Ajo është një vajzë e imët, me flokët e lyera bjond dhe e qetë. Takimi me të është gati “rastësor”, megjithatë ajo vendos të flasë, por me kushtin e vetëm, që të ruhet konfidencialiteti.
“Ndodhi sepse kisha nevojë për para. Nuk është se dëshiroja të zhvishesha apo të postoja foto të vetes”, shprehet A., një vajzë rreth të 25-ave, e cila jeton në Tiranë. Për shkak të koronavirusit, ajo humbi punën në një kompanitë turistike dhe filloi të postojë foto gjysmë-nudo në një rrjet social.
“Aplikova për punë por ishte gati e pamundur të gjeja një të tillë”, shprehet ajo për Gazetën “Si”. A. më vonë krijoi një llogari në “OnlyFans” me rekomandimin e një mikut të saj.
Në këtë platformë, ndjekësit (folloëers) paguajnë një tarifë abonimi mujor (25 $ në muaj) për të pasur akses në fotot, videot ose transmetimet e drejtpërdrejta, ndërkohë që kompania merr 20% komision. Pavarësisht se platforma, tashmë e bërë e njohur për pastime gjysmë-nudo apo nudo nuk u drejtohet vetëm njerëzve që shesin imazhe nudo, shumë përdorues të OnlyFans e bëjnë diçka të tillë.
Ajo çfarë është për t’u vërejtur është se mes personave që postojnë foto ka edhe nga Shqipëria. E tillë është dhe K., një vajzë 18-vjeçare, e cila është bërë pjesë e platformës, ndërsa poston me ‘nick-name’. A. rrëfen se ka fituar 1500 dollarë brenda një periudhe prej katër muajsh, ndërkohë që foto të ngjashme poston edhe në llogarinë e saj në Instagram.
“Është punë. Përmes diçkaje të tillë paguaj qiranë dhe nevojat e mia të përditshme”, shpjegon ajo, ndërsa shton, se ajo nuk pranon dhe refuzon kërkesa për të postuar foto apo video, të cilat janë qartazi veprime seksuale, porse pohon, se ka shumë të rinj, që e bëjnë diçka të tillë.
A.vëren se e ka mbajtur të fshehtë këtë “punë” të saj nga miqtë më të afërt, pasi në të kundërt do të etiketohej prej tyre si një lloj prostitute, por pohon se numri i atyre që shesin foto nudo në rrjete sociale është vërtet i madh.
“Ka nga ata, që postojnë gjithçka në mediat sociale. Mendoj se shumë të rinj e shohin thjesht si mundësi punësimi në një kohë kur është e vështirë të gjesh punë.” Mbase për këtë arsye, pavarësisht paragjykimeve, “shitja e nudove në internet, kohët e fundit është bërë diçka më e dukshme dhe më e pranueshme socialisht.”