Marsel Ismajlgeci i ngjiti shumë shpejt hapat në skenën e futbollit të madh shqiptar. Qysh në moshë të re ai spikati me ekipet e moshave të Tiranës dhe arriti të fitojë shansin për t’u provuar në ekipin e parë në Kategorinë Superiore. Një shans që ai e shfrytëzoi më së miri dhe që nga sezoni kaluar ai është bërë pikë referimi e formacionit të klubit kryeqytetas në krahun e majtë të mbrojtjes.
Një ecuri të ngjashme Ismajlgeci ka pasur edhe me ekipet kombëtare të moshave, duke e spikatur që me skuadrat kuqezi U-19 e më pas te Kombëtarja U-21. Në nëntorit të viti të kaluar mbrojtësi i majtë u grumbullua edhe në Kombëtaren A nga trajneri Edy Reja, por fati nuk ishte me të, pasi humbi debutimin për shkak të një dëmtimi që e la jashtë skuadrës në momentet e fundit.
Gjithsesi, 20-vjeçari ka të gjithë kohën e mundshme dhe shanset për të treguar sërish aftësitë me fanellën kuqezi. Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” për Fshf.org, futbollisti kryeqytetas tregon si e nisë aventurën e futbollit dhe momentet më pikante të karrierës së tij.
Ismajlgeci është i qartë për synimet që i ka vënë vetes dhe shpreson që në të ardhmen përmes punës dhe përkushtimit në fushën e lojës të arrijë majat e futbollit.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Historia ka nisur përpara se unë të lindja. Babai im e ka dashur shumë futbollin dhe ka qenë ëndërr e tij, që nëse do kishte një djalë, ai do të bëhej futbollist. Si çdo fëmijë fillimet e mia kanë qenë duke luajtur në lagje, dhe, përveç dëshirës së babait tim, ai pa që unë kisha dëshirë dhe pasion për futbollin dhe kështu vendosi që unë të shkoja në stërvitje. Çdo gjë që unë jam sot, jam falë Zotit dhe babit tim, që nuk u dorëzua kurrë që unë të jem futbollist.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja e moshave dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
– Ka qenë gëzimi më i madh për mua dhe familjen time. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si jam ndjerë në ato momente, sepse e ëndërroja shume atë thirrje. Kur kam debutuar mbaj mend që kam pasur shumë emocione dhe lutesha vetëm të jepja më të mirën.
– Në ndeshjet e fundit në nëntor 2020 ti u grumbullove edhe në Kombëtaren A, por për fat të keq nuk munde të luaje në ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi. Si e përjetove këtë moment?
– Besoj se është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar të luajë për ngjyrat kuqezi, për fanellën tonë dhe thirrja në Kombëtaren A ishte vlerësim, privilegj dhe emocion akoma më i madh. Fatkeqësisht, pësova një dëmtim dhe nuk munda të luaj në ndeshjet e nëntorit, por do të vazhdoj të punoj fort në mënyrë që të mund të luaj dhe të jap maksimumin tim për skuadrën tonë kombëtare.
– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë?
– Skuadra jonë kombëtare ka lojtarë shumë të mirë, cilësor, punëtor, që janë për t’u marrë shembull dhe besoj se do arrijmë shumë, me punë dhe dëshirë. Ne kemi elemente shumë të mira dhe nuk ka arsye pse të mos arrijmë rezultatet edhe më të larta.
– Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?
– Tirana është një skuadër e madhe dhe unë e kam për nder që jam pjesë e klubit bardheblu. Çdo klub ka momentet e tij të vështira, por ne nuk dorëzohemi. Deri në fund do të mundohemi të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivat tona.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.
– Fitimi i titujve kampion kur kam qenë pjesë e ekipeve të moshave të Tiranës, fitimi i titullit kampion në 100-vjetorin e klubit dhe momenti më i veçantë është shënimi i golit ne Uefa Champions League sezonin e fundit. Ndërsa për ngjyrat kuqezi, sigurisht thirrja e parë në Kombëtaren A!
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
– Unë jam ende i ri, por mund të përmend disa momente, të cilat ndoshta dikush nuk do t’i quajë sakrificë. Ka ndodhur që kam luajtur i dëmtuar, vetëm që unë dhe skuadra ime të arrinim objektivat tona. Çdo njeri nga ne shoqërohet me njerëz të ndryshëm dhe kemi shoqërinë tone dhe shpesh kur miqtë e mi dilnin nëpër festa fundjavave, unë nuk mund t’ju bashkohesha, pasi mendoja që ditën tjetër kisha ndeshje dhe duhet të isha në formë.
Kur familjarët e mi janë mbledhur për të festuar diçka apo kanë bërë udhëtime të ndryshme nuk u jam bashkuar, sepse duhet të isha në stërvitje apo duhet të shkoja në ndeshje, dhe kam humbur momente të veçanta. Isha 15 vjeç dhe jam larguar nga familja ime për një periudhe kohe, që të stërvitesha në Greqi dhe ajo ka qenë periudha më e vështirë, që kam kaluar ndonjëherë.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Dua të punoj fort, të vazhdoj karrierën time jashtë dhe do të doja që një ditë të jem pjesë e klubit te Barcelonës, që është dhe ëndrra ime.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?
– Nuk është se kam ndonjë idhull, por të gjithë lojtarët për mua janë më të mirët dhe jam me fat që stërvitem me ta. Marcelo-n e Realit ndjek si shembull, sepse për mua është mbrojtësi i majtë më i mirë në botë.