Nga Edmond Hoxhaj/ BIRN
Një karburant i ndërtuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Administrativ dhe bashkëshorti i saj, Shkëlzen Selimi në Lungomaren e Vlorës, shkaktoi protesta në prill dhe e shtyu kryeministrin Edi Rama ta etiketonte pronën si një ‘peshqesh të KÇK-së’ – një term i përdorur nga kreu ekzekutivit për anëtarë të korruptuar të sistemit të drejtësisë.
Por ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, në seancën dëgjimore ndaj gjyqtares mbajtur të enjten, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK, tha se nuk kishte gjetur probleme me karburantin dhe as nuk vuri në dukje probleme të mëdha në pasuritë e tjera të familjes – që kapin një vlerë totale prej 57,8 milionë lekë.
KPK po ashtu la të kuptohej se ndryshe nga bashkëshorti, i shkarkuar me vendim të Komisionit të konfirmuar edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar, gjyqtarja e përzgjedhur sëfundmi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, KED kishte figurë të pastër dhe nuk ishte e ndikuar nga marrëdhëniet e bashkëshortit.
Në një seancë që zgjati më shumë se 4 orë, trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici, i drejtoi gjyqtares një sërë pyetjesh, por relatimi nuk vuri në dukje probleme që zakonisht çojnë në shkarkim të subjektit.
Selimi u pyet për karburantin dhe edhe për një policë sigurimi të lëshuar në emër të saj dhe të bashkëshortit, për përdorimin e një mjeti në pronësi të shtetasit I.Ç. – i skeduar nga policia për aktivitete kriminale.
Ajo mohoi të kishte dijeni dhe lidhje me kontaktet kriminale të bashkëshortit; deklaratë që relatori Lulzim Hamitaj e mori të mirëqenë.
Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Librazhdit dhe më pas, për rreth një dekadë në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në qoftëse konfirmohet në detyrë, si anëtare e KED-së, Selimi do të përzgjedhë dhe kandidatët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke i vënë vulën e saj reformës në drejtësi, një investim i Bashkimit Europian dhe SHBA-së për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Karburanti në Lungomare
Karburanti në Lungomare duke u rikonstruktuar pas lejes së dhë nga KKT
Relatori i çështjes deklaroi në seancë se gjyqtarja Rilinda Selimi, bashkëshorti i saj dhe babai i këtij të fundit, kishin pasur burimeve të mjaftueshme financiare të ligjshme për blerjen në bashkëpronësi me pjesë takuese ½, të një sipërfaqe toke 432 m2 dhe një karburant në Lungomare në Vlorë në vitin 2013, kundrejt vlerës 250 mijë euro. Hamitaj shtoi se vjehrri i subjektit e kishte shitur pjesën e tij takuese në vitin 2018.
Si burim krijimi për vlerën e paguar nga familja e saj, gjyqtarja Selimi ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Vlorë për vlerën 69 mijë euro, shitja e një garazhi në shumën 9500 euro, një kredi në vlerën 6.6 milionë lekë, vlerën e përfituar nga shitja e një makine dhe depozita.
“Deklarimet e subjektit të rivlerësimit dhe veprimet juridike të kryera prej tyre janë të sakta”, pohoi Hamitaj.
Ai vuri në dukje se për këtë periudhë, subjekti kishte vetëm një mungesë financiare në shumën 179 mijë lekë, ndërsa theksoi se deklarimet për pasuritë e shitura për të blerë karburantin përputheshin me dokumentacionin e administruar gjatë hetimit për këto prona.
Gjithashtu, KPK ka konstatuar se bashkëshortët Selimi kanë pasur mundësi të kursenin nga pagat vlerën 10 mijë euro të përdorur për blerjen e kaburantit, ndërsa disa të ardhura u përjashtuan për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore.
Komisioni ka konstatuar, se edhe babai i ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi ka pasur burime financiare të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e pjesës së tij takuese.
E pyetur për qëllimin e blerjes së kësaj prone, Selimi deklaroi se vjehrri kishte punuar që prej vitit 1997 në sektorin e shitjes së karburanteve dhe e njihte mirë këtë fushë.
“Ne nuk mund ta blinin me të ardhurat tona. Ne shitëm shtëpinë. Ka qenë i domosdoshëm edhe kontributi i babait të bashkëshortit,” sqaroi Selimi.
Mungesa të vogla financiare
Hamitaj evidentoi mospërfshirjen në analizë financiare të një pjese të çmimit të shitjes së dy autoveturave, që përfaqësonte fitimin nga vlera e blerjes së këtyre makinave, për të cilat subjekti nuk kishte paguar detyrimet tatimore.
Një autoveturë tip Fiat, Selimi e kishte blerë në vitin 2003 për 250 mijë lekë dhe e kishte shitur në vitin 2011=të në shumën 5000 euro. Një automjet tjetër tip Benz i blerë për shumën 900 mijë lekë, është shitur në vitin 2012 në vlerën 8000 euro.
Komisioni konstatoi pamundësi në vlerën 386 mijë lekë për blerjen e Benzit, pasi si burim krijimi për këtë pasuri është deklaruar edhe vlera e shitjes së autoveturës tip Fiat, por KPK nuk e konsideroi fitimin nga kjo shitje si të ardhur të ligjshme. Për blerjen e një autoveture tjetër tip Citroen në vitin 2014 për shumën 420 mijë lekë, Hamitaj tha se është gjetur një balancë e vogël negative e papërfillshme, në shumën 20 mijë lekë.
Komisioni ndërkohë vlerësoi se bashkëshortët Selimi, kishin pasur mundësi për krijimin e disa depozitave në vlerat 1.4 milionë lekë, 39 mijë euro dhe 72 mijë e 700 euro, si burim krijimi i të cilave, kanë deklaruar kursimet ndër vite nga pagat dhe të ardhurat nga qiraja e karburantit.
“Janë deklaruar saktësisht në deklaratën veting dhe rezulton se gjendja e llogarive është krijuar me burime të ligjshme”, pohoi relatori Hamitaj.
Në vijim pa problemme u gjet blerja e një apartamenti 155 metra katrorë në vitin 2017 dhe një marrëdhënie huadhënie e vitit 2017 mes tyre dhe vjehrrit në shumën 45 mijë euro.
Nga balanca financiare për periudhën 2003 e në vazhdim, janë konstatuar balanca negative në shuma të vogla, në vlerën totale 505 mijë lekë dhe një pasaktësi në deklarimin nga bashkëshorti të pjesës takuese të një apartamenti në Krujë.
KPK nuk ka gjetur probleme në deklarimin e një apartamenti në Vlorë si adresë banimi, për të cilin Selimi ka shpjeguar se e kishte “në përdorim në mirëmbajtje dhe pa shpërblim.”
Në fjalën e saj, gjyqtarja Selimi pretendoi se nuk qëndronte edhe balanca negative në vlerën 505 mijë lekë. Ajo deklaroi se autovetura tip Fiat ishte blerë lirë për shkak të trajtimit preferencial nga kushëriri i bashkëshortit. Ajo tha se vlera reale e mjetit nuk kishte qenë 250 mijë lekë, por 600 mijë lekë sa edhe ishte deklaruar.
“Nuk ka asnjë rrethanë që të tregojë dyshime se çmimi i shitjes në vitin 2011 nuk i përgjigjet çmimit të atij sendi”, pretendoi Selimi, ndërsa tha se për pagesat e tatimeve ligji nuk ka patur një normë të qartë.
Pa probleme për figurën
Në vendimin e zbardhur për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, KPK dhe më pas Kolegji e konsideruan bashkëshortin e subjektit të rivlerësimit si të papërshtatshëm, për shkak të kontakteve me disa persona me precedentë penalë dhe të dyshuar si pjesë e krimit të organizuar.
Informacioni i sjellë përmes ONM-së e implikonte ish-gjykatësin se kishte ndikuar për të penguar ekstradimin e shtetasit Arben Isufaj në Itali, vend ku ky i fundit ishte dënuar për trafik narkotikësh. Sipas informacionit të ONM-së, Selimi kishte ushtruar ndikim të paligjshëm për të penguar ekstradimin.
Në vendimin e Kolegjit vihet në dukje se Selimi dhe bashkëshortja e tij Rilinda Selimi, kishin pasur policë sigurimi dhe përdorur një makinë që ishte në pronësi të shtetasit A.SH – i njohur si shoferi i Isufajt, ndryshe i njohur edhe si Ben Qimja.
Në vendimin e KPA del se vetë ish-gjyqtari e ka përfshirë bashkëshorten në marrëdhënien me A.SH.
“Subjekti i rivlerësimit përpiqet të shpjegojë natyrën e marrëdhënies së tij e të bashkëshortes me shtetasin A. Sh., i cili nga faktet e dala nga një procedim penal në ngarkim të shtetasit A. I., rezulton të jetë shoferi personal i këtij të fundit”, thuhet në pjesën e vendimit për kontaktet e Selimit me Isufajn.
Megjithatë përdorimi i makinës së shoferit të Isufajt nuk u bë çështje në seancë.
Polica e sigurimit në emër të dy bashkëshortëve po ashtu u gjetën edhe në makinën në zotërim të një tjetër personi të skeduar nga policia – shtetasit I.Ç. Kolegji arsyetoi se këto kontakte e bënin Shkëlzen Selimin të vihej “lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale”.
Por ndryshe nga përfundimi i Kolegjit, gjatë seancës dëgjimore të enjten, u relatua se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, kishte sjellë në vazhdimësi raporte dhe informacione pozitive për gjyqtaren Rilinda Selimi.
Edhe KPK po ashtu doli në të njëjtin përfundim.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetim të pavarur e të thelluar nga ku rezultoi se nuk ka shkaqe për konstatimin si kontakte të papërshtatshme për disa shtetas,” tha Hamitaj.
“Nuk ka gjykuar çështjet e tyre,” shtoi ai.
Hamitaj tha se ishte hetuar edhe lidhur me përdorimin e një automjeti dhe marrëdhënien me pronarin e kësaj makine I. Ç. . Në seancë u tha se pronari i mjetit, i cili kishte pasur problem me ligjin kishte lëshuar një policë sigurimi që i jepte mundësinë e përdorimit të këtij mjeti subjektit të rivlerësimit, Rilinda Selimi dhe bashkëshortit të saj për periudhën 2011-2012.
Sipas Hamitajt, subjekti ka shpjeguar se nuk e njeh personin që ka lëshuar policën e sigurimit dhe se nuk e ka përdorur atë automjet as si shofere dhe as si pasagjere. Ai shtoi se për gjyqtaren Selimi nuk ka informacione që mund ta cënojnë për kriterin e pastërtisë së figurës.
E pyetur nga kryesuesja Pamela Qirko nëse kishte pasur ndonjëherë kontakte me personin që kishte lëshuar policën e sigurimit në emër të saj dhe të bashkëshortit, gjyqtarja Selimi e mohoi një gjë të tillë.
Ajo mohoi të njihte dhe të kishte pasur kontakte edhe me familjarët e personit që u kishte dhënë makinën, ndërsa tha se këto persona ishin “njohje personale të bashkëshortit për të cilin është konstatuar papërshtatshmëria”.
Ajo shtoi se personi në fjalë ishte shpallur i pafajshëm. Selimi theksoi se nuk kishte pasur marrëdhënie shoqërore në Vlorë.
Profesionalizimi
Komisioni konstaton se është hetuar për situata të mundshme të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës, por nuk janë gjetur të tilla. Nga 18 denoncimet nga publiku, në më të shumtën u rasteve nuk janë konstatuar indicie, ndërsa për dy denoncime të hetuara nga KPK, nuk u evidentuan probleme domethënëse.
Selimi u pyet gjatë seancës dëgjimore edhe për çështje të cilat Komisioni i ka mësuar nëpërmjet medieve.
Kryesuesja Pamela Qirko e pyeti Selimin se cili kishte qenë qëllimi që kishte kryer padi ndaj kompanisë Alitalia duke kërkuar dëmshpërblim në shumën 30 mijë euro dhe nëse kishte influencuar në gjykimin e çështjes në shkallën e parë.
Subjekti pohoi se e konsideronte të paligjshëm veprimin e kryer nga kompania që i kishte bllokuar pasaportat e fëmijëve të mitur teksa kanë qenë duke u nisur për udhëtim jashtë shtetit. Sipas saj pasaportat kishin qenë të vlefshme dhe jo si pretendonte kompania dhe se qëllimi i padisë nuk ishte pasuror, por për dinjitetin e saj.
Në përfundim të seancës dëgjimore, gjyqtarja Rilinda Selimi tha se bazuar në vlerësimin e KPK, konfirmimi i saj në detyrë ishte i përligjur. “Kërkoj konfirmimin në detyrë”, tha ajo. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 14 dhjetor, ora 09:30.