Nga Boldnews.al
Komisioni Rregullator ka miratuar rregullat që ndalojnë përdorimin e administratës dhe çdo aseti shtetëror deri në 4 muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në vendimin e miratuar përcaktohen të gjitha veprimtaritë që ndalohen, ku përfshihen që nga ndarja e lejeve të legalizimit dhe deri në promovimet për rritje pagash apo fondet për shtresa të caktuara të shoqërisë.
Vendimi gjithashtu parashikon ndalimin e përdorimit të administratës shtetërore, çdo punonjësi të punësuar në institucionet publike, përfshi këtu edhe policinë, ushtrinë apo agjensitë ligjzbatuese, po në një periudhë 4 mujore përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Përmes këtij vendimi do të tentohet që t´i jepet fund mënyrës së abuzimit të Qeverisë me asetet apo burimet njerëzore, duke ushtruar presion ndaj tyre, dhe detyrimin për t´u bërë pjesë e fushatave zgjedhore, sikundër ka ndodhur deri më tani.
Precedenti më i rrezikshëm u regjsitrua në fushatën për zgjedhjet e 2017-ës, kur Kryeministri Edi Rama, nuk nguroi që t´i kërkonte edhe punonjësve të Policisë, që të angazhoheshin në një fushatë pro Partisë Socialiste.
Pikërisht nga precedent të tillë, por edhe ato të evidentuara gjatë proceseve zgjedhore në Shqipëri, ku administratat vihen në shërbim të partisë që qeveris, përfshi këtu edhe asetet shtetërore, Komisioni Rregullator ka miratuar vendimin që mund të minimizojë ose t´i japë fund prantikave të tilla.
Në vendimin me objekt “Pёr rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik të çdo institucioni publik, e me kapital shtetëror, agjencive, enteve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, parashikohet vendosja e rregullave në funksion të marrjes së masave, monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive të ndaluara, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të institucioneve qendrore e vendore, si dhe të administratës shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 (katër) muaj para zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, me synim garantimin dhe sigurimin e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve dhe të partive politike.
Gjithashtu parashikohet krijimi i kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe të burimeve publike për qëllime partiake.
Veprimtaritë e ndaluara
Vendimi parashikon veprimtaritë e ndaluara ku përfshihen:
Veprimtaritë publike, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë:
a) mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve, me interes apo shtrirje territoriale kombëtare ose vendore në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjetikës, të telekomunikacionit, të veprave ujore të çdo lloji, në shërbim dhe interes të publikut;
b) mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve, kombëtare ose vendore, me karakter social dhe ekonomik, si edhe ato në funksion të mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit, të shëndetit, të kulturës, rinisë, sporteve dhe të arsimit publik në të gjitha nivelet, si dhe të infrastrukturës, në shërbim të interesit publik;
c) mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve dhe të objekteve të paluajtshme të karakterit arkeologjik, historik, kulturor e shkencor dhe të objekte publike, ose për mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve të luajtshme me vlerë institucionale, historike, arkeologjike, kulturore ose shkencore;
ç) mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi;
d) mbështetjen dhe promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore.
Gjithashtu veprimtari të ndaluara janë edhe ato që përfshijnë:
a) shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;
b) shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, çertifikatave të pronësise, dhe cfarëdolloj titulli pronësie sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, si dhe të regjistrimeve të titujve të pronësisë sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën” në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;
c) vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për qëllime zgjedhore, që janë në pronësi apo administrim të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, apo çdolloj enti tjetër ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit;
ç) përdorimin e detyruar në fushatë zgjedhore të administratës shtetërore qendrore dhe vendore brenda orarit të punës për veprimtari dhe/ose aktivitete për qëllime zgjedhore edhe me mjetet e komunikimit elektronik, si dhe përdorimin në mënyrë të detyruar dhe të organizuar brenda orarit mësimor të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar për veprimtari dhe aktivitete në funksion të zgjedhjeve, ose premtimin apo ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari për qëllime zgjedhore, jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimin e presionit ndaj tyre përkëtë qëllim.
d) gjatë fushatës zgjedhore, marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, shtesat ne organiken e cdo institucioni publik e shteteror apo emërime provizore, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij.
dh) kontrollet dhe verifikimet e bizneseve tregtare dhe operatoreve në kundërshtim me procedurat ligjore dhe veprimtarinë institucionale.
Kufizimet për fushatën
Në vendimin e Komisionit Rregullator përcaktohet se Kryeministri, administrata e tij, zv.kryeministri, ministri dhe zëvendësministri, administrata e tyre, kryetari i bashkisë zëvendësit dhe administrata e tij, Prefekti dhe administrata e tij, drejtori i përgjithshëm i agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave ose Ministrit, drejtori i përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, drejtorët e drejtorive dhe administratat respektive, drejtuesit dhe anëtaret e organeve kolegjiale, enteve, bordeve, çdo drejtues i shoqërive tregtare në administrim nga shteti si edhe në çdo ent ku shteti zoteron aksione e kapitale/kuota apo emeron shumicën e organit mbikqyrës ose të organit administrues, titullari dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, e kanë të ndaluar të drejtojnë, të marrin pjesë apo të kontribuojnë në çfarëdolloj forme, në veprimtari publike të ndaluara sipas këtij vendimi.
Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi i akteve ligjore ose nënligjore, ose nxjerrja e tyre me qëllim informimin e publikut në lidhje me vendimmarrjen e institucionit miratues në faqen e tij zyrtare, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, faljet e kamatvonesave, të gjobave, të detyrimeve tatimore e doganore vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore ose të epidemisë/pandemisë, apo ka si qëllim zbatimin e një detyrimi ligjor me karakter ndërkombëtar apo zbatimin e një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, ndalohet dhënia e kontratave publike të koncensionit/partneritet publik privat (PPP), për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncensionare të identifikuar dhe nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor.
Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave marrin masa për të mosvendosur ose propozojnë të mos vendosen në rend të ditës të institucioneve respektive për shqyrtim dhe miratim, aktet e përmendura mësipër.
Institucionet publike u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike.
Administrata
Në vendim parashikohet se punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës zgjedhore, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese për të ushtruar pa ndikim lirinë e shprehjes dhe/ose për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi dhe në këtë vendim.
Punonjësi i administratës shtetërore i cili është regjistruar si kandidat për zgjedhjet pezullohet nga detyra nga momenti i rregjistrimit të tij si kandidat deri në datën e përfundimit të numërimit të votive në zonën ku kandidon.
Për nëpunësit, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, në rastet kur nuk njoftojnë për kandidimin në zgjedhje, merret masa e ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari me karakter politik apo në funksion të politikes partiake/kandidatëve apo në fushatë zgjedhore të një subjekti zgjedhor ose kandidati në zgjedhje. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare, materiale, njerëzore publike, me qëllim favorizimin e një partie politike, koalicioni ose kandidati në zgjedhje.
Punonjësi i administratës shtetërore, vetëm pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një subjekti zgjedhor ose kandidati në zgjedhje.
Gjatë pjesëmarrjes në veprimtari politike apo zgjedhore, nëpunësit civil, i ndalohet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike dhe të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat.
Ndalohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës shtetërore të institucionit, nëpërmjet ushtrimit të presionit ndaj tyre për këtë qëllim, si dhe premtimit ose ofrimit të përfitimeve nëpunësve publikë, për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës.
Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar zyrtarisht eprorin direkt dhe njësinë e burimeve njerëzore për këtë veprimtari. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale, në përputhje me Ligjin “Për Rregullat e Etikës në Administratën Publike”.
Vendimi ngarkon Sekretarët e Përgjithshëm dhe Drejtuesit e Institucioneve publike, që të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve dhe punonjësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një subjekti zgjedhor ose kandidati në zgjedhje.
Gjithashtu ato duhet të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare përkatëse të internetit, me qëllim administrimin e çdo denoncimi dhe të çdo rasti të përfshirjes, nxitjes, urdhërimit, shantazhimit apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të atij institucioni në veprimtari politike apo në mbështetje të një subjekti zgjedhor apo të kandidati në zgjedhje.
Ata duhet të verifikojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, si dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale dhe marrin masa për përcjelljen e denoncimeve sipas rastit, në KQZ ose Prokurori.
Masat administrative
Referuar vendimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka të drejtën të pezullojë çdo veprimtari që ndalohet në këtë vendin, sikundër kërkon mostransmetimin e tyre nga mediat përgjatë orarit të lajmeve.
Këtu vendimi parashikon edhe sanksionet administrative që variojnë nga 3 mijë deri në 90 mijë lekë.
Në rast se Komisioneri konstaton se Titullari i institucionit ka penguar raportimin sipas këtij vendimi, ka ndikuar apo urdhëruar që ai të raportohet me vonesë, apo veprimtaria apo aktiviteti publik është zhvilluar pavarësisht ndalimit të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, titullari i institucionit ndëshkohet nga Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë sipas nenit 169, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës së dhënë në bazë të këtij neni. Gjoba e vendosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet sipas procedurave të parashikuara në nenin 510, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.