sikur inspekton vaksinimin’, tha ai.
Sipas Vasilit, të gjithë e dinë, edhe profesionistët e shëndetësisë, duke iu drejtuar atyre në këtë rast, që sasia e vaksinave është një sasi tërësisht e pamjaftueshme dhe qesharake, për të përballuar situatën.
‘Procesi i vaksinimit patjetër le të eci, është i mirëpritur, do të duheshin dhjetëra herë më shumë sasi vaksinash. Por në derën e çdo shqiptari, në mënyrë kritike janë mijëra të sëmurë, që infektohen përditë, që kanë probleme të mëdha për sigurimin e barnave, të cilat kushtojnë sa qimet e kokës.
Që kanë nevojë për oksigjen, kanë nevojë për kujdes infermieror. Pra të gjitha injeksionet që bëhen në banesë, e të gjitha këto po zhvillohen patjetër, se nuk ka një rrugë tjetër, në mënyrë private, duke i kushtuar shqiptarëve dhe xhepave të tyre qindra e mijëra, e miliona lekë, e duke krijuar një dramë shëndetësore e ekonomike.
Në rastet fatlume kur pacientët shkojnë mirë, të nesërmen e këtij lajmi shumë të mirë, pllakos lajmi i rëndë dhe krijimi i një qorrsokaku të tmerrshëm, sepse nuk kanë mundësi të lajnë borxhet e tyre. Pra kalohet nga një dramë në tjetrën’, deklaroi nënkryetari i LSI.
Ai tha se kjo qeveri dhe ky kryeministër për t’i ikur problemit, bën sikur inspekton vaksinimet.
‘Bën sikur shëtit nëpër Shqipëri duke i hallakatur njerëzit nëpër stadiume ditën për diell, përtej çdo rregulli vaksinues e ndërkohë nuk i ka dhënë përgjigje me vaksinimin asnjë kategorie të caktuar. Duhen minimumi 65-70 mijë vaksina së paku për të vaksinuar personelin mjekësor. Personeli mjekësor nuk është vetëm mjek.
Është dhe infermieri. Dhe sanitarja që shërben dhe punonjësit e tjerë ndihmës. Kushdo që lëviz në një ambient spitalor ka nevojë patjetër të vaksinohet. I gjithë personeli shëndetësor. Ai që shërben në spitalet publike, por dhe ai që shërben në spitalet private duhet vaksinuar.
Nuk ka ndarje në këtë çështje. Pasi dhe në shërbimin privat trajtohen qindra e mijëra pacientë e qytetarë. Pa i dhënë asnjë lloj përgjigje, pa shteruar një çështje të caktuar, pra ushtria që shërben, e mjekëve, infermierëve, atyre që ngrenë barelat, atyre që ndihmojnë të sëmurët në të gjitha format, pa i dhënë përgjigje kësaj, kryeministri ynë i famshëm bashkë me ministren përqark bëjnë shoë sesi po vaksinojnë 300-500 apo 700 të moshuar.
Edhe për të moshuarit mbi 80 vjeç, që janë mbi 80 e ca mijë. Vetëm për ta duhen minimalisht 180 deri ne 200 mijë vaksina’, tha Vasili.
Sipas tij, rreth 20 e ca mijë vaksina nuk zgjidhin asgjë.
‘Megjithatë ua them sërish. Le të vazhdojë ky vaksinim, ashtu i copëtuar, pa strategji që kafsho këtu, kafsho atje pa krijuar asnjë bllok që mbron një shtresë të caktuar, konsolidon një ekip të caktuar, të paktën jep garanci absolute që shërbimi shëndetësor është i mbrojtur e mund t’u shërbejë qytetarëve, por kuptohet sharlatanizmi dhe përdorimi politik na ka sjellë në këtë situatë.
Por qytetarët presin përgjigje të menjëhershme, sepse mbi 120 milionë euro dalin nga xhepat e tyre. Ndërkohë që vetëm më pak se 100 e ca mijë euro kanë dalë nga xhepat e qeverisë. Është një dramë ekonomike që po i shkatërron shqiptarët edhe nga pikëpamja shëndetësore dhe nga pikëpamja psikologjike dhe nga pikëpamja ekonomike. Dhe po u përgatit një të nesërme të tmerrshme.
Çfarë e pengon qeverinë të heqë para nga koncesionet, të heqë para nga djegëset, plehrat, inceneratorët dhe t’i vendosë në dispozicion të qytetarëve të varfër?
Por kjo llogari nuk duhet të lëvizë. Këto tendera nuk duhet të lëvizin. Të gjithë tenderat e zyrave luksoze e të gjitha shpërdorimeve gjithfarësh siç i keni parë që denoncojmë përditë, nuk lëvizin, ndërsa qytetarët enden rrugëve pa para në xhep, nën peshën e sëmundjes, nën një dëshpërim të madh edhe moral’, tha Vasili.
Ai theksoi se koha e fjalëve të bukura ka mbaruar, por se opozita pa reshtur e ka bërë dhe do ta bëjë punën e saj.
‘Duke treguar rrugën sesi zgjidhet kjo çështje. E kemi treguar në mënyrë profesionale. E kemi këshilluar. Kemi treguar se në ç‘mënyrë duhet të veprojnë. Idiotësitë e orës 6, e orës 8, e orës 10, e orës 12, prodhuan rezultatin katastrofik ku Shqipëria sot është me numrin më të lartë të vdekjeve dhe të të infektuarve për 1 milionë banorë.
Kjo tallje tragjike, ky shpërdorim makabër me shtetin shqiptar po jep dhe ka dhënë pasoja katastrofike, që rëndojnë vetëm mbi kryeministrin Edi Rama, i cili mori përsipër këtë keqpërdorim dhe këtë keqmenaxhim të padëgjuar të një pandemie shumë kritike, e cila u ndodh në duart më të këqija për hallin dhe ditën e zezë të shqiptarëve.
Ne do vazhdojë dhe e kemi shumë te qartë sesi zgjidhet kjo pandemi. Po të na kishin dëgjuar, do ishin kursyer mjaft jetë njerëzish por dhe infektime. Për këtë mbi ta bie një faj shumë i madh dhe do të shqyrtohet deri në fund. Do të ndiqet dhe me të gjitha rrugët e drejtësisë.
Se mbi të rëndojnë jetë njerëzish. Por ne pa u lodhur në emër të ndërgjegjes qytetare, në emër të ndërgjegjes profesionale do vazhdojmë ta këshillojmë, do vazhdojmë të ngremë zërin që ky kurs i gabuar, i shtrembër që bie në dëm të qytetarëve të ndryshojë për të mirën e tyre. Kushdo që të vazhdojë të mos dëgjojë vetëm e vetëm do thellojë shumë rëndë përgjegjësitë e së tashmes dhe të ardhmes së tyre’, deklaroi Vasili.