Nga BoldNews.al
Kompania “Evita” shpk, për të cilën shumë aktorë të tregut farmaceutik në Shqipëri janë të bindur se përfshin interesa të pronarit të “Spitalit Amerikan”, Klodian Allajbeu, ka fituar së fundmi kontratën për furnizimin me rreth 100 mijë teste të shpejtë për Covid-19, në një procedurë pa garë të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë.
Kreu i institucionit të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe vartës të tjerë të rëndësishëm të saj, prezantuan në fundjavën që lamë pas projektin për nisjen e testimit të shpejtë të qytetarëve, duke filluar nga Tirana e më tej në qytete të tjera të Shqipërisë.
Manastirliu nuk dha asnjë detaj se si ishin siguruar këto teste të shpejta dhe as se cila kompani do të furnizojë Ministrinë e Shëndetësisë.
Megjithatë, të dhëna zyrtare, të publikuara më herët nga “Boldnews.al”, dëshmuar se tenderi ishte fituar nga “Evita” shpk, e cila ka paraqitur ofertë në të njëjtën vlerë me fondin limit, rreth 124 milionë lekë të reja.
“Evita” shpk, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), rezulton në pronësi të një kompanie me seli në Hollandë, “Arimo”, si edhe biznesmentit Ertel Kërçuku.
Por, para se të arrihej tek këta emra, “Evita” shpk ka kaluar në një proces të gjatë ndryshimi kontravers pronësie, megjithëse jeta e saj nuk është shumë e gjatë.
Nga periferia e Beratit në koncensionin 86 mln euro
“Evita” shpk regjistrohet për herë të parë në QKR në Maj 2013. Pronare e saj ishte Majlinda Fetiu, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, Saliu, kishin një lokal të vogël në zonën periferike të Beratit.
Në Tetor të vitit 2015, “Evita” shpk, në dukje pa asnjë interes të lartë, shndërrohet papritur në fituesen e kontratës koncensionare 86 milionë euro me Ministrinë e Shëndetësisë, për ofrimin e shërbimit të Hemodializës.
Nga ky moment, “Evita” shpk vendoset në projektorët publike dhe dalëngadalë nis të dallohet hija e biznesmenit Klodjan Allajbeu”.
Majlinda Fetiu, pronare e “Evita” shpk është vajza e xhaxhait të Allajbeut.
Pas fitimit të kontratës koncensionare, “Evita” shpk, nëpërmjet përfaqësueses së saj, Elona Saraçi, një ish-vartëse e Klodjan Allajbeut, nënshkruan me Spitalin Amerikan krijimin e kompanisë “DiaVita”, e cila do të menaxhonte shërbimin e Hemodializës.
Ky shërbim do të ofrohej tërësisht në ambjentet e Spitalit Amerikan në qytete të ndryshme, të cilat administroheshin nga Klodjan Allajbeu.
Pas këtij momenti, pra formalizimit të bashkëpunimit mes Majlinda Fetiut dhe Klodian Allajbeut, dy kompanitë, “Evita” dhe “Diavita” përfshin në procese ndryshimi pronësie, të cilat përfundojnë në shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale.
Rrugëtimi i “Evita”-s
Në Korrik 2016, Majlida Fetiu vendos të shesë të gjithë aksionet e saj në “Evita” shpk, megjithëse kompania është pjesë e një kontrate dhjetra milionë euro.
Blerësit e rinj janë; biznesmeni në fushën e farmaceutikëve, Rasim Hamzaraj dhe Ertel Kërçuku. Sipas kontratës së shitjes, Majlinda Fetiu përfitoi 30 milionë lekë të reja nga ky transaksion, ndërkohë që Ramzaraj mori 72.5% të aksioneve dhe Kërçuku, 22.5 përqind të tjera.
Administratore e kompanisë vijoi të mbetej, ashtu se edhe deri më tani, Elona Saraçi.
Vetëm 6 muaj më vonë, Rasim Hamzaraj vendos të shesë pjesën e tij të aksioneve në “Evita” shpk, 72.5 përqind, në favor të “Arimo BV”, një shoqëri e regjistruar në Hollandë, e njohur si parajsë fiskale.
Referuar kontratës së shit-blerjes, Ramzaraj shiti aksionet e tij për të njëjtën vlerë që i kishte blerë nga Majlinda Fetiu, rreth 21.5 milionë lekë të reja.
Që nga dhjetori 2016, “Evita” shpk” është në pronësi të “Arimo BV” me 72.5 përqind të aksioneve dhe Ertel Kërçuku me 22.5 përqind të aksioneve.
Rrugëtimi i “DiaVita”
Kompania “DiaVita” u themelua në Nëntor 2015, një muaj pasi Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Ilir Beqja, kishte shpallur fituesin e kontratës koncensionare të shërbimit të Hemodializës.
“Diavita” u krijua pikërisht për menaxhimin e kësaj kontrate dhe kishte si aksioner “Evita” shpk, e cila në atë kohë ishte në pronësi të Majlinda Fetiu, me 85 përqind, si edhe 15 përqind në pronësi të Spitalit Amerikan, në pronësi të kushëririt të Fetiut, biznesmenit Klodjan Allajbeu.
Në Shtator 2019, aksionerët e “DiaVita”, pra Spitali Amerikan i Allajbeut dhe “Evita”, e cila tashmë ishte në pronësi të “Arimo BV” dhe Ertel Kërçukut, vendosin të shesin aksionet e tyre në kompaninë koncensionare tek “Diaverium International AB”, e regjistruar në Suedi.
Fijet e koncensioneve “Hemodializë-Sterilizim”
Paralel me zhvillimet tek kompanitë “Evita” dhe “Diavita”, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ilir Beqja, nënshkroi kontrata koncensionare për shërbime të tjera, ndër të cilat edhe ajo për “Sterilizimin” e pajisjeve kirurgjikale.
Ky koncension u fitua nga bashkimi i tre operatorëve;
1. Kompania kryesore e fituesit të koncensionit ishte shqiptarja “Labopharma”, në pronësi të biznesmenit Janis Karathanos.
2. Kompania e dytë është francezja “Exalab France”, e cila zotëron 25% të koncensionarit.
3. Kompania e tretë, e cila zotëron 33% të koncensionarit, është “AB Laboratory Solution”. Kompania drejtohet nga Kostandino Karathanos, djali i Janis Karathanos që zotëron primarin e koncensionarit “Labopharma”.
“AB Laboratory Solution” rezulton të jetë e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, në vitin 2007 dhe ka aktiviteti i saj është “institucion financiar”.
Në bazë të të dhënave publike, rezulton se “AB Laboratory Solution” ka pasur adresë “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage” në Amsterdam.
Nga Shkurti i vitit 2017 deri në Qershor të vitit 2018, “AB Solution Laboratory” ka pasur si drejtoreshë ekzekutive Luisa Cinsia Ramasso. Pas dorëheqjes së saj, emërohet Tamara Alexandra Eleonora.
Më tej, në vitin 2018, drejtimin e përgjithshëm të kompanisë e merr Kostandinos Karathanos.
Adresa dhe drejtuesit në periudhën 2017-2018 janë saktësisht të njëjtat që figurojnë edhe për kompaninë “Arimo BV”, një prej anëtarëve që ka pasur në pronësi koncensionin për “Hemodializën”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, “Arimo BV” ka regjistruar si adresë të saj “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage”, i njëjti vend me selinë e deklaruar nga “AB Laboratory Solution BV”.
Gjithashtu, në periudhën 2017-2018, “Arimo BV” ka pasur si drejtues të përgjithshëm, fillimisht Luisa Cinsia Ramasso e më tej, Tamara Alexandra Eleonora.
“Arimo” BV u largua zyrtarisht nga tregu shqiptar dhe koncensioni i Hemodializës i kaloi në pronësi 100 përqind suedezëve të ‘Diverium”.
Autoriteti i Konkurencës në Shqipëri ka konstatuar se “Diverium International AB” është një kompani me xhiro zero, pa aktivitet dhe pa staf.