Nga Sami Curri/ BIRN
Mëngjesin e 21 janarit, gjatë një shpërthimi të programuar eksplozivi në galerinë e kromit në Bulqizë, zjarrmëtari me inicialet B.C dëmtoi rëndë këmbën e djathtë.
Minatori- punëtor i kompanisë koncesionare Albchrome, u dëmtua nga shembja e masivit shkëmbor nën të cilin po strehohej për t’u mbrojtur nga shpërthimi.
Aksidente të tilla konsiderohen ngjarje rutinore në minierën e Bulqizës, ku vetëm gjatë muajit janar u shënuan katër raste të klasifikuara si ‘plagosje të lehta’ në ambientet e menaxhuara nga kompania Albchrome.
Megjithatë, asnjëri prej aksidenteve nuk u hetua nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, i cili i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se inspektimet për kushtet e sigurisë i kryenin vetëm për aksidentet me pasoja fatale apo ato me plagosje të rënda.
“Për këto aksidente nuk ka akte inspektimi,” tha AKSEM lidhur me aksidentet e janarit, duke shtuar se verifikimin për këto raste duhej ta bënte vetë kompania.
“Nuk janë dërguar grupe inspektorësh në vendngjarje, për rrjedhojë nuk është kryer ekspertizë nga inspektorët e AKSEM,” shtoi Autoriteti.
Qarku i vogël i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë.
Statistikat e institucioneve shihen me dyshim nga ekspertët e sigurisë dhe të drejtave në punë, të cilët thonë se aksidentet me pasoja të lehta as nuk raportohen dhe as nuk hetohen si duhet.
“Shqipëria raporton një numër më të ulët aksidentesh në punë për frymë se Kroacia dhe Sllovenia, edhe pse vendi ka siguri në punë mjaft të ulët,” tha Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat e Punës, CLR.
“Duke mos dalë në pah gjendja reale e aksidenteve të lehta në punë, situata paraqitet më e lehtë nga ç’është realisht”, shtoi Hoxha, duke theksuar se hetimi i të gjitha aksidenteve mund të shmangte fatalitetet në vendin e punës.
E pyetur nga BIRN, kompania Albchrome i ironizoi pyetjet për aksidentet me fjalinë : “Jemi shumë të lumtur që ashtu sikurse ne, edhe ju kujdeseni e kujtoheni shpesh për kolegët tanë”, ndërsa shtoi se aplikon standardet më të larta të sigurisë në punë në Shqipëri.
Kompania nuk dha detaje për aksidentet e janarit, por tha se asnjë prej minatorëve nuk ndodhej në spital dhe se njëri prej aksidenteve, i regjistruar nga AKSEM si plagosje e lehtë, nuk kishte ndodhur për shkak të punës.
Të fshehura dhe të pahetuara
Përgjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore shënoi 182 punëmarrës të aksidentuar në vendin e punës në të gjithë Shqipërinë, nga të cilët 36 humbën jetën.
Sektori i “minierave dhe karrierave” zë vendin e tretë për numrin e lartë të aksidenteve në punë pas ndërmarrjeve prodhuese dhe ndërtimit në rang vendi – me 28 aksidente të regjistruara gjatë vitit 2020 dhe pesë minatorë të vdekur.
Nga numri total i aksidenteve në miniera të raportuara në Inspektoriatin Shtetëror të Punës për vitin 2020, AKSEM inspektoi dhe hetoi 14 raste –ose vetëm gjysmën e aksidenteve të raportuara përgjatë vitit.
Ndryshe nga sektorët e tjerë, përgjegjësia për inspektimin e aksidenteve në miniera ndahet mes dy institucioneve; Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe AKSEM. Ndërsa Inspektoriati mban raportet dhe bën procesverbalet, verifikimi i kushteve të sigurisë nëntokë kryhet nga AKSEM, i cili përcakton edhe shkakun e ndodhjes së ngjarjes si dhe rregullat e shkelura.
Të dhënat e Inspektoriatit Shtetëror të Punës tregojnë një bilanc tragjik të aksidenteve në miniera, ku vetëm gjatë tre viteve të fundit u plagosën 99 minatorë dhe humbën jetën 18 të tjerë.
Ndërsa numri i aksidenteve dhe fataliteteve ka shënuar luhatje të vogla nga viti 2018, ndëshkimet administrative me gjoba kanë qenë minimale dhe kanë rënë ndjeshëm në vitin 2020.
Sipas Inspektoriatit, për aksidentet në këtë kategori u vendosën 2.5 milion lekë gjoba në vitin 2018, 5.4 milionë lekë në vitin 2019 dhe vetëm 930 mijë lekë gjoba në vitin 2020.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, i cili kandidon si i pavarur për një vend në Parlament në zgjedhjet e 25 prillit, fajëson mungesën e masave nga institucionet për numrin e lartë të aksidenteve në miniera.
“Arsyet e aksidenteve janë të shumta, lidhen me mos-zbatimin e rregullores të sigurimit teknik, mungesa e investimeve për sigurinë në punë, rritjen e normave si dhe shfrytëzimin pa kriter të minierave,” tha Debreshi për BIRN.
Debreshi akuzoi gjithashtu kompanitë, se jo vetëm që nuk i hetojnë aksidentet, por shpesh janë në përpjekje aktive për t’i fshehur ato.
“Një tjetër fenomen mjaft i rëndë me aksidentet në miniera është ai që lidhet me fshehjen apo tentativat për të fshehur këto aksidente,” shtoi ai.
Edhe Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat e Punës, CLR, mendon se roli formal i institucioneve në mbrojtje të punëtorëve i ka lënë minatorët dhe punëtorët në përgjithësi të vetëm përballë punëdhënësve, duke rritur mundësinë që aksidente të tilla të fshihen.
Hoxha fajëson edhe mosfunksionimin e sindikatave, që sipas tij mund të ishin një ‘sy i mirë’ për të raportuar rastet e aksidenteve në punë.
“Mosfunksionimi i këtyre strukturave në vendin e punës ka bërë që kur ndodhin raste të tilla, punonjësi të jetë i vetëm përballë punëdhënësit, i cili mundohet me çdo mënyrë qoftë me joshje të ndryshme, qoftë me presion të drejtpërdrejtë ndaj punëmarrësit të aksidentuar lehtë që ta fsheh ngjarjen,” tha Hoxha.
Hoxha theksoi gjithashtu se mosnjoftimi apo mungesa e hetimeve serioze të aksidenteve të vogla e bën të vështirë korrigjimin e gabimeve.
“Mosnjohja e gjendjes reale e bën pastaj të pamundur të ndërmerren ndërhyrjet, masat e duhura nga institucionet për përmirësimin e situatës,”shtoi ai.
Pasojat e aksidenteve
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018 në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011. Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në Bulqizë.
Sipas të dhënave nga AKSEM, numri më i madh i aksidenteve me plagosje vitin e kaluar ndodhi në atë që njihet si zona famëkeqe D në Bulqizë, ku veprojnë një numër kompanish të vogla në mjaft raste edhe të parregulluara.
Sipas AKSEM, dy prej aksidenteve në këtë zonë ndodhën te kompania Alb-Mi, dy raste të tjera tek Albmine & Chrome dhe nga një aksident në kompanitë Gerda 07 dhe Lubima.
Aksidentet e tjera u rregjistruan në minierën e bakrit në Spaç, që kontrollohet nga Tete Albania Tunnel & Mining dhe minierat e kromit Algej, Kostur Krom, Kaprolla Kompani dhe Global Enterprise Group, në Dibër.
Kompania më e madhe e nxjerrjes së kromit në vend, Albchrome në pronësinë e biznesmenit Samir Mane shënoi gjatë vitit 2020 tre aksidente me plagosje.
Bilanci tragjik i të plagosurve dhe viktimave në minierë nuk është shoqëruar me hetime të plota nga institucionet e drejtësisë apo ndëshkime. Në procesin e vetingut, dy prokurorë që kishin punuar në zonën e Dibrës, u shkarkuan nga detyra edhe me arsyetimin se kishin bërë hetime të cekëta, që kishin favorizuar subjektet minerare dhe ngarkonin me faj viktimat.
Përtej rrezikut, minatorët nuk kanë ende një status që mund t’i mbronte në aksidente që shpesh i lënë pa punë, pa mundësi të ardhurash për një kohë të gjatë dhe në mëshirë të kompanive.
Një familjar i një punëtori të aksidentuar në minierë në një subjekt minerar në zonën mineral-mbajtëse D në dhjetor 2020, i tha BIRN në kushte anonimati se kompania nuk po ju përgjigjej për shpenzimet spitalore.
“Është me hekra në këmbë. Nuk i japin as shpenzimet nëpër spitale e as raportet,” tha familjari. “Ai të paktën edhe për nja dy vjet nuk bëhet më për punë. Me kalamaj të vegjël, me atë rrogë hante bukë,” përfundoi ai.