Nga Basir Çollaku
“Ndragheta” nuk ka përse harxhon kohë. Përgjimet e publikuara nga Ora News janë një turp i tmerrshëm kriminal. Edi Rama dhe Erion Veliaj, paskan njeriun e duhur ndërmjetës me organizatën Mafioze, për të lëshuar në duar të tyre, biznese, koncensione, para publike, ndërtimet e gjysmës së Tiranës, mos harroni Teatrin, zona rreth pallatit të kulturës, parajsë për miliarda euro, ndaj, qendra e kryeqytetit tone është bërë një kosh plehrash betoni, sepse kështu duan Rama, Ndragheta dhe Erioni. Rezultat i mafiozëve shqiptarë në qeveri, është 20 përqindëshi i shumës. I duan në dorë. I marrkan dhe i kanë marrë, thonë përgjimet e antimafias italiane në Katanzaro, përsakohë përfaqësuesit e Ndragheta kanë bërë punë me thes në këtë vend edhe oksigjenin në dorë të MAFIA-s e kemi lënë në këtë kohë Pandemie, sepse GTS dhe SOL, kanë bërë kërdinë në tendera në shëndetësi nga koha kur zonja ministre ishte drejtoreshë e Qendrës Spitalore Nënë Tereza dhe në vijim. Në shëndetësi, në energji, ndërtim hidrocentralësh, ndërtim pallatesh shumëkatëshe, inceneratorë, kudo shfaqen miqtë e Ndragheta në Tiranë dhe marrin çfarë duan, pasi paguajnë tarifën e kërkuar nga pushtetarët shqiqptarë. Pyetja është:
Mendoni se Erion Veliaj bën gjithë këtë hata mafioze, prodhuese e qindra milionë eurove pa dijeninë, lejen, vendimin, urdhërin e Edi Ramës?
Aq sa bëri Sajmir Tahiri i vetëm, Shqipërinë një plantacion droge, pa dijeninë e shefit të tij Edi Rama?
Rastet dhe MAFIA mbeten të njëjtë.
Janë afro 1000 mijë leje ndërtimi të dhëna në Tiranë. Sa nga këto kanë përfunduar në duart e trafikantëve dhe mafiozëve?
A ka lexuar dosjen e aplikuesve kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, apo është urdhëruar nga shefi i tij, Edi Rama, njëherësh bashkëpërfitues, duke hapur shtegun e parasë kriminale, e cila në dy vite ka kapërcyer dy miliardë euro.
Përgjimet kanë zbuluar aferën e invetimeve për ndërtimin e një gradaçele shumëkatëshe në Tiranë me kusht pagesën e 20% të kuotës për të fituar lejen.
Mes bisedave të përgjuara, të cilat Ora News i ka siguruar, sipërmarrësit Antonio Gallo dhe Antionio Speziali flasin me avokatin Claudio Larussa, përfaqësues i politikanëve, Tomaso e Saverio Brutto, flasin për lidhjet me një person mjaft pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sipas tyre, B. Halili, i quajturi Niku, e po në këto përgjime thuhet se Claudio Larussa ka takuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Bashkëshortja e ndërmjetësit ish-drejtoreshë e Lojërave të Fatit, kur Tahiri sajoi operacionin “Fundi i Marrëzisë”, një promovim i kahershëm në vallen e parasë.
Punëmbaruarit janë të qartë. Çmimet e shitjes për një metër katror shkojnë deri në 2-3 mijë euro në qendër të qytetit, në zonën pranë Pallatit të Kulturës, projektojnë ata. Piketat janë vendosur. Sigurisht trojet e Teatrit të shembur, janë njëlloj, shenjestër e planeve të Ndragheta dhe miqve të tyre, 20 përqindësh në Tiranë. Mendoni sa është 20 përqind e dy miliard eurove investime, të dakortësuara në darkën me ministra e oligarkë në Dubai, ku Niku ka dhe një zyrë punësh të shëndetshme. Janë 400 milionë euro, sipas kësaj skeme mafioze do të shkojnë në xhepat e darkuesve, lejedhënësve Rama e Veliaj?!!, ndaj duhet mandat i tretë, sepse Ndragheta dhe ushtarët e tyre në qeverinë e bashkitë shqiptare, janë me laps në dorë e xhepa të hapur për të numëruar 20 përqindëshat. Kjo nuk është më një lavatriçe. Kjo nuk është një histori pastrimi parash. Kjo është marrje peng dhe me qera e qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës për të bërë punët e MAFIA-s. Në Shqipëri kur mjerimi, fatkeqësitë, pamundësia ekonomike, kanë katandisur qytetarët në prag urie, mendoni se çfarë bëhet me qindra milionë euro nëpër duar mafiozësh, zaptues zyrash, të cilët kanë dalë të urdhëruar nga Ndragheta për të marrë mandatin e tretë.
Po SPAK-u
Pritshëmëritë e larta në më shumë se një vit nga ngritja e Prokurorisë së Posaçme janë zhgënjyese. Pafuqia e akuzës për të shkuar në hell dosjet e mëdha, është investim i keq. Përfaqësuesja e shtetit, nuk mundet, nuk ka dhënë shenjë, as sinjal konkret, se mundet të hetojë, ndalojë, prangosë, sekuestrojë, punë të paligjshme të minsitrave, kryebashkiakëve, deputetëve, kryeministrave. Pasi hoqi nga duart 184-ën dhe 339-ën, SPAK-u e nisi me copëza korrupsioni në polici, dënim me 100 euro, apo ndonjë punë për komunitetin, të një zyrtari, niveli i të cilit ishtë shumëshifror. Për tenderat e Pandemisë, respiratorë, kite, Prokuroria e mbylli me një qortim, herë tjetër vidhni më pak, duke nxjerrë të larë minisitren, komisionin, aq më larg kryeministrin. Për fluturimet elektorale të Olta Xhaçkës, ndoshta do të na thonë se kishte baltë në tokë andej në Dibër dhe minisitres i bëheshin këpucët pis. Edi Ramën dhe Erion Veliajn, Prokuroria e Posaçme duhet t’i marrë në hetim në këtë histori të rëndë hetimi, nisur nga antimafia në Katanzaro. Arben Kraja dhe Olsian Çela, drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të SPAK, në këtë heshtje të kontrolluar, po japin provën e varësisë, pafuqisë, në mos të paaftësisë, duke lejuar Ndraghetën të bëjë partneritet me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës. Mosveprimet e prokurorëve në këtë ngjarje kriminale, duhen kallëzuar dhe hetuar.
Po ku është ajo pjesë e shëndetshme e prokurorisë, premtuese të nxjerrë përballë ligjit zëfikurit e SPAK? Deklaratat me urra e duartrokitje ndërkombëtarësh për reformën, janë një pellg interesash, ku miliardat janë më të fortë se ligji. Opozita duhet të radikalizojë qëndrimin për këto vepra të rënda penale, mafioze, për kapjen e Qeverisë e Bashkisë Tiranë nga Ndragheta. Nuk mundemi që çdo punë ligjore e përballje me drejtësinë ta zgjidhim, o në Venecia, ose në Hagë. Edi Rama e nisi marrjen e pushtetit në kontratë me krimin vendas për ta mbyllur me marrëveshjet me krimin e organizauar ndërkombëtar, pasi ata qeverisin sot vendin tonë. Fatkeqësisht ka ndodhur aksioma. Çdo vend ka mafien e tij, ndërsa në Shqipëri, MAFIA ka qeverinë e saj. Megaprocesi ndaj Ndraghetas shqiptare është domosdoshmëri, por deri tani SPAK nuk e ka në ekip një Falcone..