Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit pasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave dhe për përdhunim.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës njoftuan këtë të Hënë arrestimin e Ledion Spahiut alisa Besmir Kurtdeda.
Ky person u vu në pranga nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 pasi ka konsumuar veprat penale “Dhuna në familje”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, thuhet në njoftimin e policisë, që nuk jep të tjera detaje rreth rastit në fjalë.
Ndërkohë, burime policore bëjnë me dije se arrestimit i të riut erdhi pas denoncimit të një vajze 20 vjeçe në polici.
Kjo e fundit, sipas burimeve, ka thënë se paraditen e djeshme, personi në fjalë, me të cilin në të kaluarin ka pasur një histori romantike, i ka shkuar në banesë. Vajza ka thënë më tej se pa dëshirën e saj, ai ka kryer marrëdhënie intime me të.
Pas kallëzimit, efektivët janë vënë në kërkim të të riut dhe e kanë arrestuar.