Nga Ilir Kalemaj
Fushata ka nisur dhe si cdo fushatë deri më sot, gjen elementë të baltës dhe të vulgut, të premtimeve fluturake dhe mungesës së koherencës, të kontradiktave ideologjike apo populizmave pa bosht. Kjo është e pritshme dhe deri këtu nuk kemi risi. Nga ana tjetër, PD është duke shpalosur një program makroekonomik qe bazohet kryesisht te reforma fiskale si dhe pjesët e tij të ndërlidhura nga bujqësia dhe turizmi të arsimi dhe shëndetësia. LSI ka dalë me pesë pikat e saj. Ndërkohë që PS ka thënë që do të dalë me një program qeverisës (jo thjesht elektoral) në ditët në vijim.
Më lart theksuam të përbashkëtat por natyrisht dhe dallimet të paktën deri në këtë pikë të shtjellimit të fushatave përkatëse janë të dukshme. Nga PS po zhvillohet kryesisht një fushatë pa program apo alternativë të qartë se cfarë do të ofrohet në katër vitet në vijim nëse qëndron në pushtet. Është një fushatë që po përqëndrohet kryesisht në dekurajimin e kundërshtarit duke targetuar vencarisht LSI-në por pa harruar dhe shigjetimin e PD-së duke KÇK ish-antarë apo ish-simpatizantë të këtyre forcave si në tregun e gjësë së gjallë për të thënë që ka vetëm një alternativë në para-politikën shqiptare: të bëhesh palë me pushtetin. Se është pikërisht pushteti ai që të pastron biografinë, të jep një dorë, një vend pune a një tender, një bursë studimi për fëmijët apo më pak gjobaxhinj-taksidarë që të bezdisin. Pushteti josh dhe në sistemet neo-patrimoniale si në rastin e Shqipërisë ku klientelizmi është fjala kyç për të kuptuar politikën e ditës, kthehet në domosdoshmëri për të pasur një rezultat elektoral pozitiv.
Ndërkohë PD po mundohet të zhvillojë një fushatë kryesisht pozitive, të bazuar jo aq në sulmet ndaj kundërshtarit se sa në shpalosjen e platformës së vet. Fushata si një risi për të djathtën shqiptare është përqëndruar kryesisht te figura e kryetarit Basha duke e portretizuar si një lider normal, post-tranzicional me stof europian. Kjo ndoshta edhe për të eklipsuar pjesën tjetër të ekipit drejtues që në pjesën dërrmuese janë figura të stazhiounuara politike me shumë pak risi në përfaqësim apo qarkullim elitash. Një strategji krejt e ndryshme nga ajo e KOP-it të dikurshëm ku me një ndërthurrje brezash dhe ekspertize por kryesisht me një imazh të ri PD arriti të krijonte një frymë, si element i domosdoshëm jo vetëm i rotacionit politik por edhe pritshmërie për ndryshim sistemi.
Gjithashtu PD ka zgjedhur një mesazh qëndror “Shqipëria Fiton” ku sic theksoja në një shkrim të para disa muajve është një parakusht kryesor i mobilizimit të segmenteve të ndryshëm shoqërorë dhe krijimit të një fabule politike dhe narrative elektorale. Ky sllogan zbërthehet në pjesët e ndryshme të programit duke vendosur një alternativë të qartë ndaj pushtetit ezkistues ndonëse disi eklektik kur vjen çështja te kohezioni ideologjik. I cili gjithsesi ka një vokacion përgjithësisht në përputhje me partitë e qendrës së djathtë sot në Europë dhe më gjerë. Në tërësinë e tij duket se i përafrohet modelit Bush-ist të “konservatorizmit të dhembshur” që ka në plan të parë derregullimin, nxitjen e sipërmarrjes së lirë dhe reduktimin e “red tape” burokratike me kombinim të rritjes së pagave dhe pensioneve, subvencionimeve në bujqësi apo rritjes së mbështetjes në arsim për financimin e pjesës vulnerabël etj.
Por ajo që ngelet për t’u kryer është theksi të elementë që theksojnë në retorikë dhe për rrjedhojë në komponentët kyç të programit nxitjen e shpresës për të qëndruar në vend, për kthimin e dinjitetit te sipërmarrësi i vogël që lufton për mbijetesë mes mmijëra vështirësive të krijuara jo rrallëherë nga kapja e tregut nga një grusht oligarkësh, te mbështetja e fermerit për ta parë perspektivën aty ku është dhe jo të braktisin tokë dhe gjithcka dhe të dynden qyteteve të mbingarkuara, vençarisht metropolit apo të marrin rrugët e emigrimit. Mbështetja për gratë, për një punësim dinjitoz, të paguar njëlloj për të dyja gjinitë në bazë të meritës, për politika që ashpërsojnë dënimet për dhunimin e grave dhe mbështetjes e sipërmarrjes së vogël të femrave vencarisht në zonat rurale. Pasi ato janë kolonat e ekonomisë shtëpiake. Janë një hap pozitiv mbështetja e praktikave studentore cka ndihmon në integrimin e tyre në tregun e punës dhe duhet akoma më shumë mbështetja e start up-ve, projekteve inovative, shpikjeve dhe patentave që janë kryefjala e kërkimit shkencor dhe zhvillimit sot në vendet e zhvilluara.
Nxitja e shpresës për një të nesërme më të mirë, e besimit se ky vend bëhet, se të jesh i ri është më tepër një kategori mendimi sesa thjesht dhe vetëm çështje moshe dhe sytë duhen pasur nga e ardhmja, e një doze idealizmi e cila fatkeqësisht është zvenitur në kufijtë e absurdit vitet dhe dekadat e fundit, janë parakushti për një shoqëri të shëndetshme, për një shtet aleat të individit dhe mbështetës të suksesit të tij. Natyrisht nuk ka sistem të përkryer por sa më transparent të jetë, sa më mbështetës i meritokracisë dhe i hapur për ndryshim bazuar në aftësi, talent dhe qarkullim të shëndetshëm elitash, aq më të mëdha janë shanset për të qenë i besueshëm. Këto kambana bien për veshë që dinë të dëgjojnë dhe natyrisht të reagojnë.
*Shkruar enkas për BoldNews.al