Nga Brent Peabody, Foreing Policy
Njëqind vjet më parë u krijua Irlanda e Veriut, dhe bashkë me të edhe forma aktuale e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo formë e njohur i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore, Trazirave,dhe jo më pak se 3 referendumeve mbi statusin politik të Skocisë.
Por mund të mos i mbijetojë Brexit, që ka ndryshuar besnikëritë politike dhe e ka ringjallur separatizmin në Skoci dhe Irlandën e Veriut. Sot, Brexit ka vendosur nën një tension të paparë lidhjet tashmë të paqarta midis 4 vendeve përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar, duke e vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e unionit.
Kërcënimi më i rëndë dhe më i menjëhershëm vjen nga Skocia, që mbajti një referendum për pavarësinë në vitin 2014, dhe mund të mbajë një të dytë së shpejti, falë forcës elektorale që gëzon Partia Kombëtare Skoceze (SNP). Ajo ka aktualisht 47 nga 59 vendet e Skocisë në parlamentin britanik, Uestminster, dhe 61 të tjera (katër më pak se një shumicë) në Holirod, parlamentin lokal.
E tronditur nga pasojat e Brexit, SNP parashikohet të fitojë një shumicë absolute në zgjedhjet e këtij viti për parlamentin skocez, duke pretenduar marrjen e një mandati për zhvillimin e një referendumi të dytë për pavarësimin nga Britania e Madhe.
Gjasat e mëdha të një shumice të SNP në parlamentin skocez duhet që të shqetësojnë unionistët. Hera e fundit që ndodhi kjo në vitin 2011, pati një referendum për pavarësi vetëm 3 vjet më vonë. Sigurisht, çdo referendum i dytë i pavarësisë do të duhet të kalojë përmes Uestminster, ku kryeministri Boris Johnson ka premtuar refuzimin e çdo lloj kërkese të tillë.
Por gjërat mund të ndryshojë së shpejti. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Britani janë planifikuar për në vitin 2024, dhe me shumë gjasa as laburistët dhe as konvervatorët nuk do të fitojnë dot shumicën. Në këto kushte, do të jetë SNP-ja ajo që do të përcaktojë mazhorancën.
Çmimi që do të kërkojë ajo në këmbim do të jetë një referendum i dytë për pavarësinë. Udhëheqësi laburist Keir Starmer ka përjashtuar çdo koalicion me SNP. Por qasja e tij mund të ndryshojë pasi të përballet me perspektivën e një qeverie të pestë konservatore radhazi.
Edhe konservatorët e Johnson, kanë përjashtuar çdo koalicion me SNP, të vetëdijshëm se kjo mund të çojë në largimin e Skocisë nga unioni. Por Johnson i famshëm për oportunizmin e tij,i ka zhgënjyer edhe më parë unionistët, dhe nuk përjashtohet mundësia që ai t`a bëjë këtë për të mbijetuar politikisht.
E sigurt është se pas një përmbysjeje të fortë në zgjedhjet e këtij viti për parlamentin skocez, apo pas bisedimeve për krijimin e koalicionit në Uestminster, SNP është në kohën e duhur për të marrë lejen për mbajtjen e referendumit të saj të dytë. Dhe këtë herë, ka të gjitha arsyet për të besuar se do t`a fitojë atë.
Sondazhet kanë treguar një shumicë të qëndrueshme skocezësh në favor të pavarësisë. SNP është rritur shumë më sondazhe për shkak të menaxhimit të mirë të pandemisë së Covid-19. Dhe argumenti më efektiv kundër pavarësisë në vitin 2014 – se shkëputja do të rrezikonte vendin e Skocisë në BE – tani është i pavlefshëm.
Për më tepër, referendumi i fundit zbuloi pabarazi të mëdha që duhet të shqetësojnë unionistët; 67.1 për qind e atyre mbi moshën 70-vjeç votuan për të qëndruar në union, ndërsa 62.2 për qind e atyre të moshës 25-29 vjeç votuan për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar.
Pra brezi i vjetër, që mbetet pro qëndrimit të Skocisë në union, po zëvendësohet nga një brez që është edhe më i hapur ndaj pavarësisë, dhe më i prirur për të siguruar sërish vendin e Skocisë në BE. Spektri i separatizmit, është po aq i theksuar përtej detit irlandez. Spektri i separatizmit është po aq i theksuar në Irlandë.
Kur u formua enklava e Irlandës së Veriut 100 vjet më parë, protestantët – në shumicë me prirje unioniste – ishin 2 herë më shumë në numër sesa katolikët. Por që atëherë shumica e tyre është zhdukur. Në regjistrimin e vitit 2011, protestantët ishin për herë të parë nën 50 për qind të popullsisë. Ndërsa regjistrimi i këtij viti, parashikohet të nxjerrë katolikët më të shumtë në numër sesa protestantët.
Këto ndryshime demografike u bënë të dukshme në zgjedhjet parlamentare britanike në vitin 2019, kur partitë nacionaliste (që kërkojnë të ribashkohen me Republikën e Irlandës), fituan për herë të parë më shumë vende sesa ato unioniste. Gjithashtu, sondazhi ka treguar një mbështetje në rritje për ribashkimin, përfshirë një sondazh historik të vitit 2019 që tregoi një shumicë në favor të largimit nga Britania e Madhe.
Gjithsesi, është Brexit ai që ka ringjallur më së shumti çështjen e statusit politik të Irlandës së Veriut, duke e sjellë atë më pranë bashkimit me Republikën e Irlandës. Në shumë mënyra, Brexit e ka sjellë Irlandën e Veriut më afër Dublinit sesa Londrës; mallrat që udhëtojnë nga Irlanda e Veriut në Republikën e Irlandës, nuk përballen me asnjë pengesë doganore, ndërsa që prej Brexit ato që udhëtojnë nga Irlanda e Veriut në pjesën tjetër të Britanisë po.
Bashkimi i Irlandës, është bërë gjithashtu një çështje më e spikatur në Republikën e Irlandës, ku partia nacionaliste Sinn Fein (ish-krahu politik i IRA) u rendit e dyta në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020. Kombinimi i fuqishëm i ndryshimit të demografisë, Brexit dhe famës së re të Sinn Fein në jug të kufirit,nënkupton që kauza e bashkimit irlandez do të shfaqet e madhe në dekadën e ardhshme.
Të marra së bashku, kërcënimet e dyfishta të Irlandës së Veriut dhe Skocisë, paraqesin një rrezik të paparë për formën aktuale të Mbretërisë së Bashkuar. Dhe nëse të dyja do t`a braktisnin atë, nuk është e paimagjinueshme që Uellsi mund të ndjekë shembullin e tyre, ehe pse nuk ka shumë gjasa.
Lidhjet midis Anglisë dhe Uellsit janë shumë më të forta. Ato datojnë që nga pushtimi eduardian i Uellsit në shekullin XIII-të dhe e forcuan gjatë 8 shekujve afërsie të madhe ekonomike dhe gjeografike. Ndërsa Irlanda e Veriut ka shansin e ribashkimit me një ekonomi të fortë irlandeze,edhe Skocia shpreson të vazhdojë të përfitojë më shumë nga nafta në Detin e Veriut, perspektivat ekonomike të Uellsit më vete nuk janë aq premtuese.
Por edhe në Uells, nacionalizmi e ka një bazë. Një sondazh i kohëve të fundit, zbuloi se 23 për qind e uellsianëve e mbështetin pavarësinë, ndërsa dhe partia separatiste Uellsit, Plaid Cymru (që ka 4 deputetë në Uestminster) tregoi një forcë të fshehtë politike kur përfundoi e dyta në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian në vitin 2019.
Ka arsye për të dyshuar se Mbretëria e Bashkuar do të shpërbëhet. Në fund, çdo marrëveshje do të varet nga vullneti i mirë i Uestminster, dhe gatishmëria për të rrezikuar duke lënë gjithçka të shkojë sipas rrjedhës së vet. Për shembull, në Irlandën e Veriut katolikët irlandezë mund të votojnë për statuskuonë,për të ruajtur qasjen e tyre në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit, në krahasim me modelin më të privatizuar irlandez.
Dhe forma aktuale e Britanisë së Madhe i ka mbijetuar edhe situatave shumë më të këqija. Por ndërsa lëvizjet separatiste ziejnë në të gjithë kontinentin, Britania do të ishte e mençur të kishte kujdes. Politikisht, Britania mund të mos jetë më pjesë e Evropës, por ajo nuk është imune as nga rrymat që po e riformatojnë atë.