Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara, ku dëgjoi nga afër shqetësimet e tyre për situatën në të cilën gjenden dhe për shkak të pandemisë.
“Premtime fallco”
Mark Zefi, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së invalidëve të punës së Shqipërisë shprehu shqetësimin se prej dy vitesh autoritetet përgjegjëse dhe ministria i kanë përcjellë me premtime fallco.
“Situata nuk është e mirë, pandemia dopio ngarkesë stresi e të gjitha por këto janë dhe prej problemeve ekonomike. Shoqata jonë ka 73 mijë invalidë pune, në tetor të 2018 na u premtua dhe nuk na u dha, i bëmë një ftesë ministres, na priti, na premtoi dhe për 500 dhe 1000 lekëshin e asistencës sociale, për të cilat tani më datën 22 tetor kemi qenë dhe në Komisionin e Ekonomisë online dhe përsëri jemi zero. Kjo që na thoni ju, ne nuk jemi kundërshtar me asnjë qeveri, ne jemi partner, kërkojmë që kërkesat tona të realizohen dhe nuk e kërkojmë ndonjë 100 mijë lekëshe apo 1 milionëshe rrogën apo diçka tjetër e para“- tha Zefi
“Diskriminim”
Mirela Juka nga fondacioni “Dawn Sindrom Albania” tha se ka një diskriminim nga ana e autoriteteve shëndetësore duke treguar rastin e motrës e cila ka sindromën down dhe dyshojnë se është e infektuar, por akoma nuk kanë ardhur për t’i bërë tamponin nga institucionet shtetërore.
“Motra ime ka sindromën Down, në momentin që po flasim është në shtëpi dhe mendohet që ka COVID, është në listën e personave që duhet të marrin tamponin por jemi në pritje. Kemi më shumë se një javë por nuk kanë ardhur për t’i bërë tamponin. Ne vendosëm që ta çonim për vizitë dhe ka filluar mjekimin, kjo është pjesa e iniciativës tonë si familje. Por çfarë ndodh me familjet e tjera që nuk kanë as aksesin as netëork-un dhe nuk marrin dot as mjekimet, asgjë.”-tha Juka.
“Mungon infrastruktura”
Problemi tjetër ishte dhe mungesa e infrastrukturës në zyrat e postës duke e bërë të domosdoshme ndihmën e një shoqëruesi, ku sipas qytetarit, këta të fundit nuk pranojnë për shkak të pagesës shumë të ulët.
“Shoqëruesit që ne kemi marrin 119 mijë lekë. Me kaq lekë nuk vjen njëri. Pagesat në kushte shumë të vështira, janë me shkallë, dhe zyrat e postës nuk kanë infrastrukturë që ne të shkojmë vetë, jemi të detyruar të kemi shoqërues. Më përpara i merrnim vetë në bankë, pas 2013 i transferuan në postë, është bërë më e vështirë për ne”, tha njëri nga përfaqësuesit e shoqatës.
“Ndihma për ne iu dha militantëve”
Përfaqësuesi i forumit rinor të aftësisë së kufizuar në Shqipëri hodhi akuza se për periudhën e pandemisë ndihmat nuk iu jepeshin atyre, por militantëve të Bashkisë.
“Edhe ne të rinjtë kemi pasur shumë vështirësi, me fillimin e pandemisë dolëm më një deklaratë ku i bëjmë thirrje shtetit për përkujdesje ndaj nesh dhe ata ia kaluan këtë kompetencë bashkive por unë u irritova kur shikoja që ndihmat që ata shpërndanin në vend që të shkonin për aftësinë e kufizuar shkonin për militantët e tyre”- u shpreh ai.
Premtimet e Bashës
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasi i dëgjoi shqetësimet e qytetarëve u garantoi se do të jetë një mekanizëm institucional i zyrtarizuar ku drejtuesit dhe anëtarët e organizatave të personave me aftësi të kufizuar do të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes për zgjidhjen e problemeve.
“Gjëja e parë dhe kryesore që dua t’iu garantoj sot është që ashtu siç e kam nisur për herë të parë dialogun me ju në vitin 2005 , nesër do të keni tek unë jo thjesht një derë të hapur por një mekanizëm institucional i zyrtarizuar ku drejtuesit dhe anëtarët e organizatave të personave me aftësi të kufizuar do të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes për zgjidhjen e problemeve”- tha Basha.
Basha u zotua se në qeverisjen e PD do të bëhet korrigjimi i masave ligjore, hetimi i fondeve dhe do të çohen para drejtësisë abuzuesit.
“Duhet të bëjmë korrigjimin e shumë masave duke përfshirë dhe ato ligjore që kanë mundësuar favorizimin e rrjeteve abuziviste në dëm të personave me aftësi të kufizuar dhe t’ua kthejë këto të drejta në përputhje me konventën vetë të personave me aftësi të kufizuar. Do të bëjmë një hetim të gjithë fondeve publike dhe jo publike dhe do të bëjmë të mundur që përmes kësaj të çojmë përpara drejtësisë abuzuesit por dhe të parandalojmë një sjellje të tillë në te ardhmen”- theksoi Basha.
Lideri opozitës siguroi përfaqësuesit se do të merren të gjitha masat e nevojshme që nga pagesat e ndihmësve, rregullimit të infrastrukturës, dyfishimin e paketës higjenizuese dhe rimbursimin e ilaçeve.
“Do të bëjmë gjithçka që kujdestarët që përmendi z.Strazimiri të kenë jo thjesht pagesën e nevojshme por të kenë dhe trajnimin përkatës. Po kështu, sa i përket problemeve që prekëm siç janë ato të transportit publik, taksës së banesës, të indeksimit që është një turp i madh, është një turp i madh në raport me ju, është një turp i madh në raport me pensionistët shqiptarë. Në fund dua të them që ajo që kemi thënë prej më shumë se gjashtë javësh kemi shpalosur me shkrim për pensionistët por edhe për personat me aftësi të kufizuar: Dyfishimi i paketës higjeno-sanitare, në veçanti për t’iu përgjigjur nevojave të shtuara financiare për të përballuar pandeminë, pagesat shtesë pra në këtë drejtim, paketën e ndihmës ekonomike e cila po kështu duhet të trajtojë mes jush që situata e pandemisë i ka goditur ekonomikisht duke i cenuar bukën e gojës jo më thjesht aftësinë për të blerë maska apo higjienizues si dhe rimbursimi i medikamenteve, rimbursimi i plotë i barnave për të gjithë ata mes jush dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë në procesin e kurimit ambulator pra që janë të detyruar të blejnë ilaçet dhe të kurohen në shtëpi- tha lideri i opozitës”- tha ndër të tjera Basha.