Nga Gjergji Koja
Fiks pas 3 muajsh, Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare që konsiderohen jo të zakonshme nga të gjitha palët në proces.
Edi Rama kërkon një mandat të 3-të, jo se mund të ofrojë diçka, por se synon të vendosë një rekord, atë të një Kryeministri që qëndron 12 vite në krye të qeverisë, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani në politikën shqiptare. Rama më parë ka qenë Kryebashkiak i Tiranës po për 3 mandate, duke qenë i pari politikan në 30 vitet e tranzicionit që ka drejtuar kryeqytetin për 11 vite.
Në anën tjetër, Lulzim Basha synon mandatin e parë si kryeministër, pasi më parë ka provuar postet ministrore në 3 nga Ministritë kryesore të vendit, Transportet, Punët e Brendshme dhe atë të Jashtme, si dhe Kryebashkiakun e Tiranës.
Si Rama, edhe Basha janë në një përballje, më të rëndësishmen në karrierën e tyre politike, por edhe të forcave që drejtojnë.
Në vitin 2017, kur Rama mori mandatin e dytë si Kryeministër e gjithë fushata e tij u bazua te 3T: Timoni, Tepsia dhe Tutat. Ai nuk paraqiti asnjë program, thjesht e bazoi fushatën në batuta, herë duke u tallur dhe herë duke lënë të nënkuptohej se mund të bashkëqeveriste. Në çdo takim shfaqej i veshur me tuta, ndërsa e cilësonte kundërshtarin e tij një kooperativist, duke iu referuar veshjes së tij.
Pastaj kërkonte Timonin e qeverisë, duke u shprehur se në makinën e Rilindjes nuk kishte vend për aleatë që synon Tepsinë e pushtetit, duke pasur parasysh këtu aleatët e tij, deri diku tradicionalë.
Por kur vinte çështja te PD dhe Basha, Rama nuk sulmonte, thjesht bënte batuta, dhe kjo dukej se ishte një strategji për të mos vënë në lëvizje të gjithë mekanizmin e demokratëve, që duhet thënë se janë një makinë elektorale. Duke krijuar idenë se mund të kishte një bashkëqeverisje apo një koalicion të mundshëm si ai në Gjermani, por duke vënë në qendër edhe marrëveshjen e 17 majit, Rama arriti të përgjumë jo pak mbështetës të PD-së dhe rezultati dihet.
Katër vjet më parë, Basha u mundua të paraqesë një program, të ndërtojë një fushatë ndryshe, pak a shumë në formatin e çadrës që ngriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për rrëzimin e qeverisë Rama, por nuk goditi aq sa duhet për të ngritur në këmbë gjithë mekanizmin elektoral të PD-së. Ndoshta lista e kandidatëve që paraqiti në momentet e fundit, ndoshta mungesa e një transparence për marrëveshjen e 17 majit, ndoshta gjuha e moderuar në fushatë, mund të kenë ndikuar në atë që më pas do të cilësohej si rezultati më i dobët zgjedhor për demokratët që nga 1997.
Sot Rama dhe Basha ndodhen sërisht në fushë, ballë për ballë, pothuajse në të njëjtat kushte elektorale lidhur me koalicionet, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku secili ka avantazhet dhe disavantazhet e tij.
Rama ka mbi shpatulla dështimet dhe skandalet, por zotëron 100 % pushtetin vendor, që duket se është kthyer në hambarin elektoral të Rilindjes. Vijon të mos ketë një program, sikundër nuk ka një bilanc pozitiv mbi 8 vitet e qeverisjes. Ka akuzat për kriminalizimin e politikës, kanabizimin, skandalet, PPP, koncensionet, abuzimet me miliona euro në kohë pandemie, dështimin në menaxhimin e saj dhe mbi të gjitha është i konsumuar, qoftë edhe për batutat. E vetmja tezë që ai vijon t´a përdorë si “gogol” është se votimi për PD dhe Lulzim Bashën është një ndarje e tepsisë së pushtetit me aleatët e tij.
Në anën tjetër, Basha ka luksin që të sulmojë politikisht Edi Ramën në çdo drejtim, sikundër mund dhe duhet të paraqesë një program, gjë që Rilindja nuk e ka, apo të përfaqësohet me një listë kandidatësh që jo vetëm bëjnë dallim, por edhe mbledhin vota.
Pra, me pak fjalë, nuk ka nevojë të premtojë mrekulli, as çudira, të cilat vështirë se arrihen, por mund të ofrojë një normalitet, një figurë normale si Kryeministër dhe mbi të gjitha të japë garanci se në qeverisjen e tij, ata që sot i konsideron si “oligarkë” nuk do të vijojnë të diktojnë politikat e Qeverisjes. Këtë nuk mund t´a bëjë me një fjalim, as me një konferencë për mediat, as duke u përbetuar se do të veprojë ligji anti-mafie, por duke e bërë pjesë të atij programit, me të cilin do të prezantohet para shqiptarëve.
Në 2005, kohë kur PD u rikthye në pushtet pas 8 vitesh në opozitë, përveç frymës së krijuar te shqiptarët se duhej një rotacion, u paraqit një kontratë, një program për “duart e pastra”, pavarësisht se më pas duart fiiluan të bëhen nga pak pis, derisa u nxinë.
Pikërisht, këtë garanci duhet të japë sot Kreu i PD-së si kandidat për Kryeministër, për t´a bërë më të qartë se 25 prilli nuk do të jetë thjesht një rotacion pushteti nga duart e Edi Ramës te ato të Lulzim Bashës, apo një ndryshim emrash në kabinetin qeveritar, por një ndryshim në radhë të parë në mendësi dhe më pas në gjithë hallkat qeverisëse.
Këto 20 vitet e fundit të paktën kanë treguar se çdo qeveri ka bashkëqeverisur me një grup të ngushtë, jo më shumë se 10 emra, që herë i quajnë oligarkë dhe herë quhen biznesmenë të suksesshëm, që vështirë se arrin të kuptosh nëse janë ata që diktojnë, apo thjesht ndryshojnë padronët politikë dhe vijojnë të mbrojnë interesat e tyre.
Edi Rama nuk e bëri dot, përkundrazi vijoi me shumë nga ata që dikur përbetoheshin apo shiheshin si garancia për qeverisjen e PD.
Lulzim Basha ka shansin të bindë shqiptarët deri më 25 prill se të paktën kjo historia që Kryeministri dhe ministrat janë çirakë të atyre që i quan oligarkë do të marrë fund.