Nga Ilir Kalemaj
Xhon Lok, një nga filozofët më me ndikim në Revolucionin Amerikan dhe mbrujtjen e ideve demokratike dhe idealiste të kushtetutës së kontinentit të ri, jetoi, punoi dhe shkroi gjatë kohës së turbullt të Revolucionit të Lavdishëm të viteve 1688-89 apo situatave dhe debateve shpesh të ndezura politike. Ishin pikërisht këto të fundit që bënë të mundur qasjen e tij induktive dhe në konkludimin e tij te vepra e mirënjohur Ese për Kuptueshmërinë Njerëzore se çdo concept, besim apo gjykim ka një bazë empirike që buron nga njohuritë e fituara mbi botën. Pa u larguar nga thelbi mund të themi se është pak a shumë e njëjta gjë me gjykimin e ndarë nga historianë të ndryshëm si Nora, LeGoff apo B. Kroce, se nuk ka histori jashtë optikës së historianit, jashtë subjektivizmit interpretues të tij. Por Lok është akoma më i famshëm për mbështetjen që ai i jep të drejtës së njerëzve për t`u rebeluar ndaj një pushteti shtypës, për detyrimet politike të përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve dhe mbi të gjitha mbi shenjtërimin që i bëri pronës private duke e vendosur në rang të barabartë me të drejtat më të rëndësishme të njeriut, si atë të jetës apo fjalës.
David Hjum, një skocez i shekullit të 18-të nga ana tjetër vuri theksin mbi moralin, por pa tone moralizuese. Kontributi i tij kryesor teorik është se e shkëputi moralin nga hyjnorja, por njëkohësisht duke e ndarë dhe nga logjika e ftohtë e kultit të arsyes e ngritur nga Bentham apo Mill. Ai besonte te lidhja e ngushtë, sinkretike mes moralit dhe ndjenjave, emocioneve njerëzore dhe jo më kot i atribuohet thënia e famshme: “Ji një filozof, por në mes të filozofisë tënde, ji para së gjithash, një njeri.” Një tjetër unik mes filozofëve në llojin e tij përsa i përket mendimit origjinal dhe influencës mes bashkëkohësve dhe brezave të mëvonshëm, është pa dyshim edhe Zhan Zhak Ruso i cili njihet kryesisht mes veprës së tij kryesore “Kontrata Sociale.” Këtu ai vë theksin te sovraniteti i mbështetur te liria e qytetarit dhe vullneti i përgjithshëm që shpreh mirëqënien e përgjithshme të njerëzisë. Çka i bashkon këta tre gjigandë të mendimit që i prin filozofisë moderne dhe me impaktin e tyre të padiskutueshëm në mendimin politik dhe sociologjik të kohës së sotme, është theksi te ana njerëzore, te morali, te të drejtat e njeriut, te nocioni i lirisë, por edhe i barazisë (që së bashku me nocionin e vëllazërisë përbënin trinitetin e shenjtë të Revolucionit Francez), i vullnetit të përgjithshëm të shprehur në formë demokratike dhe çështjet e përfaqësimit aq të rëndësishme për funksionimin e demokracisë bashkëkohore.
Baza e funksionimit të demokracisë është drejtësia, sikundër na kujton një Xhon tjetër, Xhon Rolls, te ‘Teoria e Drejtësisë’ dhe baza e shtetit të së drejtës është ligji. Gjithashtu ndarja e pushteteve, e cila i atribuohet vençarisht formulimeve të Monteskjesë pas vëzhgimeve empirike të realitetit amerikan, është një nga gur-themelët e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në fakt, ndarja e pushteteve ka filluar me Magna Kartën e shekullit të 13-të me parimin e famshëm të Habeas Corpus-it deri te reflektimet e Monteskjesë, Lokut, apo Kushtetutat tashmë 300 e ca vjecare të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, ku ndarja e pushteteve shkon përtej anës formale dhe bëhet fjalë edhe për një ndarje substanciale, e famshmja ‘checks and balances’. Përsa i përket situatës në terren, duhet thënë se mbas rreth tre dekadash pluralizëm politik, Shqipëria është ende larg modelit ‘polycratic’ të politologut Robert Dahl apo kritereve formale dhe të sipërfaqshme të Schumpeterit që definojnë një shtet demokratik duke u nisur thjesht nga rregulla proceduriale të reflektuara kryesisht në legjislacion. Ndërsa jemi me vite drite larg konceptit të ‘demokracisë pjesmarrës’ që bazohet në lirinë, drejtësinë, solidaritetin dhe tolerancën, vlera sa individuale, aq edhe komunitare. Një lloj demokracie ku shtypi nuk shërben thjesht dhe vetëm për të përcjell në formë bruto, të papërpunuar se cfarë thonë ‘bilbilat’ e partive, por shërben më tepër si një medium i fragmentarizuar, divers, kritik, që përcjell vec lajmit që duhet të jetë qartazi i ndarë nga nuanca të subjektivitetit, edhe inputin e tij shoqëror për analizën e një realiteti empirik që nuk mund të jetë kurrsesi vet-shpjegues.
Nga ana tjetër, në mungesën e elementëve të kontrollit, si moral, ashtu dhe procedurial në shoqëri dhe jetën publike, kur pushteti shpesh konceptohet më tepër si mjet për arritjen e qëllimeve konjukturalë të grupimeve të caktuara të interesit dhe ku shpesh debati personalizohet për t`i ikur thelbit, ndodh që probleme të caktuara sistemike dhe që kanë të bëjnë me cështje shumë më substanciale për jetën dhe mirëqënien e individëve të Republikës, injorohen ose lihen në ‘kalendat greke’, duke tjetërsuar debatin publik dhe riprodhuar një realitet virtual. Për rrjedhojë, ndodh që shpesh njerëz të thjeshtë të diskutojnë shumë më me pasion për cështje që kanë të bëjnë shumë pak me xhepin apo probleme të tjera sensitive të jetës që i rrethon dhe shumë më tepër për fatet e telenovelës politike apo aksh politikani të preferuar. Nga ana tjetër, i dëmshëm është shpeshherë edhe relativizmi moral ku të gjithë aktorët politikë futen në të njëjtin kallp, sipas devizës ‘të gjithë derrat një turi kanë’. Kjo mungesë nuance dhe përgjithësim empirik aspak i qëndrueshëm për shkak se përgjegjësia nuk mund të jetë asnjëherë e njëjtë, as motivet e palëve dhe as rreziku që paraqesin potencialisht, është një ndihmë e tërthortë për mbijetesën e sistemit ekzistues dhe riprodhimin ad infinitum të tij. Të menduarit kritik, duke u bazuar në shkolla mendimi të tilla si ato të sipërcituara, të analizuarit në mënyrë objektive dhe larg pasioneve fluturake apo sjelljeve emotive, është një nga mjetet që cilido shqiptar ka në dorë për të shmangur virtualitetin e informacionit të selektuar, identifikimin e problemeve themelore dhe në mënyrë induktive arritjen e arsyetimit të paindoktrinuar, të lirë dhe demokratik, të artikuluar në forma nga më të ndryshme për të detyruar klasën politike të ecë me hapin e qytetarëve të këtij vendi dhe t`i përgjigjet kërkesave të kohës.