Nga BoldNews.al
Shumica e zgjedhur nga Partia Socialiste në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka përdorur sofizma dhe interpretime gjuhësore për të justifikuar vendimin që shfuqizon gjobën 75 mijë lekë të reja ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i penalizuar më herët për shkelje të ligjit zgjedhor.
Komisioneri për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, gjobiti Veliaj, pas një denoncimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të paktën dy shkelje.
Celibashi konstatoi se Bashkia e Tiranës nuk kishte prezantuar planin e aktiviteteve në funksion të fushatës zgjedhore, si edhe kishte kryer veprimtari elektorale nëpërmjet ndarjes publike të “çelësave të shtëpive” të reja, të rindërtuara pas tërmeteve të vitit 2019.
Pas gjobitjes, Erion Veliaj, i mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, deklaroi se gjoba në vlerë 75 mijë lekë të reja do të rrëzohej nga KAS-i. Dhe, në fakt, ashtu edhe ndodhi.
Madje, shumica e zgjedhur nga socialistët në KAS, e përbërë nga kryetari Ilir Rusmali, relatori dhe njëkohësisht ish-vartës i Veliajt, Koli Bele, si edhe anëtari Elvin Lako, jo vetëm që shfuqizuan gjobën, por lëshuan një seri kritikash për Komisionerin e Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Ndërkohë, anëtarët në pakicë të KAS-it, Ledio Braho dhe Elvis Cefa, votuan në favor të gjobitjes së kryebashkiakut të Tiranës, duke paraqitur argumentat e tyre ligjorë.
“Përplasja”
Nga data 27 dhjetor 2020 deri në 9 janar 2021, Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi pranë Komisionerit Zgjedhor një numër të konsiderueshëm rastesh, të cilat i vlerësoi si shkelje të Kodit elektoral nga ana e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Komisioneri Zgjedhor, me një vendim të datës në 9 Shkurt 2021, konstatoi se titullari i Bashkisë së Tiranës nuk kishte njoftuar listën e aktiviteteve në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit të këtij viti, si edhe kishte shpërndarë materiale të propagandës elektorale në media.
Pas këtij konstatoi, Komisioneri Celibashi vendosi masën administrative “gjobë” në vlerën 75 mijë lekë për Erion Veliaj.
Çështja u rimor në shqyrtim nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), pas një ankimi të Veliajt.
Në mbrojtjen e tij, Veliaj deklaroi se nuk është përgjegjësi e tij njoftimi i aktiviteteve, pasi ka caktuar një person përgjegjës.
Ndërsa, përsa i përket takimeve me natyrë elektorale, ai deklaroi se nuk ka shpërndarë “dokumenta pronësie’, por vetëm dorëzimin e çelësave për shtëpitë e reja, si edhe këto aktivitete nuk i ka bërë në prani të medias dhe publikut.
Argumentat e Veliajt u konsideruan të mirëqena nga shumica në KAS, e cila vendosi të rrëzojë gjobën.
Ndërkohë, shumë elementë interesantë paraqiten nga anëtarët e pakicës, të cilët ishin të bindur se Veliaj ka shkelur ligjin zgjedhor.
Në dokumentin “mendim pakice”, anëtarët Ledio Braho dhe Elvis Cefa, më së pari konstatojnë se aktivitetet elektorale të kryebashkiakut të Tiranës nuk janë njoftuar në kohë, për shkak se Veliaj nuk kishte përcaktuar një person përgjegjës.
Pra, për anëtarët e pakicës, Erion Veliaj duhej të penalizohej pasi, në kundërshtim me ligjin, nuk ka zgjedhur në kohë koordinatorin që do të njoftonte Komisionin e Zgjedhjeve për aktivitetet.
Së dyti, sa u përket dorëzimit të “çelësave të shtëpive”, anëtarët në pakicë, Braho dhe Cefa, konkludojnë se ato janë aktivitete mirëfilli elektorale.
Sipas tyre, pavarësisht se këto aktivitete janë prezantuar në profilin zyrtar në rrjete sociale të Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt, ato u janë dërguar njëkohësisht edhe mediave, të cilat i kanë publikuar këto raste.
Veliaj, në argumentat mbrojtjës, ka deklaruar se aktivitetet nuk ishin publike, pasi nuk kishte media të pranishme.
Por, për anëtarët e pakicës, Ledio Braho dhe Elvis Cefa, ky argument rrëzohet nga të dhënat e siguruara nga Komisioneri për Zgjedhjet, i cili ka konfirmuar faktin se zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës ka shpërndarë këto materiale me natyrë elektorale në të gjithë mediat.
Në përfundim, dy anëtarët e pakicës vlerësuan se vendimi i Komisionerit të Zgjedhjeve për gjobitjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duhet të lihej në fuqi.
Por, anëtarët e shumicës, me një votim qartësisht politik, e rrëzuan gjobën.
Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, subjekti që ka iniciuar këtë proces, ka paralajmëruar se do të ankimojë në gjykatë vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).