Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia.
Vetëvendosje i shpreh ngushëllimet familjarëve, ndërsa thekson se deklaratat e autoriteteve janë kundërthënëse duke folur një herë për një send të fortë në dorë të të vrarit, e disa orë më vonë për një pistoletë të gjetur në rrugicën e vendngjarjes, pa dhënë shpjegime.
Më tej, Vetëvendosje thotë se vrasja e Klodianit thërret për drejtësi në një periudhë krize të gjithanshme të shoqërisë shqiptare.
Drejtësi!
Lajmi për vrasjen e qytetarit 25 vjeçar Klodian Rasha ka tronditur shoqërinë tonë. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Rasha, që sot përcollën djalin e tyre për në banesën e fundit. Humbja e djalit të tyrë është e rëndë dhe ka shqetësuar dhe pikëlluar gjithë shoqërinë shqiptare.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri ka ndjekur nga afër të gjitha raportimet mediatike lidhur me vrasjen e Klodianit nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Rrethanat që çuan deri te kjo vrasje nuk janë zbardhur. Publiku mësoi se Klodiani u vra afër banesës së tij me dy plumba nga një efektiv i policisë, gjatë orës policore. Deklaratat e autoriteteve kanë qenë kundërthënëse, duke folur një herë për një send të fortë në dorë të të vrarit, e disa orë më vonë për një pistoletë të gjetur në rrugicën e vendngjarjes, pa dhënë shpjegime. Autoritetet kanë arrestuar më pas efektivin e policisë që ka kryer vrasjen, dhe aktualisht ai është nën hetime. Por në vend që të ketë transparencë të mëtejshme mbi ngjarjen, kemi parë një fushatë mediatike të orientuar nga pushtetit dhe mediat pranë tij, për të sulmuar Klodianin dhe për të relativizuar përgjegjësinë me mjegull. Të gjitha këto zhvillime kanë ngritur dyshimin e bazuar se Policia e Shtetit po tenton të mbulojë e justifikojë krimin e kryer.
Shqipëria sundohet prej kohësh nga një shtet policor. Këtë e ndjejnë të gjithë ata që e kundërshtojnë arbitraritetin e këtij pushteti, si dhe të gjithë atyre që u shtypen çdo ditë të drejtat nën dhunën strukturore dhe direkte të këtij regjimi. Vrasja e Klodianit vjen në një kohë kur qytetarët po vuajnë nga pasojat e pandemisë dhe sistemit të dobësuar shëndetësor, si dhe nga kriza e thelluar ekonomike dhe dështimi spektakolar i sistemit të drejtësisë. Vrasja e Klodianit thërret për drejtësi në një periudhë krize të gjithanshme të shoqërisë shqiptare. Çka është e sigurtë, është se drejtësi nuk mund të ketë sa kohë organet e rendit drejtohen nga ata që kanë ngritur shtetin policor.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri i bashkohet kërkesës së qytetarëve për dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj dhe kryepolicit të shtetit policor Ardi Veliu. Këta dy pushtetarë e kanë humbur prej kohësh besimin e publikut dhe legjitimitetin, nga urdhërat që ata kanë dhënë për aksione policore ku janë përdorur mjete dhe dhunë shproporcionale ndaj qytetarëve që kanë protestuar në mbrojtje të kauzave publike. Largimi i këtyre dy pushtetarëve të shtetit policor është hapi i parë për të fituar besimin e publikut dhe për të vendosur drejtësi.
Protesta e sotme në Tiranë, që ka zgjatur disa orë, është shenjë e qartë se qytetarët nuk do ta durojnë shtetin policor. Dekori i prishur sot në qendër të Tiranës është njësim i gjendjes së qytetarëve me qendrën e kryeqytetit. Objektet e dëmtuara ishin shprehje e qartë e revoltës që buron nga një situatë padrejtësie e thellë. Urojmë për shërimin sa më të shpejtë të çdo personi që mund të jetë lënduar sot.
Është e qartë se shteti policor nuk mund të maskohet me dekor. Sot, qendra e Tiranës mori pamjen e situatës së vertetë në Shqipëri. E gjithë kjo situatë thërret për drejtësi.
Tiranë, 9 dhjetor 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri