Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nga Fieri ka folur për arsimin me një grup akademikësh duke i prezantuar programin e saj elektoral.
Kryemadhi thotë se arsimi parauniversitar është një nga prioritetet e LSI pasi gjendja e arsimit në vetvete është një nga arsyet e shpopullimit të Shqipërisë.
Ajo thotë se me programin e LSI mësuesit do të kenë paga cilësore kurse arsimi do të ketë infrastrukturë moderne.
FJALA NGA MONIKA KRYEMADHI
Në radhë të parë do doja të falënderoja të gjithë grupin akademik, po e quaj kështu, edhe pse ne jemi mësuar që grupi akademik të quajmë pedagogët e fakulteteve, por universitetet tona nuk do të kishin asnjë lloj rëndësie dhe mundësie për t’u zhvilluar dhe për të ecur, nëse nuk do të kishin një furnizim me nxënës të shkëlqyer që vijnë nga arsimi para universitar.
Në fakt arsimi para universitar për ne si LSI është një nga prioritetet kryesore dhe mendojmë që rëndësia e tij nuk ka të bëjë vetëm për furnizimin e degëve. Ne sot kemi një numër të kufizuar ku mungojnë mbi të gjitha nxënësit, maturantët, ata që janë nga një anë edhe përfituesit e arsimit parauniversitar, por edhe ana tjetër viktimat e arsimit parauniversitar. Maturantët janë pjesa kryesore e zhvillimit të shoqërisë, sepse në fund të ditës ne arsimin nuk e shikojmë si një shpenzim në buxhetin e shtetit, ne arsimin e shikojmë si investim. Të investosh në arsim do të thotë të investosh në brezin e ri, të investosh në të ardhmen e familjeve shqiptare. Dhe në fakt pjesën kryesore të të gjithë qëllimeve tona në programin e arsimit kanë të bëjnë për të rinjtë tanë. Sepse në fund të ditës, për çdo prind një nga problemet që ka është arsimi dhe shëndeti i fëmijës.
Kemi takuar shumë të rinj dhe të reja, shumë çifte të reja që janë në një dilemë nëse duhet të ikin apo të qëndrojnë në Shqipëri. Pika e parë që thonë është mungesa e sistemit arsimor për fëmijët tanë dhe rrënimi i tij. Dhe në fakt rrënimi i sistemi arsimor ka ardhur si rezultat i një lloj keqtrajtimi ose politizimi të të gjithë sistemit arsimor dhe më pas për ta çuar në militantizmin e sistemit arsimor. Pra ajo që të bën përshtypje është cilësia e mësuesve, kur ndërkohë mësuesit përzgjidhen për shkak të bindjeve të tyre politike. Për të mos vazhduar pastaj me pagat e tyre diskriminuese për kohë të tëra, apo edhe për stimulimet që ne duhet t’i japim mësuesve për të pasur nxënës të mirë. Siç ndodh në të gjithë botën, që mësuesit e nxënësve që fitojnë olimpiadat, janë ata të cilët janë shpërblyer nga komuniteti edhe nga shoqëria.
Për ne sfidat e arsimit para universitar kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e pagave të mësuesve, por kanë të bëjnë me shumë gjëra të tjera që i kemi diskutuar, edhe për të gjithë infrastrukturën e mësimdhënies. Një mësues kimie apo i shkencave ekzakte do ta ketë të pamundur për të zhvilluar lëndën nëse ai nuk do ketë laboratorë. Një mësues i shkencave ekzakte përsëri do ta ketë të pamundur nëse ai do të jetë i papaguar. Pra po të marrim mësuesin e matematikës apo të fizikës do të ishte më mirë të ishte punonjës banke dhe do të paguhej shumë më shumë sesa mësues matematike që do të rrinte me shkumës 45 minuta pa pushim në orë. Apo për të mos vazhduar pastaj me cilësinë e mësimdhënies për gjuhën shqipe, letërsisë, gjeografisë e me radhë të cilat tashmë janë kthyer si lëndë të cilat shërbejnë thjesht për të kaluar dhe për të plotësuar oraret e mësimdhënies. Në fakt unë jam një prind që e kam kaluar fazën e gjimnazit, në kuptimin qoftë kur kam qenë vetë gjimnaziste por dhe fëmijët tashmë vajza e madhe ka mbaruar universitetin, djali po mbaron e kështu me radhë, por çështja e arsimit para universitar për mua ka një rëndësi shumë të madhe sepse është ajo e cila motivon brezin e ri.
Nuk dua të zgjatem shumë se do të dëshiroja t’ju jepnim të drejtën e fjalës mësuesve të cilët për hir të së vërtetës nuk janë strukturë partie por janë mësues të cilët janë pjesë e mësimdhënies në shkollat e Fierit. Ajo që dua të theksoj është që në programin e LSI në propozimet zgjedhore, nuk kemi të bëjmë thjesht me premtime elektorale por kemi të bëjmë me 5 prioritete kryesore ku dhe programi mëso dhe fito që ka të bëjë drejtpërsëdrejti jo vetëm me shkollat profesionale por dhe me ndikimin e drejtpërdrejt të rritjes së procesit qoftë nga ana profesionale për nxënësit por edhe të një përfitimi financiar për familjet e tyre po dhe për ato vetë.