Aktivistët e njohur pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, Agnes Chow dhe Ivan Lam u dënuan të mërkurën me burgim, pasi pranuan akuzat për grumbullim të paligjshëm, në lidhje me protestat pro-demokracisë në qytet gjatë vitit që kaloi.
Akuzat kishin të bënin me një protestë që ndodhi jashtë Zyrave Qendrore të Policisë së Hong Kongut në distriktin Wan Chai, në qershor 2019.
Të tre e prisnin dënimin me burgim pasi ishin vendosur nën arrest që nga 23 nëntori, kur pranuan akuzën.
Zoti Wong u dënua me 13 muaj e gjysëm burg pasi pranoi akuzat për nxitjen dhe organizimin e një tubimi të pa-autorizuar. Zonja Chow u dënua me 10 muaj burg për nxitjen dhe pjesëmarrjen në protestë, ndërsa zoti Lam u dënua me 7 muaj burg për nxitje të protestës.
Qershorin e kaluar, mijëra protestues rrethuan drejtorinë e policisë dhe protestuan kundër dhunës së tepruar të ushtruar nga policia. Në atë kohë, protestat në mbarë qytetin kishin filluar vetëm prej disa javësh, të shkaktuara nga një projekt-ligj që tashmë është tërhequr, ku parashikohej dërgimi i të dyshuarve për t’u gjykuar në Kinën kontinentale.
“Të akuzuarit u bënë thirrje protestuesve të rrethonin drejtorinë e policisë duke përdorur sllogane që dëmtojnë policinë”, lexonte me zë të lartë Gjykatësja Wong Sze-lai brenda sallës së Gjykatës së Magjistraturës së Kowloon-it Perëndimor. “Burgosja e menjëhershme është i vetmi opsion i përshtatshëm”.
Duke qenë se akuzat u ngritën përpara vendosjes së Ligjit për Sigurinë Kombëtare të imponuar nga Pekini, aktivistët arritën t’i shpëtojnë mundësisë së dënimit me burgim të përjetshëm.
Të tre ishin dikur kolegë në organizatën politike tashmë të shpërbërë, “Demosisto”. Zotërinjtë Wong dhe Lam ka qenë më parë në burg. Por për zonjën Chow kjo do të jetë hera e parë në burg, e dënuar në përvjetorin 24-tërt të ditëlindjes së saj.
Zonja Chow ishte qartazi e tronditur në sallën e gjyqit, duke e mbajtur kokën shpesh të ulur gjatë punimeve të seancës gjyqësore. Ndërsa gjykatësja lexonte dënimin e saj, ajo shpërtheu në lotë.
Më vonë, zoti Wong, i cili shihet si udhëheqësi i lëvizjes pro-demokracisë së Hong Kongut, bëri një deklaratë në Twitter nëpërmjet avokatëve të tij: “Nuk është fundi i përpjekjes. Përpara kemi një tjetër fushëbetejë sfiduese”.
Jashtë godinës së gjykatës, vazhduan të qëndrojnë protestuesit pro-demokracisë, të cilët mbanin postera në mbështetje të treshes.
“Ata janë kaq të rëndësishëm për Hong Kongun. Kjo nuk është e drejtë për ta; gjykata vetëm po ndjek vullnetin e CCP-së (Partisë Komuniste Kineze). Pavarësia gjyqësore në Hong Kong nuk do të ekzistojë më kurrë”, tha një mbështetës.
Dënimet e aktivistëve me burgim i shtohen masave shtypëse në rritje brenda ish-kolonisë britanike, pas demonstratave pro-demokracisë të vitit të kaluar.
Hong Kongu iu dorëzua Kinës nga Britania në vitin 1997, nën marrëveshjen “një vend, dy sisteme”, ku premtohej një “nivel i lartë autonomie” për qytetin, deri në vitin 2047.
Por, në muajin qershor, Pekini zbatoi Ligjin e Sigurisë Kombëtare për Hong Kongun, për të ndalur rishfaqjen e demonstratave. Ligji hyri në fuqi më 30 qershor të këtij viti, duke ndaluar shkëputje territoresh, sabotazhin, terrorizmin dhe bashkëveprimin me forcat e huaja. Detajet e ligjit mund të marrin interpretim të gjerë.
Që nga ai moment, ligji i ri i sigurisë është bërë katalizator për ndryshime masive në Hong Kong. Librat pro-demokracisë janë hequr nga bibliotekat, ndërkohë që qeveria ka shpallur të jashtëligjshme slloganet popullore pro-demokracisë.
Autoritetet lokale kanë arrestuar protestues, aktivistë, gazetarë dhe politikanë, ndërsa po rritet presioni pro-Pekinit. Në nëntor, katër ligjvënës u skualifikuan nga Këshilli Legjislativ i Hong Kongut, duke i shtyrë 14 ligjvënësat e mbetur që të jepnin dorëheqjen së bashku. Kjo e ka lënë Hong Kongun pa një parti të ligjshme përballë partisë pro-Pekinit që ka pushtetin.
Avery Ng, një aktivist social, dhe Kryetar i Lidhjes së Social-Demokratëve, tha të martën se dënimet janë “jashtëzakonisht dëshpëruese”.
“Ky vendim i thotë botës se në zbatimin e drejtësisë nuk ka vend për drejtësi. Ka vend për qeverinë që të ushtrojë hakmarrje për ata që nuk janë dakord me të,” i tha zoti Ng, Zërit të Amerikës. “Nxitja e grumbullimit të paautorizuar ishte një shkelje që dënohej me rreth 258 dollarë, tani është rritur në dënim me një vit burg – kjo është norma e re në Hong Kong”.
“Ky dënim nuk mund të shihet nga perspektiva ligjore”, shtoi ai.
Joseph Cheng, analist politik dhe ish-profesor në City University të Hong Kongut, tha se dënimi tregon se “çmimi është shumë i lartë për aktivistët”, kur kundërshtojnë qeverinë dhe Pekinin.
“Në sytë e lëvizjes pro-demokracisë, ky është represion politik. Qeveria kërkon të krijojë një efekt parandalues. Kjo tani është një periudhë shumë e vështirë për lëvizjen pro-demokracisë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Cheng.
“Populli i Hong Kongut ka kuptuar se Pekini nuk e toleron opozitën politike në këtë fazë. Disa do të tërhiqen, për momentin, disa do të emigrojnë drejt lobit ndërkombëtar. Lëvizja do të udhëhiqet nga brezi më i ri dhe aktivistët më radikalë”, shtoi ai.
Megjithë dënimin e të martës, telashet ligjore për zotërinjtë Wong dhe Chow janë larg fundit.
Zoti Wong ka akuza të tjera në ngarkim për pjesëmarrje në grumbullim të paligjshëm, gjatë demonstratave në tetor 2019. Zonja Chow pritej të paraqitej në polici të martën, pasi ishte liruar me kusht pas arrestimit në gusht për “nxitje të shkëputjes territoriale”, bazuar në Ligjin e Sigurisë Kombëtare./VOA/