Ish-deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma tha se pret një pjesëmarrje shumë të lartë në zgjedhjet e 25 Prillit, duke e krahasuar atë me pjesëmarrjen e vitit 1992.
“Unë besoj që në 2021 do ketë një pjesëmarrje në zgjedhje që i ngjason ’92, u shpreh Duma.
Duke folur mbi probabilitetet që kanë forcat politike në këto zgjedhje, Duma tha në emisionin “Opinion” se kjo pjesëmarrje e lartë, ku përfshihet zona gri dhe që sipas saj përfaqëson shtresën e mesme, do të shkojë për të mbështetur opozitën.
“Pjesëmarrja shkon për të mbështetur opozitën. Ata që shkojnë në zgjedhje shkojnë për të sjellë ndryshimin, apriori, që shkon tek opozita. Zona gri për cilën arsye do të dalë në zgjedhje? Për të konfirmuar atë që ka? Për të konfirmuar atë që ka nuk lëviz njeri nga divani”, tha Duma.
E pyetur se sa përqind është kjo zonë dhe çfarë përfaqëson, Duma u shpreh: “Shumë e madhe, ka sondazhe që e çojnë në 28% zonën gri. Nga ana tjetër një gjë është plotësisht e vërtetë. Në të gjitha sondazhet, pyetësorët, kontaktet, si njeri i partisë ose jo i partisë, njerëzit në një gjë bien dakord në mënyrë të plotë: Që Shqipëria ka ngecur, është ne vend numëro. Më të mirin po të pyesësh, cfarë është rezultati deri sot, është asgjë. Kjo Shqipëri e ngecur shkon me psikologjinë e turmës normale. Nuk ka shanse që zona gri edhe 20% po të jetë të rri në kolltuk. Zona gri çfarë përfaqëson? Atë shtresën e vogël të mesme që ka Shqipëria. Janë profesionistët, ata që shikojnë programet. Grija dhe shtresa e mesme shkojnë paralel. Unë dyshoj që shtresa e mesme mund të ketë dalë në 2017, në 2021 shtresa e mesme do të dalë dhe do të sjellë ndryshimin”.