Beteja ligjore rreth gjykimit të ish Presidentit Donald Trump, që hapet në Senatin amerikan javën tjetër, ka filluar dhe palët shfaqën këtë javë pozicionime rrënjësisht të ndryshme.
Në një letër të mërkurën, Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan që ish-presidenti të paraqitet personalisht në gjyq ose përpara tij, sipas njoftimeve të mediave.
Prokurorët nga njëra anë dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit, nga ana tjetër, po paraqesin argumentet për rolin e zotit Trump në trazirat e 6 janarit në Kapitol si dhe mbi ligjshmërinë ose jo të gjykimit. Ata po debatojnë gjithashtu rreth Amendamentit të Parë të Kushtetutës dhe rreth qëndrimit të prerë të demokratëve se trazirat përbënin një kërcënim për tranzicionin presidencial në vend.
KUSH ISHTE PËRGJEGJËS?
Kush ishte përgjegjës për trazirat? Demokratët thonë se ka vetëm një përgjigje, ish-Presidenti Trump.
Demokratët pohojnë se zoti Trump dhe vetëm ai ishte përgjegjës për sulmin e 6 janarit duke “krijuar një fuçi baruti dhe duke ndezur shkrepësen për të nxjerrë më pas përfitim personal nga kaosi që pasoi”. Ata thonë se është “e pamundur” të imagjinohet trazira pa inkurajimin e zotit Trump dhe përmendin si mbështetje fjalët e koleges republikane, Liz Cheney e shtetit Uajoming, e cila tha në thelb të njëjtën gjë.
Përkundrazi, avokatët e ish-Presidentit Trump thonë se ai nuk mund të jetë përgjegjës sepse në asnjë moment nuk nxiti askënd që të “kryente sjellje shkatërrimtare”. Ata pranojnë se pati një hyrje të paligjshme në Kapitol, që rezultoi në vdekje dhe plagosje. Por ata thonë se njerëzit që janë “përgjegjës” – ata që hynë në ndërtesë dhe e vandalizuan atë – po hetohen dhe po ndiqen penalisht.
AMENDAMENTI I PARË I KUSHTETUTËS
Avokatët e zotit Trump nuk e diskutojnë që ai u tha mbështetësve të “luftonin me çdo kusht” para sulmit në Kapitol. Por ata argumentojnë gjithashtu që zoti Trump, si çdo qytetar, mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës për të “shprehur besimin e tij se rezultatet e zgjedhjeve ishin të dyshimta”. Ai kishte një opinion të cilin kishte të drejtë ta shprehte, thonë ata, dhe nëse Amendamenti i Parë mbron vetëm lirinë e fjalës për qytetarët privatë, kjo “nuk do të ishte aspak mbrojtje”.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk e shohin kështu. Ata thonë se Amendamenti i Parë synon të mbrojë qytetarët privatë nga qeveria, jo të lejojë zyrtarët qeveritarë të abuzojnë me pushtetin e tyre. Edhe pse një qytetar privat mund të ketë të drejtën të shprehet në favor të totalitarizmit ose të përmbysjes së qeverisë, “askush nuk do të pohonte seriozisht” se një president, i cili përqafon qëndrime të njëjta, do të ishte i imunizuar nga një proces gjykimi.
RADHA E KALIMIT TË PUSHTETIT
Prokurorët që kanë ngritur akuzën pretendojnë se besnikët e zotit Trump, të nxitur prej tij, rrezikuan drejtpërdrejt sigurinë e ligjvënësve që u desh të largoheshin nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Senati kur protestuesit po hynin aty me forcë.
Mes tyre ishin udhëheqës me pozita ndër më të lartat në qeverisjen e vendit.
Ata që ishin në radhën e kalimit të pushtetit për presidencën pas zotit Trump – Zëvendëspresidenti Mike Pence, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kreu i përkohshëm i Senatit Chuck Grassley – ndodheshin që të gjithë brenda Kapitolit dhe u detyruan të largoheshin për sigurinë e jetës së tyre. Sjellja e zotit Trump, thonë ata, jo vetëm “rrezikoi jetën e çdo anëtari të Kongresit”, por “rrezikoi edhe tranzicionin paqësor të pushtetit dhe radhën e kalimit të pushtetit”.
Në argumentet e tyre, prokurorët përshkruajnë me hollësi kërcënimet e frikshme që i kanoseshin zotit Pence dhe zonjës Pelosi, ndërsa protestuesit sulmonin ndërtesën dhe ishin vënë në kërkim të tyre. Sipas dokumentit, i cili citon mediat të ndryshme dhe materiale video, njerëzit bërtisnin, “Ta varim Mike Pence-n!” dhe e quanin atë tradhtar, pasi ai ishte shprehur se nuk do ta sfidonte numërimin e votës elektorale, siç donte zoti Trump. Një person pretendohet të ketë thënë se Pelosin do ta kishin “shqyer në copa të vogla” po ta kishin gjetur.
Në dokumentin e tyre, demokratët përshkruajnë gjithashtu frikën që ndienin ligjvënësit dhe punonjësit e tjerë gjatë trazirës. “Disa anëtarë po u telefonin njerëzve të tyre të familjes nga frika se nuk do t’i mbijetonin sulmit të turmës rebele të Presidentit Trump,” shkruajnë prokurorët në argumentet e tyre të akuzës.
MOHIMI, FJALA KYÇE E MBROJTJES
Ekipi mbrojtës i zotit Trump, në përmbledhjen e argumenteve të tij prej 14 faqesh përdor 29 herë fjalën “mohoj” ose “mohim”.
Ata mendojnë se gjyqi për fajësimin e ish-Presidentit Trump nuk ka kuptim të mbahet, sepse ai nuk është më në detyrë. Ata mohojnë se ai i nxiti mbështetësit e tij për dhunë. Ata mohojnë gjithashtu që ai të ketë bërë ndonjë gabim më 6 janar, ose në javët para trazirave, kur i nxiti mbështetësit e tij të kalonin në histeri, duke i bindur se zgjedhjet ishin vjedhur, megjithëse provat tregonin të kundërtën.
Kur zoti Trump i tha turmës, “Nëse nuk luftoni me çdo kusht, nuk do të keni më shtet”, ai thjesht po nxiste “nevojën për të luftuar për sigurinë e zgjedhjeve në përgjithësi”, pretendojnë avokatët e ish-presidentit. Ai nuk po përpiqej të ndërhynte në numërimin e votave elektorale, edhe pse kishte kërkuar që Pence të bënte pikërisht këtë, pretendojnë ata.
“Mohojmë se Presidenti Trump rrezikoi në ndonjë çast sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të tyre qeverisëse,” shkruajnë ata. “Mohojmë se ai kërcënoi integritetin e sistemit demokratik, ndërhyri në tranzicionin paqësor të pushtetit dhe dëmtoi qeverisjen e tre degëve të pushtetit me kompetenca të barabarta,” thonë ata.
Përkundrazi, sipas tyre, ai “e luajti në çdo kohë në mënyrë të admirueshme rolin e tij si president, duke bërë atë që mendonte se ishte në interesin e popullit amerikan”. Në zgjedhje nuk pati mashtrim të përhapur, siç është konfirmuar nga një sërë zyrtarësh zgjedhorë në të gjithë vendin dhe nga ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Pothuajse të gjitha sfidat ligjore për zgjedhjet të paraqitura nga zoti Trump dhe aleatët e tij u hodhën poshtë nga gjykatat.
MËSIMI I HISTORISË
Të dyja palët kanë mosmarrëveshje për faktin nëse një gjykim është i përligjur tani që zoti Trump nuk është më në detyrë. Ky argument, ende i pasqaruar mirë, mund të shërbejë si element kyç për shpalljen të pafajshëm të ish-presidentit.
Avokatët e zotit Trump thonë se çështja është e diskutueshme pasi ai nuk është më në Shtëpinë e Bardhë dhe Senati nuk ka juridiksion për ta gjykuar atë në një çështje që ka të bëjë me shkarkimin nga posti. Shumë republikanë të Senatit pajtohen me këtë logjikë dhe 45 prej tyre votuan pikërisht mbi këtë bazë që gjyqi të marrë fund para se të fillojë. Për fajësimin e zotit Trump do të duhej vota e dy të tretave të Senatit.
Është e vërtetë që asnjë president nuk është përballur me një proces gjyqësor pas largimit nga detyra, por prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se ekziston një precedent i qartë. Ata përmendin rastin e ish-Sekretarit të Luftës William Belknap, i cili dha dorëheqjen në vitin 1876, vetëm disa orë para se Dhoma e Përfaqësuesve të ngrinte akuza ndaj tij lidhur me një skemë rryshfetesh. Senati më pas zhvilloi gjyqin, megjithëse ai nuk ishte më në detyrë, ndonëse e shpalli të pafajshëm. Demokratët venë në dukje se ndaj zotit Trump akuza u ngrit në kohën që ai ishte ende president.
Hartuesit e Kushtetutës, shkruajnë demokratët, synonin që me procesin e gjykimit në Senat, të ndëshkonin zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë për veprime të kryera kur ishin në detyrë, pa asnjë përjashtim. Jo vetëm kaq, thonë ata, por Kushtetuta qartazi lejon Senatin të skualifikojë nga postet e ardhshme qeveritare çdo zyrtar që shpallet fajtor prej tij.
Kjo mundësi, thonë ata, i jep rëndësi të veçantë çështjes gjyqësore kundër zotit Trump, i cili mund të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024./VOA/