Devis Xherahu është artisti që gjithmonë e sheh gotën gjysmë plot, edhe pse u bënë nëntë muaj që ai dhe kolegët e tij nuk këndojnë “live”, për shkak të pandemisë. Por si një menaxhues i mirë i emocioneve, situatave të vështira dhe parave, Devisi në një intervistë për “Panorama Plus” rrëfen gjithçka nga jeta e tij jashtë syve të publikut…
Të kemi parë në një skuadër futbolli me këngëtarë të njohur. Ç’mund të thuash për show-n e ri “Këngë moj” ku ju merrrni pjesë? Çfarë do të sillni ndryshe jashtë profesionit si këngëtar?
Është një super-spektakël i treshes Pandi Laço, Bledi Laço dhe Adi Hila, e që do të transmetohet në “Vizion Plus”, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më në zë profesionistë, ku do të jem edhe unë pjesë.
Ka zëra që do të jetë spektakli i vitit me të gjitha këngët dhe zhanret e muzikës së lehtë dhe asaj popullore të të gjitha trevave shqiptare. Të tjerat më mirë po i lëmë surprizë t’i zbulojmë gjatë këtij spektakli!
Ju kemi parë të ndarë në skuadra futbolli. Ke talent për të luajtur me topin e futbollit dhe cili nga kolegët këngëtarë të befasoi vërtet në fushë?
Në fakt kam luajtur futboll qysh i vogël, ku mbaja gjithmonë pozicionin e sulmuesit të djathtë. Në fushë nuk kishim kohë të më befasonte kush, sepse e kishim kohën të kufizuar me xhirimet e spotit të spektaklit “Këngë moj”.
Shpesh shpërndan në rrjetet sociale skeçe nga “Klanifornia”, ku të përmend Albano Bogdo. Njihesh me të dhe si ndihesh kur e sheh veten pjesë të numrave të tij?
Po, këto skeçet e fundit shpesh jam përmendur nga miku im Albano Bogdo dhe kam qeshur pa fund kur i kam parë. Të them të drejtën i shoh shpesh dhe jam ndjerë “happy”, sepse jam vetë tip që bëj humor dhe më pëlqejnë njerëzit që bëjnë humor, dhe aq më tepër kur jam unë personazhi që ndërtohet një pjesë humori.
E them këtë sepse humori është kulturë dhe të zgjat jetën, kështu që përfitoj nga rasti ta falenderoj mikun tim Albanon, që më ka bërë pjesë të personazhit të tij.
Ndërkohë, kemi parë aftësinë tënde në të vrapuar gjatë një videoje që u bë virale, ku sulmoheshe nga një struc gjigand në programin “N’ fermë”. Si do ta përshkruaje atë ngjarje?
Unë do ta quaja me plot gojën jetën time sot “jetë të dytë” dhe falënderoj Zotin për këtë! Ishim me xhirime për emisionin “E diell” në “Top Channel” për përvojën e artistëve në fermë, në fshat, dhe një moment ishte marrëdhënia jonë me kafshët dhe shpendët.
Ç’është e vërteta, unë kam një dobësi për kafshët, sidomos për ato të egrat, kam shumë adrenalinë kur përballem me to. Ky afeksion ndodhi dhe me një struc gjigand, 250 kg dhe 3 metra i lartë, që vrapon me shpejtësi deri në 65 km në orë, pikërisht te “Mrizi i Zanave” në Lezhë.
Jo se nuk kisha informacion për ta, që është një nga shpendët më të rrezikshëm, që unë do ta quaja me plot gojën “kafshë”, që unë e barazoj me forcën e një ariu. Por të them të drejtën, më ngacmoi adrenalina përballë tij dhe e harrova këtë rrezik duke iu afruar shumë pranë dhe duke e provokuar.
Por situata doli nga kontrolli dhe ai sulmoi. Unë e dija që vrapoj shpejt, por nuk e dija mirë se sa derisa i futa turbon, sepse është ai momenti jetë a vdekje. Dhe ja, donte Zoti që unë të mos shkoja kaq herët!
Pavarësisht kësaj situate të paparashikueshme që përjetove, si u ndjeve në fermë me personazhe të tjerë të njohur?
Ishte një super-përvojë mes miqsh dhe kolegësh ato 4-5 orë në fermë.
Zakonisht në Greqi artistët e famshëm kanë dhe rezidenca apo vila në fshat, ku shkojnë për t’u qetësuar. Ti e ke një të tillë, dhe nëse jo, në cilin fshat ke dëshirë ta ndërtosh shtëpinë tënde të qetësisë?
T’ju them të drejtën, nuk e kam menduar të kem një të tillë, jo se nuk më pëlqen, por kam shumë miq sidomos në fshatrat e Korçës, kur shkoj në qytetin tim. Kështu, shkoj te këto fshatra e te këta miq, sa herë dhe kur të dëshiroj. Ndërkohë që koncertet dhe “live”-t kanë stopuar, të kemi parë aktiv nga shtëpia dhe madje optimist, pavarësisht situatës.
Ke menduar të kthehesh sërish në Greqi, apo është një cikël i mbyllur për ty fama në atë vend?
Unë jam tip pozitiv dhe nuk dorëzohem me surprizat që na servir jeta, ndaj shpeshherë bëhem dhe shembull pozitiv për të tjerët! Ma thonë shpesh miqtë e mi. Kjo situatë do të kalojë, vërtet me dhimbje, por do të kalojë. Ne shqiptarët kemi kaluar mjaft situata të vështira në jetë, sidomos brezi im, që u përkasim të dy sistemeve.
Me pak fjalë, e kemi të forcuar durimin, ndaj edhe këtë herë do ta kalojmë derisa të kemi shëndetin “ok”. Për Greqinë nuk e di me saktësi se çfarë do të bëj, por një gjë e di sigurisht shumë mirë: që ne artistët jemi qytetarë të botës dhe gjithmonë do të jemi me një valixhe në dorë…
Shumë artistë janë ankuar se po u boshatisen dita-ditës llogaritë bankare. Të tremb rrënimi financiar dhe a ke menduar ndërkohë ndonjë mënyrë tjetër për të fituar para?
Dalëngadalë po hyjmë në muajin e nëntë që nuk performojmë në skenë dhe kjo është e trishtë për të gjithë ne artistët që jetojmë vetëm nga ky profesion. Sigurisht, mendimet negative më shkojnë në mendje për faktin se sa do të zgjasë akoma kjo situatë, por më ngushëllon fakti që deri më sot kam shëndetin që është kryesori, sepse kemi parë dhe dëgjuar mjaft keq nga kjo pandemi.
Sigurisht, unë futem te këngëtarët dhe artistët e kujdesshëm me të ardhurat e mia, duke i menaxhuar kujdesshëm. Normal, kam menduar edhe për këtë ditë, sepse ky është profesioni i vetëm që di të bëj dhe do të vazhdoj të bëj ashtu si duhet gjatë këtyre 29 viteve karrierë, po le të shpresojmë t’i rikthehemi sa më shpejt skenës dhe normalitetit!
Karantinën e kalove i izoluar në distancë nga partnerja jote, Ertemiona Mejdani. Po tani si po vazhdon jeta juaj në çift, po bashkëjetoni apo jetoni në shtëpi të ndryshme?
Po normal, karantina i përkiste dhe kujdesit ndaj prindërve tanë dhe si rrjedhojë ishim afër tyre. Por për të qenë të sinqertë, ne nuk kemi qenë kurrë për bashkëjetesën, e kemi konsideruar një konsumim pa arsye të marrëdhënies në çift, përveç rasteve disajavore dhe sporadike. Pra, po ia lëmë martesës të jetuarit bashkë.
Për dasmën e planifikuar dhe një fëmijë rrugës, çfarë mund të na tregoni më shumë? Jemi kureshtarë të dimë se si mund të jetë ceremonia e një këngëtari të njohur me një miss, kush do të jenë të ftuarit, muzika që do të këndohet e kërcehet dhe destinacioni i muajit të mjaltit?
Ajo që mund të them me bindje është që nuk jemi për ceremonitë e zhurmshme dhe pranisë së shumë njerëzve. Ceremonia e vënies së kurorës në kishë, në prani të familjarëve tanë, është ajo që na mbush. Dhe pastaj i lutemi Zotit të na bekojë ashtu siç ne dëshirojmë!
/Panorama Plus