Nëse historia do kthehej paksa në kohë, do ndalonte në Lezhë. Në vendin e Besëlidhjes, në tokën ku u prehën eshtrat e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në kalanë ilire dhe në natyrën më shumë se bujare, e cila në një hapësirë të vogël të ofron detin, bregdetin, lumin, kalanë, objektet kulturore dhe të kultit me vlerë historike e shpirtërore. Po sot në Lezhë nuk ndalet kush, pa ndrin dielli i verës me fluksin e turistëve.
Një nga operatorët turistik të Lezhës, Zef Doçi, pronar i holet “Wilson” në Shëngjin dhe ish-zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak dhe anëtar i këshillit të qarkut Lezhë ka një tjetër qasje në zhvillimin e gjithë zonës, nga Shëngjini i bregut të detit tek zonat rurale që konsiderohen “periferi” e pa aksesueshme.
“Si operator turistik e ndjejmë që duhet të ndryshojë shumëçka në Lezhë, mbi të gjitha koncepti turistik nga përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe qëndror” – thotë për Boldnews.al, Zef Doçi. Është një zonë që nuk ofron vetëm bregdetin, hotelerinë, turizmin masiv, shpesh të rrëmujshëm, por ka resurse natyrore dhe objekte kulturore të larmishme.
“Në Shëngjin, ashtu si edhe unë, ka shumë hotele, bare, restorante dhe shërbime të tjera, jemi taksapaguesit më të rregullt, por edhe më pak të vlerësuarit nga çështja e mbështetjes” – thotë Doçi, i cili ka marrë vlerësime dhe certifikata mirënjohjeje si operator turistik.
Ai kujton periudhën e pandemisë që u ndje shumë në turizmin veror të vitit që kaloi. “Përgjatë periudhës së verës në Lezhë, kryesisht në Shëngjin, ka një mesatare ditore të numrit të turistëve që varion nga 30-40 mijë në ditë, ndërsa në fundjavë arrijnë deri në 90 mijë. Megjithatë kjo vlen si statistikë për ata që mburren nga karrigia e pushtetarit, lokal apo qëndror, por Lezhës i mungon vizioni. Krahas turizmit bregdetar është edhe ai kulturor. Janë të paktën 21 objekte historike për tu vizituar dhe pikërisht ky resurs i madh duhet shfrytëzuar” – thotë Doçi.
Por ndërsa jepet me “mburrje” shifra se vetëm në një fundjavë vere turistët shkojnë në rreth 90 mijë, ka një tjetër numër që tregon mosgërshetimim e turizmit turistik me atë kulturor. Brenda një viti, vetëm 10 mijë persona vizitojnë objektet kulturore dhe kjo është fare pak me atë çfarë duhet të ishte.
“Ne si shërbim turistik mundohemi që klientëve tu plotësojmë kushtet hotelerike, pjesën e ushqimit, qëndrimit dhe çdo shërbim tjetër edhe përtej mundësive tona. Megjithatë koncepti turizëm nuk duhet të mbesë vetëm në atë çfarë jep sektori privat. Fakti që është rreth 38 kilometra vijë bregdetare në qarkun Lezhë duhet parë nga pushteti lokal dhe qëndror si një benefit për tu shfrytëzuar gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm tre muaj në verë. Duhet infrastrukturë e nevojshme që Lezha të mos mbesë si një ‘kthinë e përkohëshme’. Këtu e kam fjalën në shfrytëzimim e çdo të mire që natyra na e ka ofruar” – shton Doçi.
Në kontaktin e vazhdueshëm me shumë qytetarë të Lezhës, Doçi është i bindur se ndryshimi duhet të vijë dhe zgjedhjet e 25 prillit janë një shpresë e cila në mënyrë direkte dhe indirekte ndikon në zhvillimin e zonës së Lezhës dhe mbarë vendit. Në këtë aspect nuk flet vetëm në emrin e tij, por të shumë qytetarëve të kësaj zone të cilët duhet të ishin në pjesën elitë të turzmit dhe zhvillimit, por fatkeqësisht të dhënat tregojnë se vetëm në verë kujtohen për Lezhën…
Në fakt Lezha ka lumin Drin që i kalon në qytet dhe pikërisht për shkak të mungesës së duhur të investimeve shpesh është parë si “problem” nga përmbytjet dhe jo si vlerë e shtuar për paketën turistike.
Turistët nga Kosova në vitet e fundit kanë preferuar Shëngjinin si destinacionin e tyre. I tërheq vija bregdetare, rëra kurative, kulinaria dhe shërbimi hotelerik. Këtë pjesë e ofron investimi privat që po jep më shumë nga vetja pikërisht për të mbajtur në jetë sektorin më të rëndësishëm në vend. “Turizmi nuk është vetëm e dhënë shifrash, as numërim në pikat doganore. Lezha ka ç’të japë më shumë, nga bregu i detit deri në turizmin kulturor dhe agroturizmin në fshatrat rreth Lezhës” – argumenton Doçi.
Facilitetet janë një bonus më shumë për Lezhën turistike, por mungesa e një strategjie zhvillimi ka bërë që edhe investimet të jenë më shumë arnime. “Shpesh dëgjojmë të flitet për ‘turizmim patriotik’, por ky është një mentalitet afatshkurtër nëse nuk investohet më shumë në ide dhe idetë nuk janë vetëm përkthim në imvestime madhore, por në ndërhyrje të zgjuara.
Sektori privat po e bën pjesën e tij, por pa dorën shtet që ta shohë shërbimin privat si zhvillim dhe jo vetëm për vjelje taksash, do mbesim vetëm me ‘pushues veror’ dhe jo turizëm të përhershëm cilësor” – thotë biznesmeni Doçi.
Ndërsa në muret e hotelit përveç certifikave të shumta vlerësuese për shërbimin nga agjenci vendase dhe të huaja, ka edhe atë të “Ambasadorit të paqes”, një titull që e marrin personalitete që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme, por për Doçin biznesi nuk është vetëm dëshirë për të fituar, por mbi të gjitha për të ofruar. Lezha sipas tij është një zonë e cila duhet të fokusohet edhe në tërheqjen e turzmit të huaj elitar, pasi vetë zona i ka resurset për këtë kategori.
Kjo trevë për atë çfarë ofron nuk duhet të konsiderohet një ndalesë për një destinacion tjetërkund, por një paketë e plotë që shtrihet nga bregu i detit deri në kalanë ilire dhe përtej saj. Historia është me të, aty zgjodhi Gjergj Kastrioti të bënte Besëlidhjen, aty vendosi ti prehen eshtrat, aty është edhe bashkë me lavdinë.
“Lezha nuk duhet parë si e shkuar me histori që se zhbën kush, por si e ardhme që ka ç’të ofrojë” – thotë Doçi. Jemi ende në dimër dhe më shumë këto ditë është dëgjuar për të me bllokimin e rrugës nga moti i keq, por fare pak e fatkeqësisht aspak për atë çfarë mbart, turizmin, historinë, vlerën kulturore dhe qytetare. /Boldnews.al