“Kush pyet për të?” tha Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një konference shtypi në dhjetor kur u pyet në lidhje me kritikun e Kremlinit Alexey Navalny, i cili i mbijetoi një helmimi gati vdekjeprurës dhe u arrestua muajin e kaluar në Moskë gjatë kthimit të tij pas mjekimit që i shpëtoi jetën në Gjermani.
Ajo pyetje mori përgjigje në protestat që u mbajtën për dy fundjava radhazi, demonstrimet më të mëdha të pakënaqësisë masive ndaj zotit Putin që nga viti 2011. Dhe në një kuptim zoti Putini iu përgjigj pyetjes me masat e ashpra policore ndaj demonstratave pro -Navalny si edhe me burgosjen e kritikun e tij më me peshë.
Por a përbën zoti Navalny një kërcënim serioz për pushtetin e zotit Putin? Ish-i dërguari britanik në Moskë, Andrew Wood beson se ishte frika e humbjes së kontrollit që udhëhoqi taktikat e presidentit rus në pothuajse të gjitha vendimet e tij kryesore, përfshirë burgosjen e Navalny-t, që kur u bë udhëheqësi i Rusisë dy dekada më parë.
Ish-diplomati e sheh këtë frikë si motivacionin kryesor për rishkrimin e kushtetutës ruse nga zoti Putini vitin e kaluar, duke i hapur atij rrugën që të mbetet në pushtet për një kohë të gjatë.
Frika vetëm është intensifikuar. Zoti Navalny “është ai që burgoset, por Putini është ai që është nën rrethim,” thotë zoti Wood në një opinion për grupin kërkimor britanik Chatham House.
“Kthimi i Navalny-t nga Berlini në Moskë më 17 janar të këtij viti shkaktoi një shpërthim. Tranzicioni i legalizuar drejt diktaturës së plotë nga ana e Putinit në vitin 2020, është tani në pikëpyetje serioze.”
Zoti Wood përmend përmasat befasuese të protestave dhe shtrirjen e tyre gjeografike në të 11 zonat kohore të Federatës Ruse, duke thënë se ato pasqyrojnë “një ndjesi të përbashkët në të gjithë Rusinë që durimit i ka ardhur fundi”.
Ky vit shënon 30 vjetorin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, të cilin Putini e ka përshkruar në të kaluarën si “tragjedia më e madhe politike e shekullit të 20-të”. Rënia e tij ishte tronditëse dhe çorientuese nga shpejtësia e madhe me të cilën ndodhi dhe Kremlini reagoi me ngathtësi. Ai fakt historik mbetet për zotin Putin dhe rrethin e tij më të ngushtë një shembull shqetësues se sa shpejt mund të shpërbëhet një shtet autoritar, thonë diplomatët perëndimorë.
Konstantin Remchukov, pronari dhe redaktori i gazetës ruse Nezavisimaya Gazeta, thotë se zyrtarët e Kremlinit diskutojnë gjithashtu me njëri-tjetrin edhe për revolucionin e vitit 1917 dhe nëse Cari Nicholas II mund ta kishte zgjatur sundimin e tij, nëse ai do të kishte qenë më i ashpër.
Përfundimi i Kremlinit, thotë zoti Remchukov, është që cari e ndëshkoi veten me dobësinë e tij. Ndryshimi vitin e kaluar i kushtetutës ruse, duke i hapur rrugën Presidentit Putin që të qëndrojë në pushtet teorikisht deri në 2036, nuk duket se e ka bërë Kremlinin më të sigurt për të ardhmen, pavarësisht nga fakti se 79% e rusëve që votuan, mbështetën ndryshimin.
Por zoti Remchukov dhe vëzhguesit e tjerë me përvojë të skenës ruse kanë dyshime nëse Navalny dhe aleatët e tij politikë mund ta dobësojnë kontrollin e zotit Putin mbi pushtetin në të ardhmen e afërt. Ai flet për një shkëputje midis një pjese të gjerë të rusëve dhe aktivistëve politikë.
Duke folur gjatë një diskutimi virtual të organizuar javën e kaluar nga Qendra për Interesin Kombëtar, një grup kërkimor me bazë në Uashington, zoti Remchukov tha se njerëzit e zakonshëm mund t’i kuptojnë protestuesit pro-Navanly por janë më të interesuar për të vazhduar jetën e tyre dhe për të fituar jetesën.
Kërcënimi i vërtetë themelor ndaj zotit Putin, argumentoi ai, qëndron te ekonomia: ecuria e saj do të përcaktojë sa kohë mbetet në pushtet presidenti rus.
“Çështja ekonomike është faktori më serioz politik. Nëse Putini nuk shënon rritje ekonomike, ai do të ketë probleme,” tha zoti Remchukov.
Pa këtë rritje, rusët e zakonshëm mund të bëhen më të hapur ndaj akuzave të opozitës në lidhje me korrupsionin e një elite në pushtet që ka pasuruar vetveten, thonë vëzhguesit e tjerë.
Aktivistët anti-Kremlin janë frenuar më parë, kur janë përpjekur të zgjerojnë bazën e tyre të mbështetjes dhe të bindin klasën e mesme të gjerë për t’u bashkuar me luftën kundër udhëheqjes së Rusisë. Në vitin 2012, demonstratat anti-Putin u zbehën dhe e njëjta gjë ndodhi përsëri në vitin 2019 kur dhjetëra mijëra aktivistë filluan të mbanin tubime të rregullta në Moskë për të protestuar ndaj zgjedhjeve të manipuluara të këshillit të qytetit.
Ish-manjati i naftës në mërgim, Mikhail Khodorkovsky duket po ashtu se e sheh luftën midis zotit Putin dhe kundërshtarëve të tij politikë si Navalny si një luftë afatgjatë, megjithëse ai i tha gazetës The Times të Londrës në një intervistë të shtunën se mbetet i bindur se Rusia është në “fazën e fundit të diktaturës”.
Mbështetja për Presidentin Putinit është më e fortë mes rusëve të moshuar që mund t’i kenë ende në kujtesë trazirat ekonomike dhe politike të viteve 1990, kur kursimet e tyre u zhdukën brenda natës, por për shkak të moshës, numri i tyre do të tkurret, vuri dukje zoti Khodorkovsky, dhe Kremlini po fiton pak terren në tërheqjen pas vetes të rusëve nën moshën 40 vjeç. Ndryshe nga të moshuarit, ata i marrin lajmet dhe pikëpamjet e tyre nga interneti që është më i decentralizuar sesa ato të kanaleve televizive shtetërore.
Ndërkohë, Khodorkovsky shikon që shtypja vetëm po intensifikohet. Shumica e diplomatëve perëndimorë pajtohen se Kremlini do ta rreptësojë qëndrimin, në mungesë të alternativës.
Kremlini e kapërceu një kufi, thonë ata, me atentatin vitin e kaluar ndaj zotit Navalny, të cilën ai dhe qeveritë perëndimore ia kanë hedhur fajin Kremlinit. Kundërshtarët politikë të zotit Putin do ta shihnin çdo lehtësim si një ftesë për të përshkallëzuar sfidën e tyre dhe kjo mund të shkaktojë humbje besimi në radhët e forcave të sigurisë, të cilat deri tani kanë qëndruar të palëkundura në besnikërinë e tyre ndaj Kremlinit.
Por ka pak konsensus mes vëzhguesve me përvojë në lidhje me kohën e helmimit të zotit Navalny dhe logjikën që qëndron pas tij.
“Përndjekja shtetërore ndaj tij e bën atë jo vetëm një luftëtar politik, por një hero moral,” vëren Andrei Kolesnikov, nga Qendra e Moskës Carnegie, një grup kërkimor. Ai shton, “Një konflikt nuk luftohet vetëm duke përdorur forcë brutale; ekziston edhe forca morale. Dhe tani, kjo forcë morale është në anën e protestuesve.”
Trazirat në Bjellorusinë fqinje, e cila është tronditur që nga gushti nga protestat masive kundër sundimit autoritar të Presidentit Alexander Lukashenko, mund ta kenë thelluar frikën e Kremlinit nga zoti Navalny, duke sjellë një vendosmëri për ta shmangur zotin Navalny përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në shtator, pasuar nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2024.
“Mund të ketë qenë oportunizëm,” i tha Zëri i Amerikës David Kramer, një-ndihmës sekretar i shtetit në administratën e ish-presidentit George W. Bush.
Zgjedhjet mund të konsolidojnë autoritarizmin zgjedhor të Rusisë për dekadën e ardhshme dhe interesi i Kremlinit është që të sigurohet që partia e zotit Putinit, Rusia e Bashkuar të vazhdojë të mbizotërojë Dumën, siç ka bërë që nga viti 2007, duke përdorur çdo metodë të nevojshme që të garantojë që sistemi zgjedhor që aktualisht anon në favor të partisë në pushtet, të sjellë në fuqi personin e duhur për ta.
Për zotin Putin dhe kundërshtarët e tij politikë, periudha deri në shtator është faza e ardhshme e një lufte komplekse dhe të rrezikshme për kontroll. Një sondazh i opinionit javën e kaluar tregoi se vlerësimi i përgjithshëm për zotin Putin kishte rënë vetëm një pikë që nga nëntori, në nivelin 64%.
Kjo mund të lehtësojë Kremlinin dhe të zhgënjejë opozitën, por nga ana tjetër popullariteti i Presidentit Putinit po bie mes të rinjve./VOA/