Nga Boldnews.al
Ajo dosje kishte një numër, por më tepër se fashikuj provash të krimit elektoral ishte kthyer si numri i varrit 184. Bëhet fjalë për batërdinë e shitblerjes së votave në Dibër, por sot, të vetmit që do kalojnë një herë serbes para gjykatës, madje si kapadai për të synuar edhe pafajësinë e blerë me pushtet, do të dalin vetëm katër emra; një ish-drejtues policie dhe tre zyrtarucë lokal. Të gjithë “peshqit e mëdhenj” përfshi edhe “peshkaqenin e bardhë”, janë përkedhelur nga një prokurori minimalisht e trembur si ajo e Dibrës.
Ish-ministrat Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, apo deputetët Pjerin Ndreu, Xhemal Qefalia dhe Ulsi Manja, që dilnin në audipërgjime duke u hargalisur me një fjalor bastard dhe denigrues, ku secili prej tyre në çdo fjali përmendte; mos e caj k…, mos e rruaj k…, u bë ai k…. dhe më pas – q… robt, tërmet-tërmet o ja q… robt.., sot nuk do e rruajnë fare k…
Sepse prokuroria jonë i ka amnistuar, duke pritur që të kalojnë më shumë se tre vjet nga kryerja e krimit të shitblerjes së votave dhe më pas u kapën pas disa citimeve të ligjit që ishte një vepër penale e parshkruar. Në fakt nuk e parashkroi ligji, por “babloku i madh”…
Ai, në prag të zgjedhjeve të ardhëshme, politikisht me vendimin e djeshëm të prokurorisë ka arritur dy qëllime. Së pari i thotë krimit që të afrohen në oazin e Rilindjes, pasi askush nuk i prek, nuk ka drejtësi që t’i lëndojë, qoftë edhe t’i prekë një qime të asaj që nuk thuhet…
Së dyti, “çunit problematik” si Damiani dhe eksponentëve të tjerë të lartë të Rilindjes, u jep edhe më shumë krahë, duke u shkelur syrin pa bërë zë dhe dhënë mesazhin se drejtësinë e ka futur në xhep. Prokuroria do ishte më mirë të mos e dërgonte në gjykatë këtë çështje para zgjedhjeve, sesa të niste vetëm katër emra të ushtarëve të lodhur të Rilindjes, të cilët pritet që edhe në vendimin fundor të gjykatës të dalin me ndonjë dënim qesharak, si ajo e dënimit me kusht, apo punë në komunitet.
Kryeministri Edi Rama ka një strategji të pastër për të mbështetur të gjithë personazhet që sjellin vota të blera, të rrëmbyera me shantazh, apo nën kërcënimin për humbjen e vendit të punës. Rasti ekzemplar është Damian Gjiknuri i cili u kap në audiopërgjime teksa fliste për të dërguar “çuna problematik,” si krah force në Dibër, apo në komunikimet me eksponentë të përfolur, ku mburrej për tërmetin e votave që kishte sjellë në zgjedhjet lokale të Dibrës.
Ato zgjedhje të parakohëshme u zhvilluan pasi ish-kryebashkiaku i Rilindjes Shukri Xhelili donte seks të njomë për të ofruar më pas një vend pune. Atë e shkarkuan në vend, jo sepse u kap në një dhomë moteli duke tentuar marrëdhënie seksuale, por kishte brekët e grisura… Këtë se duron pushteti, vetëm “brekëgrisur” nuk duhet tu mbesë epiteti.
Nga ana tjetër, zgjedhjet në Dibër ishin edhe “prova gjenerale” që do i printe zgjedhjeve të përgjithshme tetë muaj më vonë, si ato të qershorit të vitit 2017. U përdor në të gjithë vendin e njëjta skemë, me implikimin e botës së krimit në fushatë dhe me shantazhimin e zgjedhësve.
Për “fat të keq” nuk ka shkak për të bërë edhe tani “provën gjenerale” si do jenë zgjedhjet e 25 prillit, ndaj u zgjodh vendimi i prokurorisë së Dibrës për t’i dhënë sërish krahë krimit të veshur me kostumin politik dhe politikës së veshur me uniformën e Rilindjes.
Prokurorët e trembur të Dibrës në fakt i kanë bërë një favor të madh pushtetit; u treguan se nëse blen vota, shantazhon zgjedhës dhe tjetërson rezultatin në favor të pushtetit, nuk do të përballen me ligjin, ndaj indirekt ua bënë të qartë; mos e rruani k… cuna!
Shënim: Fjalët që mund të ngjajnë jashtë etike, janë huazuar nga komunikimi i Damian Gjiknurit, Robert Agës, Saimir Tahirit, Pjerin Ndreut dhe Xhemal Qefalisë, të shkëputura nga audiopërgjimet e dosjes 184, të cilat u publikuan në gazetën gjermane “Bild”.