Udhëheqësit republikanë dhe demokratë të Kongresit shprehën shpresë të martën mbrëma rreth arritjes së një marrëveshjeje mbi një raund të ri ndihmash financiare për koronavirusin. Për shumë muaj ligjvënësit amerikanë nuk kanë arritur të bien dakord për një paketë të dytë financiare për të lehtësuar pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e Covid-19.
Mendoj se po ecim në drejtimin e duhur”, tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy pas dy raundesh bisedimesh. Në bisedimet e së martë morën pjesë Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.
“Ne jemi duke bërë përparim dhe së shpejti mund të arrijmë një marrëveshje”, tha senatori demokrat Schumer. “Mendoj se ekziston një dëshirë e sinqertë për të arritur një marrëveshje”, shtoi ai.
Pa një marrëveshje, disa programe të rëndësishme do të skadojnë në fund të muajit, duke përfshirë asistencën e papunësisë që marrin rreth 12 milionë amerikanë të papunë dhe një moratorium mbi dëbimin e amerikanëve që nuk kanë mundësi të paguajnë qeranë që siguron strehimin për rreth 40 milionë amerikanë gjatë muajve të ftohtë të dimrit.
Fondet e qeverisë amerikane gjithashtu do të mbarojnë të premten, kur skadon financimi afatshkurtër, i miratuar javën e kaluar nga Kongresi.
Senatori McConnell ka sugjeruar që për të miratuar një paketë me më shumë fonde për të lehtësuar pasojat e koronavirusit, ligjvënësit të lënë mënjanë ato që ai thotë se janë dy pikat kryesore të mosmarrëveshjeve: kërkesa e republikanëve për mbrojtjen e bizneseve nga paditë e mundshme të lidhura me rihapjen gjatë pandemisë dhe kërkesa e demokratëve për më shumë fonde për qeveritë shtetërore dhe lokale, pjesërisht për të plotësuar pagat e punonjësve të urgjencës.
“Ne të gjithë e dimë që administrata e re do të kërkojë miratimin e një pakete tjetër ndihmash, ne mund merremi më vonë me këto çështje për të cilat nuk jemi dakord tani. Por, ne duhet të ecim përpara me gjërat për të cilat kemi rënë dakord”, tha senatori McConnell para gazetarëve më herët të martën.
Demokratët e Kongresit e kanë kundërshtuar propozimin, duke thënë se ai do të linte jashtë punonjësit e urgjencës dhe do të ngadalësonte shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit.
“Ne duhet të financojmë plotësisht jo vetëm prodhimin e vaksinës, por edhe shpërndarjen e saj. Shtetet kanë shumë nevojë për ato para”, tha të martën udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer.
Kanë mbetur pak ditë seancash të planifikuara të Kongresit, por udhëheqësit e të dyja partive thonë se ata janë të përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje dhe mund të punojnë deri në momentet para festës së Krishtlindjes javën e ardhshme për ta bërë të mundshëm arritjen e marrëveshjes.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se edhe nëse ligjvënësit arrijnë një marrëveshje mbi ndihmën këtë muaj, është pothuajse e sigurtë që do të nevojistet një raund pasues ndihmash financiare, pasi Kongresi i ri të bëjë betimin në fillim të vitit të ardhshëm.
Shtëpia e Bardhë tha të martën se Presidenti Donald Trump do të presë për të parë hollësitë e marrëveshjes përpara se ta nënshkruajë atë.
Ai ka thënë se do të donte të shihte përfshirjen e çeqeve për amerikanët në paketën e ndihmës financare, por përparësia e tij në fund të fundit është dërgimi i ndihmës tek populli amerikan. Ne shpresojmë që do të ketë një lloj marrëveshjeje, por unë do të vija në dukje se ne kemi qenë partia që ka qenë fleksibile për këtë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
Shumë amerikanë morën deri në 1,200 dollarë pagesa në fillim të këtij viti për të lehtësuar pasojat e mbylljes së bizneseve për të kontrolluar përhapjen e pandemisë. Ligjvënësit nga të dyja partitë kanë shprehur mbështetjen për një raund tjetër të çeqeve më të vogla stimuluese.
Të hënën, një grup ligjvënësish nga të dyja partitë njoftoi një propozim ndihmash prej 748 miliardë dollarësh që do të rriste përfitimet e papunësisë me 300 dollarë në javë dhe do të zgjaste afatin e tyre deri më 19 prill.
Arritja e një marrëveshjeje mbi një raund të dytë ndihmash financiare ka rezultuar të jetë e vështirë për ligjvënësit, pas miratimit në fund të muajit mars me mbështetjen e të dyja partive të Ligji të Kujdesit prej 3 trilionë dollarësh, paketa më e madhe e ndihmës financiare në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA/