Ligjvënësit e rinj të Kongresit amerikan u mblodh të dielën në kushtet e një atmosfere pasigurie politike kur mbetet ende të përcaktohet se cila parti do të kontrollojë Senatin ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve vazhdon të udhëhiqet nga një shumicë më e zvogëluar demokrate sesa një mandat më parë. Kongresi i ri u mblodh edhe nën atmosferën e një lufte mes republikaneve mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë për rizgjedhjen e demokrates së Kalifornisë Nancy Pelosi si kryetare të saj, por kjo duket tashmë me sfiduese në kushtet kur demokratët humbën 11 vende në zgjedhjet e nëntorit dhe aktualisht gëzojnë kontrollin e kësaj dhome me shumicë më të ngushtë 222 me 212. Votimi pritej të zgjasë disa orë për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë.
Senati udhëhiqet nga republikanët, të paktën deri përpara zgjedhjeve të balotazhit që mbahen në shtetin e Xhorxhias të martën, duke u dhënë anëtarëve të tij një platformë për të transmetuar sërish pretendimet e pabaza të Presidentit Donald Trump se humbja e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Demokrat Joe Biden ishte si rezultat i manipulimit të zgjedhjeve.
Sipas verifikimeve të shumta në nivele shtetërore e federale nuk janë gjetur prova për manipulim të gjerë, sikurse pretendon zoti Trump, por senatorët republikanë dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve planifikojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve të mërkurën kur Kongresi të mblidhet për çertifikimin e tyre.
Një lëvizje në këtë drejtim e udhëhequr nga senatori republikan Ted Cruz për një shqyrtim urgjent 10 ditor të rezultatit të zgjedhjeve në shtetet e kundërshtuara fushëbetejë, nxiti kritika të dielën nga senatori republikan Lindsey Graham, një aleat i fortë i zotit Trump.
“Duket se është më shumë një marifet politik sesa një ilaç efektiv”, tha zoti Graham në një deklaratë. “Do t’i dëgjoj nga afër. Por ata duhet te paraqesin prova bindëse”.
Ndërkohë katër senatorë republikanë iu bashkuan të dielën një deklarate dypartiake nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje Kongresit të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit të fituar nga demokrati Joe Biden.
“Votuesit kanë folur dhe Kongresi tashmë duhet të përmbushë përgjegjësinë e tij për të çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve”, thuhej ne deklaraten të nënshkruar nga senatorët republikanë Susan Collins, Lisa Murkowski, Bill Cassidy dhe Mitt Romney.
Gjithashtu nënshkrues te saj ishin senatorët demokratë Joe Manchin, Mark Warner, Jeanne Shaheen, Maggie Hassan, Dick Durbin si dhe senatori i pavarur Augus King.
Ndërkohë një numër ligjvënësisht republikanë në rritje i janë bashkuar përpjekjes së Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Senatori Ted Cruz i Teksasit njoftoi të shtunën një koalicion prej 12 senatorësh që janë bërë pjesë e përpjekjes së zotit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë.
Kjo vjen pas një deklarate nga senatori Josh Hawley i shtetit Mizuri, i cili ishte i pari që tha se do të bashkohej me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në kundërshtimin e votave të shteteve gjatë sesionit të përbashkët të dy dhomave të Kongresit.
Dy republikanët Hawley dhe Cruz janë mes pretendentëve të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell i ka kërkuar partisë së tij që të mos përpiqen të përmbysë ato që zyrtarët jopartiakë të zgjedhjeve i kanë quajtur votime të lira dhe të drejta.
Fuqia e tkurrur e të dyja partive në të dyja dhomat e Kongresit këtë vit mund të inkurajojë gjithashtu të moderuarit nga secila palë të “përdorin muskujt” e tyre politikë, veçanërisht pas largimit të zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar dhe marrjes zyrtarish të detyrës nga zoti Biden, i cili kandidoi si demokrat i qendrës.
Por udhëheqësit si ata të Dhomës së Përfaqësuesve ashtu edhe ata Senat u përpoqën të dukeshin optimistë pavarësisht sfidave në rritje.
“Nga ndarja politike tek pandemia vdekjeprurëse apo kundërshtarët në të gjithë botën, pengesat para nesh janë të shumta dhe serioze”, tha udhëheqësi i Shumicës së Senatit Mitch McConnell.
“Por ka edhe shumë arsye për shpresë”, shtoi ai duke përmendur vaksinat kundër koronavirusit. “Do të thoja se 2021 duket tashmë një vit shndritës”.
Kreu i shumicës në Dhomës e Përfaqësuesve Steny Hoyer, demokrati numër 2 i saj, tha gjithashtu në një deklaratë se ai shpresonte që Kongresi i ri të “kthente kapitullin” për sa i takon ndarjeve sipas linjave partiake “dhe të fillonte një kapitull të ri të bashkëpunimit mes demokratëve dhe republikanëve”.
Një shumicë më e vogël demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe pandemia e koronavirusit mund ta bëjë më të ndërlikuar rizgjedhjen e zonjës Pelosi në krye të kësaj dhome. Por ajo dhe besnikët e saj thonë se janë të sigurt se zonja Pelosi do të ketë sukses./VOA/