Kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi këtë Mërkurë planin e Partisë Demokratike për arsimin. Basha prezantoi pikat kyçe të panit që përfshijnë arsimin parauniversitar ashtu universitar.
“Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore apo diskriminohet. Do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara. E përsëris, nuk do të ketë bir dhe bijë shqiptari që të mbetet pa arsim për shkak të pamundësive ekonomike të prindërve të tyre”, u shpreh Basha, i cili kritikoi qasjen e Rama në fushën e arsimit.
Arsimi parauniversitar
- Basha premtoi tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. “Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar”.
- Ai shtoi se do të hartohet një program arsimor modern, përmes të cilit “do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta marrin atë gjatë periudhës së arsimit të tyre”.
- “Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Wducation World Wide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht! Të rinjtë tanë në shkolla dhe ata në tregun e punës duhet dhe do të jenë gati për investimet e mëdha që do të vijnë në Shqipëri me qeverinë e re, do të jenë gati për të mbushur vendet e reja të punës në turizëm, në prodhim, IT apo shërbime”, shtoi.
- “Angazhohem, vijoi Basha, që nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurtë në shkollë dhe larg rrugëve”.
- Basha premtoi që brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, leptop ose kompjuter në shtëpi.
- “Nëpërmjet programit ‘Shqipëria fiton arsimin’ ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do ti mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës”, shtoi Basha.
Pagat për mësuesit
“Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë, atëherë përgjegjësit për këtë të ardhme janë mësuesit e fëmijëve tanë. Ata meritojnë më shumë. Po ama vërtet më shumë. Dhe unë angazhohem që t’u jap më shumë”, paralajmëroi kryedekomrati rritjen e pagave për mësuesit.
“Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar”, tha ai.
Ndërkohë, Ndriccim Mehmetaj, ekspert për arsimin në PD, shpjegoi se rritja e pagave me 60% do të realizohet deri në fund të mandatit të parë duke sjellë më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 mijë familje të mësuesve dhe edukatorëve në arsimin parauniversitar.
Arsimi universitar
Basha pmretoi një ligj të ri për arsimin e lartë.
- “Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë dhe vetë studentët dhe në përputhje me standardet dhe parimet më të avancuara bashkëkohore evropiane”, tha Basha.
- Premtoi rritje të pagave me 50%, “duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro”.
- “Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo studentët dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha.
- “Ne do investojmë tek studentë e shkëlqyer duke i mundësuar atyre studimin në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain, i cili nuk nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë”, vijoi.
- “Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12 mujore për studentët më të mirë çdo vit”, u shpreh Basha.
- “Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është angazhimi tjetër i qeverisë tonë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 36 milionë euro, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, që do të përdoren falas nga pedagogët dhe studentët pa pagesë”, tha Basha.
- Kryedemokrati bëri me dije se “një vend të veçantë në platformën tonë ka financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë”.